Dossier

Informacioni sekret i sekretares Zina Franja: Me turistët ka ardhur..

               Publikuar në : 11:43 - 18/10/19 liberale

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon dokumentet sekrete të Ministrisë së Brëndshme, dhe Komitetit të Partisë të rrethit të Durrësit e Shkodrës të vitit 1970, dërguar Sektorit të Marrdhënieve me Jashtë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me grupet e organizuara të turistëve të huaj që vizitonin Shqipërinë e asaj kohe, ku pjesën kryesore të tyre e zinin grupet marksiste-leniniste. Në këto proçes-verbale sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, bëhet fjalë për zhvillimin e të gjitha programeve turistike që agjensia qeveritare e asaj kohe “ALBTURIZMI”, i organizonte këtyre grupeve turistike në mbarë vëndin.

Gjithashtu në këto dokumenta, vërehet me imtësi e gjithë veprimtaria e turistëve të cilët gjatë periudhës së vizitave të tyre në destinacionet përkatëse turistike në Shqipëri, iu nënshtroheshin rëndom disa rregullave strikte me qëllim për të mos lejuar “degjenerimin” e rinisë dhe shoqërisë shqiptare në marrdhëniet me vizitorët e huaj. Si dhe me “ambjentimin” e të gjithë turistëve të huaj me rregullat e shkruara dhe të pashkruara të komunizmit shqiptar, lidhur me organizimin e turizmit dhe reklamimin e vëndit para syve të mbarë botës.

Sipas dokumenteve në fjalë, alarmante për zyrtarët e Komiteteve të Partisë dhe të Sigurimit të Shtetit, paraqitet në mënyrë të vazhdueshme veçanërisht situata në Plazhin e Durrësit, ku në krahasim me rrethet e tjera përqëndrimi i grupeve turistike do të ishte më i madh. Kërcimet “ekstravagante”, mënyra e pahijshme e të veshurit dhe të vepruarit, si dhe interesi i vazhdueshëm për shoqërimin e tyre me shqiptarët e thjeshtë, do të përbënte një problem serioz për të gjitha strukturat e Komiteteve të Partisë nëpër rrethe si dhe për vetë funksionarët e lartë të MPB-së deri te zv-Ministri i Brendshëm Feçor Shehu. Kjo gjë dhe për faktin, se ALBTURIZMI kishte nënshkruar më parë kontrata dhe marrëveshje me agjensitë dhe grupet e huaja turistike që do vizitonin vëndin tonë, të cilt ishin të detyruar të zbatoni ato marrëveshje, ku si pikë kryesore ishte paraqitja e jashtëme e turistëve dhe veshja e tyre.

Po kështu ashtu siç del nga këto dokumente sekrete, një problem i madh për shtetin shqiptar, apo më saktë për ALBTURIZMI-in, dikasteret e institucionet e tjera që ishin ngarkuar me këtë punë, ishte problem i guidës turistike, pra vëndeve ku do të dërgohehsin këta turistë për të vizituar. Pasi gjatë një vizite në stallat e Ndërrmarjes Bujqësore të Shijakut, aty nuk kishte pasur fare lopë, gjë e cila i kishte bërë shoqëruesit dhe përkthyesit që të ndjeheshin ngushtë dhe të mosn dinin se çfarë t’u thonin turistëve. Tjetër gjë që bie në sy në këto dokumente sekrete, është dhe preokupimi jashtëzakonisht i madh, apo më saktë një nga detyrat parësore të shtetit shqiptar ishte jo akomodimi dhe plotësimi i kushteve minimale të turistëve, por edukimi i tyre me anë bisedave me lektorë, emisioneve të inçizuara të Radio-Tiranës që jepeshin me qëndra zëri të hotelet e turistëve, të literaturës dhe librave të përzgjedhura nga ana e organeve kompetente, etj etj.

