Aktualitet

Indeksi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Basha: Pasqyrë e korrupsionit

Shkruar nga Liberale
Indeksi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Basha: Pasqyrë e

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar indeksin e besimit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për 2019 sa i përket klimës së biznesit në Shqipëri.

Basha thotë se rënia që konstaton indeksi, është pasqyra e situatës ekonomike dhe korrupsionit që po gërryen ekonominë, largon investitorët dhe po mbyll vende pune.

Lideri demokrat thotë se biznesi ka nevojë për ndryshim të kësaj situate prandaj ai së bashku me PD do të kenë prioritet punësimin dhe zhvillimin ekonomik.

Ndërkohë në foton që ka publikuar Basha sqaron se zgjidhja është taksa e sheshtë 9%, e cila sjell edhe 5 risi, investime, punësim, ul informalitetin, rrit performancën dhe balancon konkurrencën.

Statusi i Lulzim Bashës:

Me shqetësim mësova përfundimet e raportit të Indeksit të besimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë AMCHAM për vitin 2019, ku regjistrohet rënia më e madhe e ekonomisë në 8 vitet e fundit.

Raporti është një pasqyrë e situatës ekonomike dhe e korrupsionit që po gërryen ekonominë, po largon investitorët, po mbyll vende pune e varfëron shqiptarët.

Konkurrenca e padrejtë, performanca zhgënjyese e ekonomisë, klima e përgjithshme e keqe për biznesin, niveli i lartë i korrupsionit, ekonomia joformale, burokracia, niveli i lartë i taksave dhe vetë qeveria me politikat e saj klienteliste janë pengesat më të mëdha për të bërë biznes në Shqipëri.

Unë i kam dëgjuar shqetësimet e përfaqësuesve të Dhomës Amerikane, dhomave të tjera të tregtisë dhe industrisë, të biznesit të vogël etj. E di se biznesi ka nevojë urgjente për ndryshim të kësaj situate, për zgjidhje që garantojnë konkurrencë të ndershme, lehtësi fiskale dhe përmirësim të klimës së të bërit biznes.

Bazuar mbi këto nevoja ne kemi hartuar një platformë ekonomike në të cilën parashikohet: Taksa e sheshtë 9%, eleminimi dhe thjeshtëzimi i lejeve dhe licencave, eliminimi dhe bashkimi i 18 taksave për të rimoduluar sistemin tonë fiskal. Njëkohësisht plani ynë parasheh dhe ristrukturimin e agjencive dhe institucioneve doganore, fiskale dhe të regjistrimeve. Më thjeshtë dhe më lehtë për të gjithë.

Për mua dhe PD punësimi dhe zhvillimi ekonomik janë prioritetet kryesore dhe për ta arritur këtë ne do ta bëjmë Shqipërinë vend tërheqës për investimet e huaja, do të fuqizojmë biznesin vendas dhe do të reduktojmë hapësirat për abuzim dhe korrupsion që sot po i marrin frymën biznesit në Shqipëri.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/3285022908215534

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH