1

Im bir Bores

               Publikuar në : 10:15 - 17/04/21 liberale

Vladimir Myrtezai

Në një prej shërbimeve online, zakonisht ndjek struktura dhe ecejake të të menduarit të atyre lloj subjektesh që rriten rëndom në rrethinat e artit, dhe synoj që të marr në avancë thjerrëza të shkëputura në trajtë fragmentesh, dhe kështu orvatem të kuptoj fizionominë dhe rrjedhën plotësuese të karakterit të tyre.

Njëri syresh, një fotograf, kish hedhur një foto të një shoqeje të tij, dhe si me kast, për t’i dhënë shenjë se e ndjek, i bëra një koment të shkurtër: “Ç’është ky portokall?” Ngaqë fotoja qe përpunuar me kujdes e pasion, nëse do duhej shëmbëllyer me një gjësend, mund të ishte ngjashmërisht një frutë ose një llambadar, që shumë artistë lakmojnë për t’i përdorur disi në veprat e tyre. Për çudi, si me rrëmbim pashë një reagim shumë të shkurtër të një miku, që iu përgjigj ngasjes time dhe replikoi:Jemi “Ne!” Më shkurt se kaq nuk kish se si bëhej ndryshe, për të më shkundur si thjeshtim i gjithë asaj që stimuloja në lojën me fotografin ,mikun tim.

Në këtë e sipër, ajo “ne” që ndërlidh breza, me të cilën u identifikova aty për aty, më solli në mendje rrëmbimthi tim bir Boresin dhe vajzën time Noelin, dy fëmijët e mi që, nga natyra kursimtare për figurat që më shërbejnë shpesh, nuk do i kisha parë tamam si një frutë. Duke iu dhënë përsiatjeve, në rrekje e sipër, shpesh ne harrojmë në shtresat e përziera të njerëzve të shtëpisë të mos kemi një projeksion të gatshëm e të qëruar, sepse ata humbasin fuqinë e imagjinatës, për faktin se bashkëndajmë shumëçka krejt afër. Por, gjëja më sublime që ne ndajmë si pa e kuptuar sa duhet është vetë jeta.

Pleksja për të bërë një skicë të një njeriu të afërt, një krah, një fragment dore apo një profil të hedhur shkrifët, nga dashja për ta ndaluar si një çast që ka të bëjë me tharmin e sendeve të vyera, që i marrim si me dorë dhe i vendosim në një pemë imagjinare jete, dhe pikërisht për këtë i lëmë në harresë, vetëm sa kalojmë fizikisht herazi buzë tyre.

Përshkrime të tilla nga afër, si në libra, janë të rralla me pavullnetin për të mos rrezikuar kurthin që ngremë vetë, për të rënë brenda nga shajnia e afrisë – edhe kjo më tërheq.

Si vozitës i lirë dhe jashtë skemave, më duket se çelësi për të qenë i hapur ndaj gjërave që na vënë në lëvizje po funksionon, dhe kjo sikur më lehtëson, duke më dhënë gazmimin e një qenieje instinktive, që ma zhbën butë formën e të jetuarit, pa e vrarë mendjen se është zgjedhja më e mira në përpjekjen e hajthme të fjalës. Në fund të fundit, fjala fjalë mbetet.

Që të përmbushja mungesën e pikturimit të tim biri, më dukej më e çiltër që zëri im i brendshëm do sfidohej në kohë me vetë rritjen e tij, si dashuri që sublimohet e larmishme me moshën, por që mbetet përherë dashuri.

Nuk është një rrëfim sentimental dhe i kushtëzuar nga rrjedha thjeshtë e lidhjes at e bir. Është një lloj rrëfimi që ngrihet në këmbë si çdo gjallim i bashkuar në kohë mbi tokë. Një gjë e heshtur që akumulohet nga vëmendja dhe dashuritë që i konservohen në bashkëshoqërim.

Raporti me tim bir është diçka më e ndryshme se një akt i thjeshtë sjelljeje, që formatohet nga kujdesi i ngulët dhe leximet formuese për një rritje të mbarë, që më shumë se çdo gjë skematizojnë, duke i bëra gjërat të parashikueshme, gjë që nuk mund të ngjasë kurrë me njeriun.

Nuk është as forma e një ditari që teshtin e shthuret nga miklimi i një të ardhmeje të projektuar në formë dokumenti.

Boresi, im bir, është në një mënyrë qasjeje si forma e panjohur e fëmijërisë sime, që rreket të përsëritet në paralele ngjashmërish, që më detyrojnë të rijetoj gjendje të humbura në grykën e madhe të harresës, që për fat të keq ka ende vëmendjen të ruhet e të vëzhgohet me të njëjtin interes që bëja me plakjen dhe ikjen nga kjo jetë të vetë prindërve të mi – është po e njëjta gjë, por në kahe të ndryshme dhe e mbushur me shumë lëndë të kundërt. Ka vetëm një pikë simetrike ku takohen të dyja kahjet, por me qëllime të kundërta: në ritëm dhe në njëfarë trajte lëvizëse harkore, e ngjashme me një sferë, ku në lindjen e njërit sapo ka perënduar vetë simbioza e të njëjtës strukturë: paraardhësi fare i ngjashëm i tij, dhe ky fakt është tmerrësisht impresionues; jo për faktin e dinamikës, por për një tjetër risi zbuluese të ironisë së jetës: kur përsëritja jote ndjehet e përtërirë dhe shfaqet në një formë jo krejtësisht të përputhur, por ngjashmërisht bukur, si një jehonë në kujtesën pamore; dhe një frymëmarrje e zhveshur nga pikat konvencionale, tejet të mbushura me fjalë nga bota e njerëzve dhe nga veshjet e marra nëpër gojëdhënat e tyre.

Pra, im bir quhet Bores, një përflakje kujtimore në peshën e veprës se një poeti dhe eseisti mjaft të afërt për mua, argjentinasi i patëdytë Borges. Krejt marrëzisht, nganjëherë tentojmë të projektojmë një emërtesë gjallimi njerëzor, duke marrë me mend e duke mbajtur qëndrime disi të përmallura me realitete njerëzish e veprash që qëndrojnë çuditshëm përreth.

Vendosja e një emri më është dukur gjithherë një shenjë me bojë, ose një vizatim i pafajshëm i shëmbëllimit atëror, duke nënkuptuar në njëfarë mënyre përcaktimin e shtysës, ose vrundullin e erës së fatit, që mund t’i shkaktohej një ndërgjegjeje krejt të pafajshme në trajtë parashikimi të mbyllur në përmbajtje.

Vendosja e emrit të tim biri ka të bëjë me dobësitë e një udhëtari të zakontë, ku me kurajë tenton të mbyllë në një shumë germash një kuptim rrezatues e të lirë, ku me dashuri shtrënguese projekton gati të gjithë formën komplekse ndaj qenies së gjallë e të pafajshme që vjen në jetë. Nga një distancë dhjetëvjeçare, emri i tij pothuaj po humbet kuptimin nga ku mori shkas, dhe s’ka më asnjë shenjë me referencën jetësore të vetë Borges-it, por në mbjelljen e emrit të tij ka vazhdimisht një shpresë, që rritet mes pasigurisë dhe kujdesit se do mund të ketë një prerje të segmentuar dhe fatale që do kish të bënte me personalitetin e tij krijues. E kush mund ta dijë…? Në këtë vijëzim, unë ndjek përfytyrimin ndaj një qenieje humane që e hedh në aventurën e mbjelljes, i favorizuar nga imagjinata për një shkulm të bashkuar trupash e tharmi si eksperiment njerëzor.

Por, qenia që rritet para syve të mi është një lëmsh fryme e mishi, që sa vjen e largohet nga imagjinata e parë. Humbet krejtësisht terren ajo kapriço e germëzuar mbi famën e tjetrit. Ky përbashkim fryme ka nxjerrë këmbë dhe po vetëvizaton me shpejtësi një pamësi, që të nxit ta ndjekësh pa i rënë në sy, si një rënie e vagullt në një tërheqje që s’të lëshon më. Kjo është një sindromë, ose një formë e paparashikuar për të gjithë ata që sundohen nga e pavetëdijshmja e riprodhimit të vetvetes. Nuk e di…

Dhjetëra emra fluturonin në kokën time disa ditë para se të vinte në jetë Boresi, nga ato fluturimet që nuk do doja ta lëndonin kur ai të rritej, dhe me shpresën se do i qëndronte me dinjitet një lloj emri, që për të atin në atë kohë bënte kuptim, dhe në njëfarë mënyre ishte një sinor i hajthëm përvoje në akord me një personazh në zë.

Asnjëherë nuk do mund ta shpjegoja këtë lidhje që i ngjante vetë ripërtëritjes së gjallimit njerëzor, ku përfytyrimet dhe stacionet e mbyllura në përmbajtje të emrave mund t’i ngjanin vetë rrotullimit mes atyre që na lënë dhe atyre që janë në pragardhje. Një akt i pakapshëm, por krejt logjik, që në arsyetime të kallura mund të çlirojë ndjenja që kanë të bëjnë me këtë litar të arnuar të jetës së dukshme mbi tokë.

Me mijëra njerëz ishin në këtë shkallare të ripërtëritjes njerëzore, kaq e përsëritur, dhe po kaq e tillë në pikën e projektimit dhe zhbërjes, duke ndërtuar jetët e tyre në këtë litar human.

S’e kisha menduar kurrë që një gjallesë do mund të mëkëmbej sa mbyll e çel sytë, por ja që kështu më duket me tim bir, pasi në fshirjen e madhe të mbivendosjes ai djeg me shpejtësi gjurmë të mëparshme me rritjen e tij të shpejtë. Më duket sikur ai nuk vë re asgjë, por në të njëjtën kohë dyshoj që ai shtresëzon çdo gjë që i kalon përpara, nga ato situata që i dalin në formë reagimesh naive, që në të shumtën më lënë pa frymë, dhe ky është një moment tronditës – se si një trajtë e paformë, dalëngadalë fillon të bëhet pjesë e vetë gjykimit tim. Fantastike edhe për shkak të karakterit të tij të nëndheshëm dhe mënyrës se si instinktivisht ngre krahë mbrojtës karshi gjërave që është i varur.

Grimca të vogla që ndërtojnë jetën, si pikëlima drite, që e bëjnë një udhëtim të thjeshtuar jete si oazë për prehje, më i rëndësishëm se angazhimet e mëdha në dukje të njerëzve.

Dritëza të tilla, si të pakujdesshme, që nuk ke pasur kohë t’i mbledhësh në sirtarët e kohës, sepse ke qenë i zënë me ecurinë e rritjes tënde. Ja pse jam sot para një të papriture që më sjell në hetimin tim si të fajshëm nga pakujdesia për brazdat e humbura nga kjo pasiguri, për atë çfarë duhet në një tjetër kohë. Forma e përsëritjes, prej mishi e gjaku, dhe disa tipare të marra sa andej-këndej nga ky përbashkim gjinor, e bëjnë tim bir (në një trajtë ende të pazbuluar shenjash) një personazh që hyn e del në vetëdijen time herë si rrjedhje kohe, herë si një angazhim i ngulët kurioziteti, pse jo dhe dashurie që nuk nënvizohet.

Ende në trajektoren e rritjes së tij nuk ke se çfarë merr për t’u ndërtuar, por shenjëzat e padukshme dhe format reaguese të tij janë ngazëlluese.

Kunjëzat e para të protestës duken te reagimet e fshehura ndaj çdo mbingarkese të padukshme dhune që unë shfaq në rolin e rregullatorit të rendit të lëvizjeve që ai dëshiron të bëjë i lirë e pa mbikëqyrje. Më fanepset vetvetja si kundërshtari më i madh i babait në të gjithë larushinë e shprehjes e të kujdesit atëror që ai sublimonte. Një lloj çlirimi valësh, që më shumë më veleriste e më dobësonte në pozicionin e falur e të privilegjuar në hierarkinë e tij. Një gjë e tillë më bënte të plogësht, dhe të gjitha betejat më dukeshin të fituara falë dobësisë që ata kishin për mua. Në të njëjtën trajtë risillet Boresi me disa ngjyrime karakteri shumë në akord me naivitetin e tij, por që derdhet në atmosferë si një substrat i përsëritur nga një film i parë shumë vite të shkuara.

Një mbivendosje që shkulmon kohën dhe e kthen gjithë gjuhën e komunikimit në një transhendencë, pa kohë e pa vakt, si një shfaqje mbërthyese.

Boresi nuk i ngjau një halli apo pamundësie që të vinte në jetë si përbashkimi i dëshirave mes nesh. Jo. Hyjnia sjell në formë arketipore rindërtimin e një udhëtimi kontravers për nga gjeneza, si një rregull dhe rend njerëzor. Por, gjithsesi, në të gjitha hartat e fantazisë, im bir ishte një gjë krejt veç. Premisat përsëritëse mot a mot nuk kishin të ngjarë të përputheshin, sepse natyrisht ai vjen në cikël në kushte krejt të tjera dhe në një vargëzim marrëdhëniesh krejt të ndryshme. Por, gjithsesi më duket se po ndodh e njëjta gjë, si një dyzim i përpiktë.

Gjuetia e heshtur e të atit për gjallesat e riprodhimit të tij, pa e fshehur është një shtrirje e gjallë e njeriut në lirinë e pezmit pushtues, e ngjashme me egon në themel të njeriut, e vjetër dhe e hershme dhe mjaft ngasëse në emocione, që më shumë shkenca sesa arti do e kish zili deri në asgjësim pastaj.

Një trajtë lakuriqësie e pambuluar dot nga asnjë lloj veshjeje justifikuese. Të tilla veshje janë gjithnjë justifikuese. Formë e shpërndarë lirë e në tonalitete jete njerëzore, që nën dritën e verdhë të ndërgjegjes mund të zhbënin shumë formulime të jashtme që kanë të bëjnë me projeksionin racional të njeriut. Pikërisht për këtë nënshtresë të pakontrolluar ndjehem i burgosur në pamundësinë çnjerëzore për t’u shkëputur, si një emblemë, përjashta këtyre ganxhave të padukshme që e rrethojnë qenien.

Shpesh kam dyshuar që përveç krijimit riprodhues, e gjithë pjesa tjetër e një qenieje është projeksion mes utilitares dhe paracaktimit që bëri njeriun. Edhe dashuria për qenien në lloj më është dukur si formë e tillë, e pashqitshme; të tjerat janë volume, thirrje gjaku, përshtatshmëri, aleanca të instinktit, mbijetesë e kështu me radhë.

Takimi i përsëritur i qenies merr një përkufizim që e personalizon atë në kohë me ngjyrime konvencionale, që e veçuan me autenticitet, si një tjetër hallkë e dukshme që përkufizon dhe përkufizohet njëherësh.

Boresi dhe Noeli janë dy trarë të lehtë, që e ndihmojnë rritjen e tyre përmes pasqyrës atërore, dhe kjo është një lojë e përsëritur, e vjetër sa bota. Më duket shpesh që koha bëhet dyst nganjëherë, në kuptimin e ngurtësisë, që së brendshmi nuk bie dakord me atë që kalon tavanin e saj sfidues, që sidoqoftë është një sfidë që duhet ta përballojmë; fjala vjen, përmes artit.

Një fakt i thjeshtë për të parë në sy se si e ke të pamundur ta ndalosh për t’i vënë në ballë çmenduritë dhe forcën që ke, ngaqë është një mekanizëm që nuk i ngjan mekanizmit krijues. Rrekja për të ngritur në këmbë një skicim mbi një formë dashurie në rritje, ndoshta mund të jetë e gabuar, por rrethimi me fjalë i një çasti mbase mund t’i ngjajë formës së kohës së ndaluar, si atmosferë e rrethuar me fjalë, që në një tjetër kohë mund të shëmbëllejë me mallin, apo me një shkresë verbale si parashikim në nisje të një fundi që mbetet i parashikueshëm. Mund t’i ngjajë një testamenti dashurie, në formë arkivi, që mban të lidhur mendjen dhe ushqen shpirtin me kujtesë për zanafillën. Ajo çka ndryshon mes brezave është e parëndësishme e kalimtare; kurse ajo që mbetet është nevoja e çdo qenieje për t’i dhënë një përgjigje bindëse fatit që përmbushet në çdo sekondë, pavarësisht nga ne./Gazeta Liberale

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back