Një tjetër çështje e nxehtë që shqetësonte vazhdimisht organet e Partisë së Punës, do të ishte edhe ardhja në Shqipëri në mënyrë të vazhdueshme të disa personave të cilësuar nga regjimi i komunist si të padëshiruar dhe me qëndrim armiqësor ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë. Të tillë persona të arratisur që pas mbarimit të luftës nga Shqipëria, apo familjarë të tyre, do të tentonin të hynin të kamufluar si turistë për të parë më nga afër gjëndjen politiko-ekonomike dhe sociale të vëndit. Rasti më flagrant i këtij veprimi do të ishte ai i Çesk Kallmetit nga Shkodra, familja e të cilit do ta vizitonte Shqipërinë në Shtatorit e viti 1970, por që menjëherë do të vihej nën survejimin e plotë të Sigurimit të Shtetit. Një tjetër aspekt tejet interesant i përshkruar në këto dokumenta sekrete është edhe ndjenja e vazhdueshme mosbesimit dhe e dyshimit që organet e Sigurimit të Shtetit, ushqenin ndaj grupeve të ndryshme të turistëve të klasifikuar si “grupet markiste-leniniste”. Në mënyrë të vazhdueshme organet e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, përgjonin dhe survejonin pa përjashtim të gjitha grupet e ndryshme të turistëve të huaj, të cilët përgjatë 48 viteve të ekzistencës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, do të vizitonin “Parajsën e Humbur” të komunizmit shqiptar.

Raporti

 DISA PROBLEME TE PUNES SE TURISTEVE QE VIJNE NE VENDIN TONE

Që Albturizmi të kryejë si duhet detyrat që përmëndëm në këtë relacion, është e domosdoshme të merren dhe këto masa:

a). Përbërja e kuadrit drejtues të kësaj ndërrmarjeje duhet të forcohet me shokë të aftë politikisht, që t’i shikojnë problemet e turizmit në rradhë të parë në prizmin politik.

b). T’i jepet një kuadër i aftë që të merret me punën e problemet e propagandës. Në organikë ajo e ka këtë vënd, por nuk i jepet dhe me këtë problem deri tani merret zv/ Drejtori, i cili është i ngarkuar edhe me shumë çështje të tjera dhe është vazhdimisht në lëvizje.

c) Krahas rritjes së numrit të turistëve që vijnë në vëndin tonë, problemi i shoqëruesëve po bëhet gjithnjë dhe më i vështirë si për Sigurimin, ashtu dhe për përgatitjen e tyre. Nevojat e Albturizmit për këta njerëz nuk kuptohen dhe nuk plotësohen nga institucionet e ndryshme dhe sidomos nga Universiteti Shtetëror i Tiranës që duhet të japë më shumë. Pa këta njerëz as që bëhet fjalë që të punohet me turistët. Këtu do të ishte patjetër e nevojëshme një ndërhyrje e Këshillit të Ministrave, për të komanduar në këtë shërbim gjatë dy tre muajve të verës disa kuadro të përshtatëshme nga institucionet tona qëndrore.

Duhet shënuar gjithashtu se niveli ideo-politik i shoqëruesëve që janë vënë në dispozicion, (shumica studentë) ka qenë i ulët dhe shpesh herë ata nuk kanë qenë në gjëndje të përballojnë kërkesat dhe ngandonjëherë dhe me karakter provokues të turistëve. Këtë na e kanë vënë në dukje edhe miqtë e Partisë që e kanë konstatuar.

 Raporti: Për turistët duhet një kuadër për propagandën

c) Në Durrës, ku në muajt korrik-gusht ndodhen çdo ditë rreth 500 turistë, ndjehet nevoja që të ketë një kuadër që të merret me organizimin dhe punën propagandistike. Një kuadër të tillë dhe për kaq kohë të shkurtër nuk do ishte e vështirë ta vinte në dispozicion Komiteti i Partisë së Durrësit. Ai mund të ishte një pensionist arsimtar ose dhe ndonjë aktivist tjetër shoqëror. Për këtë shërbim, turizmi edhe do ta paguante.

d) Albturizmi nuk ka qenë në gjëndje këtë sezon që të plotësojë të gjitha kërkesat e turistëve për eskursione, për mungesë të autobuzave. Kjo punë përveç të tjerave sjellë edhe të ardhura të mëdha. Gjatë këtij sezoni nga eskursionet p.sh u arkëtuan rreth 40.000 dollarë që janë baraz me vlerën e dy autobuzave.

Do të ishte mirë që për problemet e turizmit, të organizohej një seminar në qëndër, ku të merrnin pjesë përveç kuadrove që punojnë në këtë sektor, edhe shokë nga Komitetet e Partive dhe Komitetet Ekzekutive të rretheve.

 Raporti: Marinarët e huaj pijnë dhe bëjnë sherr te INTERKLUB-i

               Mbi Interklub-in

Në Portin e Durrësit vinë me dhjetra anije në muaj, nga shumë vënde të botës që kanë ekuipazhe të mëdha. Për t’u shërbyer këtyre anijeve, para disa vjetësh u ndërtua “INTERKLUBI”. Ai varet nga Albturizmi dhe përveç detyrës së furnizimit të anijeve dhe plotësimit të nevojave materiale të ekuipazheve të tyre, është ngarkuar të bëjë dhe një punë propagandistike. Sipas të dhënave të shokëve të Komitetit të Partisë të Durrësit, ky institucion nuk po i kryhen si duhet detyrat e ngarkuara dhe është shëndrruar në një qëndër ku marinarët e huaj dehen dhe rrihen me njëri-tjetrin.

Pjesa më e madhe e marinarëve që vijnë në Portin e Durrësit, shumica e të cilëve janë njerëz të varfër, të shtypur dhe të shfrytëzuar, në bazë të rregullave tona, nuk lejohet të dalin në qytet dhe e kalojnë kohën e qëndrimit në vaporr, ose në sallat e “Interklubit” që është në territorin e portit. Kjo gjë nuk mund të mos ngjallë te marinarët, të cilët janë mësuar të bredhin lirisht në çdo port, një farë zemërimi ndaj vëndit tonë. Nga ana tjetër jemi mësuar që me këtë masë të madhe njerzish të punojmë, prandaj mendojmë se në këtë çështje të vërë dorë si Komiteti i Partisë së Durrësit, i cili nuk duhet të bëjë sehir në këtë situatë, ashtu dhe organet shtetërore qëndrore. Për ta shëndrruar atë në një qëndër model dhe propaganduese të ideve të Partisë dhe realizimeve të mnëdha të vëndit tonë.

Për ta bërë këtë mendojmë se duhen të merren këto masa:

1). Tani po diskutohet që administratori i INTERKLUBIT t’i kalojëë Ministrisë së Komunikacionit dhe ai të varet direkt nga Drejtoria e Portit, e cila ka lidhje pune me anijet.Përvoja ka treguar se Albturizmi nuk mund ta bëjë si duhet këtë punë.

2).Komiteti i Partisë së rrethit të Durrësit të caktojë një kuadër të përshatshëm si drejtues të Klubit dhe të ndihmojë e kontrollojë siç duhet punën e tij në rradhë të parë punën ideopolitike dhe propagandistike.

3).Të paiset salla e leximit me bibliotekë dhe në botime në gjuhë të huaj, revista, ilustracione, foto-ekspozita, e materiale të tjera figurative nga vëndi ynë.

4).Të organizohet më mirë projektimi i filmave tanë, artistikë dhe dokumentarë.

5).Interklubi të organizojë me grupe marinarësh, simbas dëshirës së tyre dhe kundrejt pagesës, eskursione kolektive në qytetin e Durrësit dhe jashtë tij, duke vizituar, sipas rastit, edhe ndonjë qëndër industriale e bujqësore. Shpesh të tilla eskursione kërkohen.

6).Të organizohet më mirë tregtimi i librit në gjuhë të huaj, i disqeve, i kartolinave, pullave, albumeve dhe punimeve të artizanatit.

7).Në rastet kur kemi interes, mund të organizohen edhe ne qytet, koncerte me numra të zgjedhur nga grupet folklorike për marinarët e huaj.

8).Interklubi të kryej më mirë edhe detyrën e furnizimit të anijeve me prodhime ushqimore, sepse ka raste që neglizhohet në këtë drejtim dhe lë t’i shpëtojë shtetit sasira valute.

Tiranë, më 5.X.1970                    Sektori i Jashtëm

 Informacioni: Me turistët ka ardhur gruaja e të arratisurit

 PARTIA E PUNES SHQIPERISE              Sekret                     

KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT          Ekzepmlar Nr.1                    

Nr. 627 Prot.                                                                Shkodër, 25/9/1970

 

                KOMITETIT QENDROR TE PPSH

                 (Sektorit te Jashtëm)                                 Tiranë

 

Nga fundi i muajit Gusht të këtij viti, së bashku me një grup turistësh nga Suedia, erdhi për të kaluar pushimet në vëndin tonë, gruaja dhe vajza e Çesk Kallmetit, i arratisur në vitin 1944 së bashku me okupatorin nazist gjerman, i cili tani ndodhet në Suedi.

Ashtu si shumë turistë të tjerë, përveç qëndrimit në Durrës, edhe gruaja dhe vajza e të sipërmit, vizituan edhe qytetin e Shkodrës. Me ardhjen në qytetin tonë, me gjithë marrjen e masave nga organet, për të vëzhguar në lëvizjet e tyre, gjatë vizitës këtu i bënë një vizitë në shtëpi, kunatit të tyre, Pac Kallmetit.

Kjo grua e ardhur “si turiste e thjeshtë” u ka sjellur dy vëllezërve të burrit, Pacit dhe Kolës, mjaft plaçka, të cilat ua ka dorëzuar me këtë rast. Ajo vetë si person ka origjinë dhe kombësi jugosllave dhe së bashku me të bijën 19 vjeçare, janë paraqitur me pasaportë suedeze. Gjatë takimit kanë përdorur gjuhën jugosllave, sidomos përjashta familjes, por dyshohet se në biseda intime mund të kenë përdorur e gjuhën shqipe.

Në familjen ku shkuan për vizitë në lagjen “Skënderbeg” kanë fotografuar ish shtëpinë e vjetër, në të cilën ka banuar i arratisuri bashkë me vëllezërit e tij si dhe rrugën, gjoja për t’i mbajtur kujtim.

Ne u përpoqëm të interesoheshim mënjeherë porsa morrëm informacionin nga baza, se në ç’mënyrë u ishte e dhënë e drejta për të ardhur si turistë në Shqipëri dhe përgjigjia e shokëve të Degës së Punëve të Brendëshme këtu është se ata nuk dinin plotësisht gjë për këtë, e aq më tepër se ajo ishte gruaja e një personi që kishte braktisur atdheun e tij.

Prandaj duke u nisur nga këto të dhëna, mendojmë dhe propozojmë që personat që do të vijnë si turistë në vëndin tonë, të kontrollohen më mirë dhe njerëz të tillë si këta, që nuk meritojnë, të mos u jepet mundesia për një gjë të tillë, për vetë faktin se ardhja e tyre lë përshtypje jo të mirë, takimi i tyre me familje me përbëtrje jo të mirë politike, mund t’ju jap shkas për propagandë kundër vëndit tonë dhe nga ana tjetër, masave që i njohin, u krijohen iluzione për qëndrime liberale ndaj njerëzve me përbërje të tillë.

P/KOMITETIN E PARTISE SE RRETHIT

 SEKRETARJA                                                                       

 ZINA FRANJA                                                              

 

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back