Aktualitet

“In Memoriam”/ U nda nga jeta shkencëtari dhe mjeku i shquar, Ahmet Kamberi

Shkruar nga Liberale
“In Memoriam”/ U nda nga jeta shkencëtari dhe mjeku i shquar,

Më 2 tetor u nda nga jeta prof. Ahmet Kamberi, një personalitet i shquar shumëdimensional i botës mjekësore dhe shkencore shqiptare.

Si mjek dhe shkencëtar me eksperiencë, prof. Kamberi përmbylli një karrierë 62-vjeçare në kujdesin mjekësor. Ai nuk iu nda profesionit dhe shkencës deri në fund të jetës, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e kardiologjisë shqiptare dhe më gjerë.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Komisioni i mjekësisë pranë saj i shpreh ngushëllimet familjes dhe komunitetit shkencor për humbjen e mjekut të shquar prof. Ahmet Kamberi.

Prof. Ahmet Kamberi ishte një veprimtar i shquar publik. Ai ishte, së pari, një mjek i palodhur që në një periudhë më tepër se 60-vjeçare dha një kontribut të rëndësishëm, jo vetëm në trajtimin e mijëra pacientëve, por edhe në zhvillimin e sistemit shëndetësor shqiptar.

Si mjek dhe shkencëtar me eksperiencë, ai nuk iu nda profesionit dhe shkencës deri në fund të jetës, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e kardiologjisë shqiptare dhe më gjerë.

Ai ishte gjithashtu një drejtues dhe administrator i zoti i sistemit shëndetësor shqiptar, që filloi reformat në këtë sistem, kur kushtet politike për këto reforma ishin pothuaj të pamundura.

Profesor Kamberi do të kujtohet gjithashtu edhe si një veprimtar shoqëror në shumë drejtime, si dhe një publicist me një penë të hollë, të cilën e vuri në përdorim të interesit publik.

Biografi e shkurtuar

Ahmet Kamberi, mjek specialist kardiolog, diabetolog dhe për sëmundje të brendshme, profesor. U lind në Peladhi, rrethi Bulqizë, më 13 gusht 1940. Mbaroi Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës  në korrik 1961. Punoi 10 vjet në Peshkopi. U specializua për sëmundje të brendshme në spitalin klinik nr. 1, Tiranë, si dhe për kujdesin koronar intensiv në Stokholm, Suedi dhe për diabetologji në Paris, Francë.

Punoi si kardiolog dhe nëndrejtor teknik i Klinikës Speciale, Tiranë; drejtor i Klinikës Speciale, ministër i Shëndetësisë dhe kryetar i Komisionit Shtetëror të Mbrojtjes së Mjedisit, nënpresident i Komitetit të 39- të OBSH-së për Rajonin e Europës, Paris 1989

Ishte deputet në Kuvendin e parë pluralist të Shqipërisë dhe kryetar i Komisionit për të drejtat e njeriut e pakicave etnike, profesor në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë, themelues i “Revistës shqiptare të kardiologjisë”, President i Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë, anëtar i Shoqatës Europiane të Kardiologsjisë (ESC) dhe koordinator i saj për Shqipërinë; anëtar i Komitetit të vlerësimit të abstrakteve të paraqitura në Kongreset e ESC-së. Doli në pension në shtator 2008. Punoi në profesion të lirë në specialitetet e tij deri në fund të janarit 2023, duke përmbyllur një karrierë 62-vjeçare në kujdesin mjekësor. Është autor i pesë protokolleve shkencore; autor dhe bashkautor i mbi njëqind artikujsh në revistat mjekësore shkencore shqiptare, europiane dhe amerikane; autor i 54 referimeve në konferenca shkencore shqiptare e ndërkombëtare; bashkautor i librit “Sëmundjet e Zemrës”; autor i librit “Pacienti ynë i veçantë”, “Po demokracisë, jo domekraturës”, si edhe autor i disa tregimeve letrare. Mban titullin FESC për merita profesionale, mban urdhrin “Flamuri i Kuq i Punës” të klasit të dytë dhe “Flamuri i Kuq i Punës” të klasit të parë për kontributin profesional e shkencor dhe për drejtimin e zhvillimin e shëndetësisë. Mban titullin “Nderi i Qarkut të Dibrës”.

Kujtimi i profesor Ahmet Kamberit si mjek, shkencëtar, publicist dhe veprimtar i shquar do të mbetet i paharruar.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH