Aktualitet

Inceneratori i Elbasanit/ 6.8 vite burg për Mërtirin dhe Zoton, Bllako i pafajshëm

Shkruar nga Liberale
Inceneratori i Elbasanit/ 6.8 vite burg për Mërtirin dhe Zoton, Bllako

Gjykata e Posaçme dha këtë të enjte vendimet për të pandehurite dosjes së inceneratorit të Elbasanit. Ish-sekretari i Ministri i Mjedisit, Alqi Bllako u shpall i pafajshëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” që i ishte ngarkuar nga SPAK, duke u bërë i vetmi nga 8 pandehurit që merr pafajësi nga gjykata.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është dënuar me 5 vjet e 8 muaj burgim. Ndaj Kokës, gjykata rrëzoi akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa e shpalli fajtor për veprat penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Për të pandehurit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, gjykata caktoi 6 vjet e 8 muaj burgim. Ata u shpallën fajtorë për veprat penale: korrupsioni aktiv dhe pastrimi i produkteve të veprës penale. Dënimi 4 vite e 8 muaj u dha për Stela Gugallian për të njëjtat akuza. Të tre janë ende në kërkim policor.

Dënime më të lehta u dhanë për katër ish-zyrtarët e tjerë të pandehur të çështjes. Me nga 2 vjet e 8 muaj u dënuan Pëllumb Abeshi dhe Jonida Zeqo. Serafin Pepa u dënua me 1 vit e 4 muaj burg, ndërsa Bardhyl Çabiri me 2 vite burgim. Për tre të fundit, gjykata vendosi lirimin nga qelia, pasi konstatoi se marzhi i dënimit është më i ulët se sa koha e kaluar në paraburgim apo arrest shtëpiak. Ndërsa Për Zeqon, që ka qenë nën masë sigurie arrest shtëpie, gjykata vendosi që ta kryejë në qeli pjesën e mbetur të dënimit.

Të gjithë të pandehurit përfituan nga gjykimi i shkurtuar.

Sa i përket shoqërisë që ka fituar koncensionin për ndërtimin e inceneratorit “Albtek Energy” sh.p.k, që sipas SPAK ka pronar faktik Mirel Mërtirin dhe administrator bashkëjetuesen e tij Stela Gugallja, gjykata vendosi të caktojë si dënim penal “mbarimin e personit juridik” të tyre dhe konfiskimin e pasurive të tyre. I njëjti vendim u dha edhe për kompaninë “Integrated Technology Services” me pronar Klodian Zoton, që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit.

Gjykata vendosi po ashtu konfiskimin e aksioneve në kantinën e pijeve “Kantina e Pijeve Gjergji Kastrioti Skënderbeu” në pronësi të Lefter Kokës në vlerën e mbi 3 milion eurove – vlerë që është gjykuar ekuivalente me shumën monetare të përfituar prej tij përmes korrupsionit.

Sipas SPAK, zyrtarët e qeverisë dhanë një koncesion me prokurim pa shpallje duke përdorur një metodë prokurimi të paparashikuar në legjislacionin e prokurimeve publike.  Prokuroria thotë se dy kompanitë e inceneratorit të Elbasanit, Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Services” kanë paguar rreth 329 milionë lekë fatura për punë të pakryera, skema përmes të cilës dyshohet se Lefter Koka ka përfituar paratë e korrupsionit.

Vendimi për dosjen e inceneratorit të Elbasanit vjen një javë pas atij për inceneratorin e Fierit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH