Aktualitet

Inflacioni shkon për qershorin në 7.4%, rritja më e madhe e çmimeve pas 1997-ës

Shkruar nga Liberale

Çmimet e produkteve të shportës bazë po rriten muaji pas muaji, duke u bërë të papërballueshme për shumë familje shqiptare, ndërsa ende mbetet e paqartë se si po e menaxhon qeveria këtë situatë. FMN dhe organizmat ndërkombëtarë e kanë sugjeruar qeverinë që të përkrahen shtresat më në nevojë, përmes politikave fiskale, që të mos bjerë kërkesa për konsum.

Ndërkohë çmimet kanë vijuar rritjen edhe gjatë muajit qershor, duke përkeqësuar më tej financat e familjeve shqiptare që, për të blerë të njëjtën sasi produktesh si një vit më parë, sipas vlerësimeve më të besueshme duhet të kenë të ardhura të paktën 30 deri në 40 herë më të larta.

Ushqimet, për të cilat familjet shpenzojnë 42% të buxhetit (pesha më e lartë në Europë), sikurse edhe karburantet kanë çmimet më të larta në rajon, zënë peshën kryesore të inflacionit.

Sipas Instat, inflacioni arriti në 7.4% në muajin qershor, nga 6.7% që ishte në maj.

Rritja e çmimeve ka shënuar një tjetër rekord të ri gjatë 20 viteve të fundit  që nga marsi i vitit 2002, kur treguesi arriti në 7.4% dhe po arrin nivelin më të lartë që nga koha e piramidave në 1997-s, kur ishte mbi 40%.

Në qershor të një viti më parë, inflacioni ishte vetëm 1.6%.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Qershor sipas Instat, është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,38 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +1,53 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,54 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,28 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,25 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor”me +0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,01 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin Qershor 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 26,9 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 12,6 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,7 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,8 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,8 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,6 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,0 %, “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,6 % secili dhe “Shëndeti” me 0,3 %. Nga ana tjetër, grupi “Argëtim dhe kulturë” u ul me 0,9 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me me 30,3 %, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithra” me 19,1 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 18,5 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 14,3 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 10,3 %, “mish” me 9,0 %, “peshk” 8,6 %, etj.

Krahasuar me muajin Maj 2022, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1,4 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 1,3 % dhe “Komunikimi” me 0,2 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 4,5 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,6 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5 %, “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 %. /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH