Dossier

Inferioriteti historik i Kosovës

               Publikuar në : 09:02 - 30/03/19 Liberale

Shkrimtari dhe publicisti Mehmet Kraja provokon një qasje të re ndaj çështjeve të identitetit në librin “Identiteti kosovar”, Botimet UET PRESS

Lidhur me këtë çështje, diskutimi rreth Kosovës dhe Shqipërisë tani mund të orientohet në një pikë: Cili ishte trungu dhe cila ishte dega? Ose, thënë më ndryshe, a duhej Kosova të bëhej Shqipëri, apo të ishte Shqipëria ajo që u bë në të vërtetë? Po u shikuan luftërat që bëri Kosova që nga Lidhja e Prizrenit dhe deri më 1912 do t’i binte Kosovës që të bëhej Shqipëri, që ajo të ishte trungu dhe që prej saj eventualisht të shtriheshin degët, ose edhe hiqeshin “copat” (sepse copat do hiqeshin doemos, përderisa shtetin ta bëjnë të tjerët). Unë them se, shikuar nga kjo distancë, nuk ishin vetëm interesat serbo-ruse ato që nuk e lënë Kosovën të merrte këtë rol në botën shqiptare. Nuk ishte as pjesa serbe historisë së saj. Më shumë ishte identiteti i paqartë ose pak i ngatërruar, fryma orientale që e dominonte, ambienti konservativ mysliman dhe lufta jo gjithmonë e konsistente që kishte bërë: autonomi në kuadër të shtetit turk, por jo pavarësi. Europa edhe ashtu kishte krijuar idenë se bërja e Shqipërisë do të thoshte një Turqi e vogël në Ballkan. Atëherë, ishte krejt normale që kjo “Turqi e vogël” të bëhej atje ku kishte më pak gjasa të ishte tamam Turqi. Dhe gjasat për këtë ishin pikërisht aty ku u bë Shqipëria, ku identiteti shqiptar (i pangatërruar aq shumë me identitetin fetar) ishte afishuar më qartë; ku tashmë ekzistonte një vetëdije kombëtare; ku civilizimi perëndimor kishte depërtuar ndjeshëm, edhe përkundër të qenit nën Turqi; ku kishte një lëvizje dhe emancipim kulturor etj.

Nëse merren për bazë këta faktorë (dhe merren gjithnjë, kur shteti bëhet në tavolinën e bisedimeve), atëherë ishte krejt logjike që qendër e bërjes së Shqipërisë të mos ishte Kosova, asnjë qytet i saj, asnjë krahinë e saj. Sepse Kosova kishte bërë luftëra të mëdha, herë të qarta e herë konfuze, por kishte ngecur prapa në identitetin shqiptar. Prandaj, që nga kjo kohë, ajo do t’i shkojë prapa Shqipërisë në të gjitha vijat themelore të identitetit dhe do të jetë e varur prej saj në ide dhe në të gjithë përbërësit kulturor. Si mund të bëhej Shqipëria në Kosovë, kur, ta zëmë, Isa Boletini, i cili kishte shkuar në Vlorë për të mbrojtur shpalljen e pavarësisë, ndërsa e kishte parë flamurin shqiptar tek ishte shfaqur në ballkonin e asaj shtëpie të vogël, thonë se paskësh thënë nën zë: Koka si i Kralit!

Pra, që nga ajo kohë, Shqipëria është diku tjetër dhe Kosova nuk mund të ishte gjë më shumë, përveç se atribut i saj, ndajshtim identitar. Që nga ajo kohë, identiteti kosovar zbret nga piedestali kombëtar dhe bëhet identitet lokal, ose identitet territorial, që domethënë njëri nga shumë identitete shqiptare, identitet i përdorshëm vetëm për të identifikuar një hapësirë fatkeqe shqiptare dhe një popullsi gjithashtu fatkeqe shqiptare. Etnonimi kosovar tani fillon të përdoret në Shqipëri për të identifikuar Shqipërinë e jashtme, Shqipërinë e mbetur të papërfshirë në hartën e saj londineze. Më anë tjetër, atributi kosovar nga vetë kosovarët, as atëherë dhe as më vonë, nuk merr ndonjë kuptim specifik, përveç se identifikon banorët e një hapësire, të një territori. Që nga bërja e Shqipërisë, madje përpara se të ndodhte kjo, do të jenë vetë kosovarët që tashmë e pranojnë një lloj inferioriteti historik dhe një rol të dytë në historinë kombëtare. Kosova tashmë bëhet linja e dytë e rrëfimit shqiptar. Identiteti i saj është identitet mbështetës, bashkëngjitës, nuk është identitet parësor.

Prandaj, kësaj radhe Kosova do të shkonte në Vlorë dhe jo Shqipëria të vinte në Prizren, siç kishte ndodhur pjesërisht në një kohë të shkuar, sepse Prizreni vërtet që kishte trasuar rrugën e bërjen së kombit shqiptar, më vonë edhe të shtetit shqiptar, por këtë rrugë e kishte trasuar përmes autonomisë. Kurse tani duhej diçka tjetër, duhej pavarësi, e cila nuk kishte qenë dhe nuk ishte ide nxitëse e Kosovës. Kosova duhej të shkonte në Vlorë, sepse në ide kishte mbetur prapa. Gjatë kryengritjeve të viteve 1908-1912 Kosova e kishte dëshmuar se kishte mangësi në formimin e vetëdijes politike. Mangësi kishin të gjithë shqiptarët, por Kosova më shumë se të tjerët, sepse kosovarët çliruan territore, por pastaj nuk ditën çfarë të bënin me atë liri që e fituan me gjak. Me veprimet që i bënë, krejtësisht në mënyrë të pavetëdijshme, i ndihmuan Serbisë për pushtime dhe aneksime, më një anë duke e lodhur Turqinë deri në atë shkallë, sa ajo të mos ishte në gjendje t’i mbronte territoret e veta; ndërsa më anë tjetër, duke e dobësuar veten deri në gjendje molisjeje e dëshpërimi nga luftërat pa kuptim. Atëherë, çfarë mund të bënin kosovarët, në një gjendje të këtillë pa shpresë? Të iknin me Turqinë, gjë që e bënë një numër syresh; t’i bashkëngjiteshin idesë së pavarësisë dhe të shtetit kombëtar, që gjithashtu e bënë një numër jo i vogël; ose ta mirëpritnin pushtimin e Serbisë, që e bënë disa familje të mëdha, fatmirësisht në numër jo aq të madh, kryesisht për të ruajtur interesat dhe pronat.

Ndërkohë, Serbisë nuk i mjaftoi Kosova, por desh që situatën e krijuar ta shfrytëzonte për ta përmbyllur idenë e daljes në Adriatik, ashtu siç e kishin menduar që nga mesi i shekullit XIX ideatorët e programit nacional serb. Ushtria serbe hyri në territoret e Shqipërisë së sotme dhe gjithashtu bëri masakra, pothuajse si në Kosovë. Ashtu sikundër e shpjegon Tucoviqi, ideja e pushtimit të kësaj pjese të Shqipërisë ishte krejtësisht e gabuar, sepse vendimi për ta bërë Shqipërinë tashmë ishte marrë nga fuqitë e mëdha dhe Serbia, pas këtij inkursioni ushtarak do të kthehej nga kishte ardhur. Tucoviqi i bën një kritikë të themeltë edhe idesë së daljes së Serbisë në det, përmes territoreve shqiptare ose në ndonjë mënyrë tjetër, sepse, konsideron ai, zhvillimet e fundit në Europë tregojnë se Adriatiku dhe Mesdheu kurrë më nuk do ta kenë atë rol që e kishin pasur dikur. Por shqiptarët, veçmas kosovarët, u entuziazmuan kot me Tucoviqin, të cilin e “zbuluan” nga vitet ’60 të shekullit të kaluar, e përkthyen shqip, e botuan dhe e ribotuan, e cituan dhe e afishuan, duke e sjellë gjithnjë si model të një serbi me qëndrim parimor ndaj çështjes shqiptare, sepse Tucoviqi në librin e tij “Serbia dhe Shqipëria” fsheh nga sytë e lexuesit dy gjëra esenciale: e para, ai me asnjë fjalë nuk e përmend Kosovën, pra, pushtimin e saj dhe vrasjen në masë të shqiptarëve, që domethënë se në këtë pikë, duke e heshtur, e arsyeton veprimin e Serbisë; dhe, e dyta, ai e quan të panevojshëm dhe të dëmshëm inkursionin ushtarak në Shqipëri, por nuk shpjegon motivin e masakrave serbe mbi shqiptarët, larg territorit të Kosovës.

E zëmë se për Serbinë, Kosova ishte “tokë e shenjtë” dhe se për “arnautët” e saj serbët kishte një mllef të vjetër, sepse ata, me ndihmën e Turqisë kishin mbajtur të pushtuar me shekuj “Jerusalemin” e tyre. Prandaj, për hakmarrje, Serbia edhe mund t’i vriste kosovarët, të futej shtëpi më shtëpi dhe t’i faronte deri më një. Po përse të njëjtën gjë ta bënte, ta zëmë, në rrethinën e Elbasanit ose gjetiu? Përse ushtria serbe hynte nëpër fshatrat e Shqipërisë dhe i digjte shtëpitë me gjithë njerëzit brenda? Këtë nuk e shpjegon Tucoviqi, ndonëse veprimet e këtilla, që i kishte parë me sytë e tij, i kritikon me shumë elokuencë. Ai nuk e thotë se Serbia tashmë kishte përpiluar një program nacional, i cili në themel kishte zhdukjen e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ku mund të ishin ata. Tucoviqi ka dijeni për këtë program, por nuk e radikalizon kritikën ndaj tij deri në atë shkallë, sa t’i bëjë vërejte të tilla esenciale elitës nacionaliste serbe. Mbi bazat e socialdemokracisë, ai vetëm kritikon veprimet e kundërshtarëve të tij politikë, por asnjëherë idenë frymëzuese të kësaj politike.

Ndarja nga Shqipëria

Lufta e Parë Botërore dhe periudha deri në luftën tjetër të madhe, për Kosovën do të jetë kohë tragjike në të gjitha pikëpamjet, kohë e ripushtimit, kohë e ndarjes nga Shqipëria, kohë e vuajtjes, e prapambetjes, e etnocidit, e shpërnguljeve, e kulturocidit, e humbjes së identitetit, kohë që la shumë pasoja në kujtesën historike të kosovarëve dhe në vetëdijen e tyre të trashëguar. Gjatë viteve pararendëse, kosovarët mezi kishin arritur ta konsolidonin disi një identitet të luhatshëm ndërmjet fesë dhe përkatësisë kombëtare. Ata sapo kishin filluar të liroheshin nga trysnia e identitetit të dyzuar, menjëherë u përjashtuan nga tërësia kombëtare, të cilën doemos që e krijon secili shtet përmes mekanizmave të tij. Por nuk ishte vetëm kjo. Të qenit shqiptar, ndonëse asnjëherë nuk kishte qenë ndonjë privilegje e madhe, për kosovarët tani kjo përkatësi bëhet fatkeqësi më vete, shenjë për diskriminim në të gjitha format, deri në zhdukje fizike. Duke qenë fillimi shekullit XX dhe koha e asaj lufte që vrau mbi 50 milionë njerëz, ishte e pritshme se nga fuqitë e mëdha nuk do të kishte ndonjë reagim serioz rreth trajtimit çnjerëzor që u bëhej kosovarëve nga Serbia dhe më vonë edhe nga Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene. Europa e dinte se çfarë po ndodhte me shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera të pushtuara dhe të aneksuara, sepse në drejtim të kancelarive perëndimore shkuan shumë ankesa dhe peticione, sikundër që u bënë edhe shkrime të shumta në shtypin e atëhershëm. Mirëpo, atëbotë, mekanizmat për ndërhyrje në rast të shkeljes së të drejtave të njeriut nuk ishin aspak funksionale, megjithëqë tashmë ishin ratifikuar disa konventa për mbrojtjen e minoriteteve dhe Mbretëria Jugosllave ishte nënshkruese e tyre.

Ja disa fakte relevante se çfarë ndodhi në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të pushtuara nga Serbia pas vitit 1912 dhe të aneksuara pas Konferencës së Londrës të vitit 1913. U mor një territor shqiptar prej 24 mijë kilometër katrorë, që banohej me rreth një milionë banorë, 80% shqiptarë. Pra, me sipërfaqe pak më e vogël se Shqipëria e 1913-ës, ndërsa me banorë më shumë se ajo. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Kosova u nda në zonën austro-hungareze dhe bullgare. Në zonën bullgare popullsisë iu konfiskua drithi dhe ndodhi një vdekje masive e njerëzve nga uria. Më 1918 Kosova u ripushtua nga Serbia me ndihmën e francezëve, të cilët hynë të parët në Kosovë, u priten pa rezistencë nga popullsia, ndërsa ata ndihmuan Serbinë që të vendoste administratën dhe pushtetin ushtarak. Konferenca e Versajës, e organizuar nga fuqitë e mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore, konfirmoi vendimet e Kongresit të Berlinit dhe të Konferencës së Londrës për aneksimin e territoreve shqiptare. Në Kosovë nuk pushoi rezistenca e armatosur, u krijuan zona të çliruara. Kosovarët nuk e pranonin kufirin me Shqipërinë. Në Shqipëri vepronte Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës me Kadri Prishtinën, Bajram Currin, Hasan Prishtinën dhe emra të tjerë të shquar të lëvizjes politike në Kosovë. Në Kosovë nuk lejohen shkollat shqipe, gjuha shqipe në përdorim zyrtar, librat shqip, shkrimi shqip. Më 1919 në Shkup formohet partia myslimane-turke “Xhemijet” në krye me Nexhip Dragën, e cila në legjislaturën 1920-24 arriti të kishte 17 deputetë. Elektorati dhe aktivistët e partisë ishin shqiptarë. Më 1925 pushteti mbyll edhe këtë parti, burgos Ferhat Dragën dhe shumë aktivistë të tjerë dhe ndal gazetën e saj. Sapo u bë pushtimi i Kosovës, filloi shpronësimi i shqiptarëve dhe kolonizimi i saj, i cili u zyrtarizua me të ashtuquajturin ligj i reformës agrare, i nxjerrë më 1919 dhe i plotësuar më 1933. Kështu, në periudhën 1919-1941 në Kosovë u shpronësuan 192 mijë hektarë tokë dhe, sipas Bato Tomasheviqit (“Jetë dhe vdekje në Ballkan”), i cili vetë rridhte nga një familje kolonësh malazezë nga Mitrovica, pas aneksimit të Kosovës në tokat e pushtuara u vendosen 70 mijë kolonë sllavë, të cilët krijuan mbi një mijë vendbanime. Më 1912 Kosova kishte 90% shqiptarë, ndërsa më 1941 ky numër ra në 70%. Përveç vrasjeve sistematike, urisë, sëmundjeve, kolonizimit, në këtë rënie të numrit të popullsisë shqiptare ndikuan edhe shpërnguljet, kryesisht për në Turqi dhe Shqipëri. Një numër i atyre që fillimisht u shpërngulën për Shqipëri, që andej serish përfunduan në Turqi. Historianët shqiptarë thonë se numri i të shpërngulurve arrinte shifrën prej 240 mijë vetash. Më 1937 në Stamboll u hartua konventa jugosllavo-turke “për shpërnguljen e popullsisë turke nga rajoni i Serbisë Jugore të Jugosllavisë”, sipas të cilës parashihej që në periudhën 1938-1944 të shpërnguleshin edhe 400 mijë shqiptarë të tjerë në Turqi, por për shkak të rrethanave që i paraprinë Luftës së Dytë Botërore, konventa nuk u ratifikua nga Turqia.

Pra, janë tridhjetë vjet të tjera, që bëjnë njërin nga kapitujt më të dhembshëm të historisë së Kosovës, një situatë pa shpresë dhe pa shtegdalje. Mbi Kosovën e çrregulluar në çdo pikëpamje Serbia vepron në mënyrë barbare, Turqia i ndihmon politikat e saj, ndërsa Shqipëria, pasi e sheh se është e pafuqishme të ndryshojë gjendjen, shpreh keqardhje dhe sillet me mospërfillje. Ndërsa në Kosovë shqiptarët vriten në masë, më 1924 Zogu bën marrëveshje me Pashiqin për t’u kthyer në pushtet, ndërkohë që Noli, tri ditë pasi ishte bërë kryeministër i Shqipërisë, kishte pezulluar Komitetin e Kosovës. Duket sikur Zogu dhe Noli vihen në garë se kush do të stabilizojë një shtet shqiptar, duke përfillur interesat sllave në Ballkan, të Rusisë dhe të Serbisë. Zogu del më i shkathtë në çdo pikëpamje.

Edhe përkundër kësaj situate refuzuese me Shqipërinë, pikërisht tani varshmëria e Kosovës ndaj shtetit shqiptar do të bëhet e madhe dhe e pashkëputshme. Kosova nuk gjen mbështetje tjetër. Pa Shqipërinë tani ajo nuk mund të bëjë gjë, qoftë në pikëpamje të vlerave jomateriale, qoftë edhe në pikëpamje fizike: secili kosovar e di se, nëse arrin t’i kalojë malet, matanë është Shqipëria, e cila, së paku, ia siguron jetën. Këtë shpëtim e kërkojnë dhe e gjejnë jo vetëm ata që bien në kundërshtim me ligjin për shkaqe politike, por edhe ata që bëjnë krime ordinere. Shqipëria tani bëhet pikë referimi për të gjithë kosovarët, me ose pa vetëdije kombëtare. Ata nuk kanë shumë mundësi zgjedhjeje. Ata që zgjedhin Serbinë janë të paktë, sepse as Serbisë nuk i duhen shumë të tillë, përveç disa familjeve bejlerësh dhe një numër i kufizuar nëpunësish dhe bashkëpunëtorësh. Këta rekrutohen kryesisht nga shtresa qytetare, e cila në Kosovë për shumë kohë vazhdon të ketë identitet të luhatshëm: herë quhen turq, herë shqiptarë, varësisht nga rrethanat.

Pra, strategjia serbe ishte e qartë: elementi shqiptar i përfshirë në Jugosllavinë e Versajës duhej të zhbëhej me metoda të kombinuara, me terror, me vrasje, me asimilim, me uri, me epidemi etj. Të gjitha këto metoda nuk do të jepnin rezultat, sa shpërngulja në Turqi, e cila e rrënonte në mënyrë jashtëzakonisht efikase elementin shqiptar në Kosovë. Por strategjia e shpërnguljes nuk ishte e thjeshtë. Së pari duhej penguar në çdo mënyrë krijimin dhe fuqizimin e identitetit shqiptar: s’ka shkolla shqipe, s’ka shkrim shqip, s’ka gjuhë shqipe, s’ka kombësi shqiptare; por ka me shumicë mejtepe në gjuhën turke, xhamia me hoxhallarë që predikojnë Turqinë, madje ka edhe parti politike turke. Çdo gjë që është shqiptare në Kosovën e atyre viteve bëhet përpjekje të konvertohet në atë turke. Situata në Kosovë ishte studiuar mirë nga Serbia. Serbët e dinin se një pjesë e kosovarëve kishin pasur telashe jo të vogla me identitetin e tyre gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Edhe tani nuk ishte i paktë numri i kosovarëve që identitetit fetar i jepnin përparësi karshi atij kombëtar. Të tjerët, për shkak të vetëdijes së munguar, identitetin fetar e identifikonin me identitetin kombëtar. Ky element i paqëndrueshëm i Kosovës ishte “lëndë” e përshtatshme për zhbërje: lehtë bëheshin turq dhe po kaq lehtë shpërnguleshin për Turqi. Në këtë mënyrë, edhe karshi bashkësisë ndërkombëtare, Serbia dhe Turqia dilnin të lara, sepse çonin në vend “vullnetin e popullit”.

Nuk mund të thuhet se Shqipëria nuk ishte e ndjeshme ndaj kësaj situate në Kosovë. Ndoshta ajo as që mund të bënte më shumë. Kosovarët e ikur i strehonte, fëmijëve të tyre iu jepte shkollë, kufirin me Kosovën e mbante poroz. Madje, ndonjë ithtar i Zogut do të thotë se ai u shpall mbret i shqiptarëve pikërisht për këtë arsye, që të ishte një lloj simboli i unitetit kombëtar dhe i mbrojtjes edhe i shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë. Ose që të shprehte edhe aspiratën e tij për një shtet shqiptar unik dhe tërësishëm. Është e vërtetë se ai, formalisht dhe publikisht, nuk pengoi ndonjë lëvizje nacionaliste në Shqipëri, e cila do ta merrte në konsideratë çështjen e Kosovës, por as e fuqizoi ndonjërën prej tyre. Më e keqja ishte se kundërshtarë të tij politikë, më të ashpër dhe më të papajtueshëm, u bënë pikërisht ata që dikur kishin qenë patriotë të mëdhenj, ndërsa tani nuk i miratonin politikat e tij kombëtare. Nuk ishte kjo luftë për pushtet, sikundër e paraqesin disa. Nuk vritej Bajram Curri në malet e Dragobisë për shkak se ai gjoja ia rrezikonte pushtetin Zogut në Tiranë. Më shumë duket se ishte një zotim i Zogut dhënë Pashiqit. Ç’i pengonte atij Hasan Prishtina, që ta vriste më 1933, në kohën kur ai tashmë kishte arritur stabilizim të plotë të pushtetit?

Me këto veprime kriminale dhe të përgjakshme, Zogu po bënte diçka tjetër shumë më të rëndësishme se ç’ishte vrasja e dy simboleve të Kosovës: e para dhe më e rëndësishmja, ai po ridimesiononte politikën e shtetit shqiptar ndaj Kosovës, që tani e tutje do të ishte politikë realiste dhe jo aventuriere, pra politikë e shtetit të vogël dhe të dobët dhe jo politikë e një kombi të frustruar; dhe, e dyta që po ashtu lidhet me këtë, ai, bashkë me të edhe shteti shqiptar, po i dërgonin mesazh Kosovës se Shqipëria, në asnjë rrethanë nuk do t’i rrezikonte interesat e saj, aq më pak ekzistencën e vet, për shkak të një idealizmi kombëtar, siç ishte tani përfshirja e Kosovës në të njëjtin shtet. Për kosovarët përfshirja e tyre në kuadër të shtetit shqiptar mund të quhej domosdoshmëri, mund të quhej luftë për jetë a vdekje. Për shtetin shqiptar kjo urgjencë e kosovarëve nuk kishte të njëjtin kuptim. Prandaj, Zogu dëshmoi se në këtë pikë, ai dhe shteti që përfaqësonte, ishin partnerë seriozë të fuqive të mëdha, të cilat kishin marrë vendime për këtë mënyrë të rregullimit të situatës ballkanike dhe donin që këto vendime të zbatoheshin dhe të ishin të qëndrueshme. Ai dëshmoi se këtë ridimensionim të politikës së tij ndaj Kosovës do ta çonte deri në fund, deri në zhdukjen fizike të oponentëve të saj./ Gazeta Liberale

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *