Teleskopi Hapësinor James Webb ka shikuar në zemër të galaktikës, Rruga e Qumështit, duke zbuluar veçori dhe mistere të reja që mund të ndihmojë astronomët të zbulojnë më shumë detaje rreth universit.
Aftësia e observatorit hapësinor për të parë universin në dritën infra të kuqe, e cila është e padukshme për syrin e njeriut, kapi detaje të papara kurrë në imazhin, të publikuar nga NASA të hënën.
Astronomët përdorën Webb-in për të parë Shigjetarin C, ose Sgr C, një rajon aktiv i formimit të yjeve që ndodhet rreth 300 vite dritë nga vrima e zezë supermasive qendrore e galaktikës Shigjetari A* . Një vit dritë , i barabartë me 5.88 trilion milje (9.46 trilion kilometra), është sa larg përshkon një rreze drite në një vit.
“Imazhi nga Webb është mahnitës dhe shkenca që do të marrim prej saj është edhe më e mirë,” tha Samuel Crowe, hetuesi kryesor i vëzhgimeve dhe njëkohësisht student në Universitetin e Virxhinias, në një deklaratë.
“Yjet masivë janë fabrika që prodhojnë elementë të rëndë në bërthamat e tyre, kështu që t’i kuptosh më mirë ato është si të mësosh historinë e origjinës së pjesës më të madhe të universit.”, shtoi ai.
Studimi i qendrës së Rrugës së Qumështit me Webb-in mund të sigurojë njohuri se sa yje formohen atje dhe nëse yjet masivë kanë më shumë gjasa të formohen pranë qendrës galaktike sesa krahëve spirale të galaktikës.
“Nuk ka pasur asnjëherë të dhëna infra të kuqe në këtë rajon me nivelin e rezolucionit dhe ndjeshmërisë që marrim me Webb, kështu që ne po shohim shumë veçori këtu për herë të parë,” tha Crowe.
“Webb zbulon një sasi të jashtëzakonshme detajesh, duke na lejuar të studiojmë formimin e yjeve në këtë lloj mjedisi në një mënyrë që nuk ishte e mundur më parë.”, shtoi Crowe. / Përshtati A.M, Liberale.al