Aktualitet

Iljazaj: Institucionet i ka shkatërruar politika, jo protestuesit

Shkruar nga Liberale
Iljazaj: Institucionet i ka shkatërruar politika, jo protestuesit

Analisti, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, Ervis Iljazaj, ishte i ftuar në A2 nga ku komentoi zhvillimet e ditëve në fundit në vend, me protesta që shpeshherë janë shoqëruar në përplasje me policinë, pas vrasjes së 25-vjeçarit, Klodian Rasha.

Iljazaj u shpreh se të rëndësishme në këtë situatë janë kërkesat e protestuesve dhe jo se kush janë ata. Ai thekson se pas vrasjes së Klodian Rashës duhet të ishin dorëhequr drejtuesit e policisë dhe jo ministri Lleshaj.

“Ne e kemi zakon të merremi se kush janë protestuesit dhe çfarë artikulojnë protestuesit. Çështja është nëse kërkesat e tyre janë të duhurat apo jo. Protestat lindin nga një kërkesë specifike dhe më pas zgjerohen. Unë gjykoj se vrasja e të riut është një gabim teknik. Në këtë kuptim, unë gjykoj se më normale do të ishte shkarkimi i drejtuesve të policisë dhe jo i ministrit. Kjo ishte më shumë një përgjegjësi teknike, operacionale. Dorëheqjen e Lleshajt, kryeministri e ka menduar si një shkarkim rryme elektrike, duke menduar se ka një akumulim pakënaqësish rreth këtij ministri. Veprimi është tërësisht politik”, tha Iljazaj.

Më tej, ai u shpreh se emri i ministri të ri të Brendshëm është shumë i rëndësishëm, ndërsa theksoi se për të do të ishte më mirë një grua pas Lleshajt.

“Është shumë e rëndësishme se kush do ta zëvendësojë Lleshajn, pasi situata është shumë e acaruar dhe jemi në prag të zgjedhjeve. Besoj se kryeministri nuk do ta ketë të lehtë për emrin e ri, pasi në mes ka interesa politike. E rëndësishme është që ministri i ri të marrë problemet e akumuluara. Unë mendoj se ministri i ri do të përqendrohet te zgjedhjet dhe nuk do të zgjidhen problemet në polici. Unë do të preferoja një grua në krye të Ministrisë së Brendshme. Ne kemi krijuar një perceptim që ministri i rendit duhet të ketë një temperament të fortë, madje shpeshherë ministrat që kemi pasur janë ata më “çapkënët” e politikës. Duhet ta ndryshojmë këtë filozofi. Unë gjykoj që vendosja e një ushtaraku në krye të Ministrisë së Brendshme ishte një gabim nga ana e kryeministrit”, u shpreh pedagogu i UET.

Ervis Iljazaj u shpreh, më tej, se institucionet në Shqipëri janë shkatërruar nga politika dhe jo nga protestuesit.

E kam dëgjuar shpesh në ditët e fundit se protestuesit po shkatërrojnë institucionet. Por, duhet theksuar fort se institucionet në Shqipëri i ka shkatërruar politika dhe jo protestuesit. Fakti që Shqipëria ndodhet pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, fakti që ne akoma nuk kemi arritur të kemi një pushtet gjyqësor të pavarur, nuk është faji i protestuesve, por i politikës. Një nga arsyet që protestojnë këta qytetarë është fakti se këtu janë shkatërruar institucionet. T’i thuash protestuesve se po shkatërrojnë institucionet është një absurditet”, u shpreh Iljazaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH