Aktualitet

Iliro-shqiptarët në dy mijëvjeçarët e fundit, e drejta dhe historia

Shkruar nga Liberale
Iliro-shqiptarët në dy mijëvjeçarët e fundit, e

Kolana UET PRESS- 15 vjet

Titulli: Organizimi politik në trojet shqiptare

Autor: Ksenofon Krisafi

Akademik i assoc. prof. dr. Marenglen Verli

Vjen një moment dhe një shtysë e brendshme i nxit njerëzit e botës së letrave të përmbledhin e të botojnë arritjet e tyre më të fundit në vëllime të veçanta. Është ky një finalizim i bukur me vlerë për studiuesit dhe lexuesit e ndryshëm, por edhe sadisfaksion për autorin. Një punë të kësaj natyre na jep edhe prof. dr. Ksenofon Krisafi në këtë botim me titullin Organizimi politik në trojet shqiptare. Studimet e këtij libri janë të karakterit të mirëfilltë juridiko-ndërkombëtar dhe juridiko-kushtetues dhe aty dallohen menjëherë aftësitë e spikatura të autorit në fushën e vet të ekspertizës. Autori është specialist i kualifikuar i teorisë juridike, por njëkohësisht edhe njohës shumë i mirë i historisë, veçanërisht i historisë diplomatike të çështjes shqiptare dhe historisë së shtetit dhe së drejtës në Shqipëri, çka i ka dhënë mundësinë që, nëpërmjet analizës së gjithanshme të dokumentacionit të gjerë dhe studimeve që pasqyrojnë ngjarjet e ndodhura në trojet shqiptare, të gjurmojë dhe të qëmtojë në to elementet me karakter juridik, për t’i përdorur në funksion të identifikimit dhe përshkrimit të zhvillimeve institucionale e legjislative të iliro-shqiptarëve në dy mijëvjeçarët e fundit si dhe të ardhmes politike të shqiptarëve.

Prof. Krisafi thotë se për historinë ka vetëm pasionin dhe nuk pretendon të hyjë në parcelën e historianëve për t’iu bërë sfidë atyre. Por me njohuritë e veta në këtë fushë ka kontribuar për të ndriçuar aspektet juridike të formacioneve parashtetërore apo shtetërore, të krijuara në trojet ilire dhe më pas në ato shqiptare. Mund të thuhet se ia ka arritur me sukses që, me pak “lëndë të parë”, me fuqinë e një imagjinate të mbushur me profesionalizëm, mbështetur edhe në zhvillimet analoge në vendet fqinje me karakteristika të përbashkëta ose të afërta, ta thotë fjalën e vet për çështje delikate dhe të ndërlikuara të profilit juridiko-institucional. Me pathosin e një “paleontologu”, ka ditur që, mbi vakuume të ndjeshme të rindërtojë struktura të plota, duke sjellë përfytyrime të besueshme për shtetin dhe të drejtën që ka ekzistuar te ilirët, më pas në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në ditët e shpalljes së pavarësisë dhe në vijim. Autori nuk pajtohet me etiketimet e autorëve të huaj për shtetin e ilirëve, si shteti i piratëve dhe për ilirët për njerëz si pa aftësi organizative, politike dhe shtetformuese, të cilët nuk dinin gjë tjetër veçse të plaçkisnin dhe të rronin me të ardhurat e piraterisë. Ai argumenton se pirateria ishte një fenomen i përhapur gjerësisht në rajonin e Mesdheut që ndeshej  edhe te kretasit, fenikasit, grekët dhe etruskët, prandaj nuk mund të veçohen dhe të paragjykohen ilirët, aq më tepër që jetonin përgjatë një bregdeti  të konsiderueshëm, që lagej nga Adriatiku dhe Joni  dhe që kishin në dispozicion një flotë të madhe të dominuar nga liburnet e shpejta dhe lehtësisht të manovrueshme. Por, nuk mund të thuhet që shteti ilir ishte ngritur dhe funksiononte mbi bazën e piraterisë. Ata, sikurse fqinjët përreth tyre, patën zhvillime të rëndësishme në ekonomi, në organizimin e brendshëm politiko- shoqëror, të cilat  i dhanë shtysë organizimit dhe progresit të shtetit, që kishte në krye mbretin, kishte aparatin administrativ, ushtrinë, drejtësinë dhe gjykatat, financat, sistemin e nevojshëm normativ në formën e një të drejte të zhvilluar brenda kontureve të kohës etj. Autori, thekson se shteti i kësaj periudhe nuk duhet të konceptohet si një mekanizëm i përsosur, në kuptimin e sotëm të fjalës. Shteti ilir ishte në stadin foshnjor dhe i kishte të freskëta gjurmët e komunës primitive. Ruante traditat demokratike që e kufizonin deri në një farë mase pushtetin e lartë shtetëror. Por sidoqoftë, shteti dhe aparati që përbënte aksin e tij themelor, kishin tiparet thelbësore të një mekanizmi shtetëror, aq sa ndonjë autor, sikurse ishte Evans, të cilit i referohet edhe prof. Krisafi, shprehte bindjen se ilirët kishin institucione të përparuara për kohën.

Të njëjtën gjë ka bërë autori edhe kur trajton historikun e zhvillimit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, zanafillën e të cilës e gjen në vitin 1878, në kohën e ngjarjeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në studimin me titull Gjykata e Lartë e Shqipërisë, një histori mbishekullore, ai guxon të rishikojë, pikëpamjen mbizotëruese në literaturën historiografike shqiptare, që mbron tezën se historia e sistemit gjyqësor shqiptar në përgjithësi dhe e Gjykatës së Lartë në veçanti, ka si pikënisje veprimtaritë e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Në kuadrin e ndërtimit të shtetit të pavarur shqiptar ato morën një farë forme më 10 maj të vitit 1913, kur u miratua Kanuni i Zhurisë, datë që konsiderohet edhe si dita e drejtësisë shqiptare. Autori nuk e mohon rëndësinë e reformave të kësaj periudhe, por analiza e masave të marra nga organet drejtuese të Lidhjes së Prizrenit, 35 vjet përpara vitit të Shpalljes së Pavarësisë, përkatësisht e legjislacionit bazë të miratuar prej tyre, veçanërisht e dy prej akteve themelore, Kararnamesë dhe Talimatit, për të duhet të konsiderohen si aktet e para kushtetuese të Shqipërisë autonome. Ndërtimi i institucioneve shtetërore nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ka zgjuar kureshtjen e prof. K. Krisafit për të gjurmuar më tej veprimtarinë e Lidhjes në ndërtimin e gjyqësorit. Në Programin e shtatorit të 1878-ës, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sipas tij, gjendet edhe kompetenca e rëndësishme e Këshillit të Madh, për të zgjedhur organet e larta të gjyqësorit që do të vepronin në Shqipërinë e asaj kohe, Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme shqiptare. Në dokumentet e Lidhjes si dhe në raportet e përfaqësuesve të huaj përmendet emri i kryetarit të të parës Gjykatë të Lartë shqiptare. Autori tregon me fakte dhe argumenton se në trevat shqiptare ishte ngritur dhe vepronte një sistem gjyqësor paralel me atë osman, madje në disa nga qendrat ai e zëvendësonte atë krejtësisht. Në dispozicion të tij ishte një korpus normash juridike me karakter origjinal, penal ose civil.

Në studimin tjetër të titulluar Pozita juridiko-ndërkombëtare e Shqipërisë pas Konferencës së Ambasadorëve deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore, autori ndalet dhe konturon një arkitekturë zhvillimesh politike, sociale, ekonomike, juridike etj në Shqipërinë e pavarur, pas nëntorit të vitit 1912. Të gjitha këto i ka trajtuar në shërbim të dizenjimit të statusit juridiko-ndërkombëtar të Shqipërisë, të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, i cili ishte i ndryshëm në krahasim me atë që përcaktoi Kuvendi Kombëtar i Vlorës. Duke i parë ngjarjet e ndodhura dhe produktet e tyre politike, ekonomike, sociale, administrative, juridike etj., nën këndvështrimin e kompetencës së tij profesionale juridike, ai vë në dukje dallimin thelbësor ndërmjet shtetit të pavarur, të lirë dhe pa detyrime juridiko-ndërkombëtare, të dalë prej Kuvendit të Vlorës dhe shtetit të përcaktuar në Londër nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha, vasal të Turqisë, më 17 dhjetor 1912, ose si shtet autonom, më 29 korrik 1913, të ngarkuar me “barrë” hipotekore, me kapitulacione, me statusin e neutralitetit, madje me kryetarin e shtetit dhe strukturat shtetërore të importuara nga “bota e jashtme”. Autori pohon se statusi i përcaktuar në  29 korrik, në Londër, ishte në kapërcim të koncepteve juridiko-ndërkombëtare të kohës. Në vend të fjalës “shtet”, e cila  nuk përmendej në asnjë nga dispozitat e tij ishte përdorur termi “principatë”, që krijonte përshtypjen se Fuqive të Mëdha nuk ua “nxinte goja” fjalën “shtet” për Shqipërinë e asaj kohe.

Me interes të veçantë janë arsyetimet me karakter të konsoliduar juridik në përshkrimet dhe vlerësimet e ngjarjeve dhe të statusit të projektuar për Shqipërinë, nga diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe të deklaruar në forumet e organizuara në fundin e Luftës së Parë Botërore. Autori shpreh keqardhjen për qëndrimet sistematike jo miqësore të qarqeve politike të fqinjëve dhe protektorëve të tyre, si dhe vlerëson me homazhe mirënjohjeje kontributin e juristëve, diplomatëve dhe politikanëve të shquar britanikë, Robert Sesil dhe Njuton Rouell, të cilët me argumente të fuqishme juridiko-ndërkombëtare, i dolën në krah popullit shqiptar, në ato ditë të vështira.

Prof. K. Krisafi në këtë botim bën një trajtim vertikal në kohë, duke u ngjitur nga lashtësia ilire drejt të ardhmes politike të pasardhësve të tyre, shqiptarëve. Ndodhitë historike shikohen në rrafshin kronologjik dhe tematik, por gjithmonë në një optikë mjaft interesante juridike. Pasi është përpjekur të rindërtojë dhe të paraqesë shtetin dhe të drejtën që kishin projektuar dhe kishin arritur të realizonin ilirët, ai ka nisur një rrugëtim të gjatë nëpër shekuj, nga lashtësia drejt ditëve tona, për t’u ndalur në pjesën e fundit të librit të vet, në të ardhmen politike të shqiptarëve, duke hamendësuar dhe arsyetuar në vështrimin juridiko-ndërkombëtar, se ç’do bëhet me ta në kohët e mëpastajme, në shekujt që do të vijnë. Është kujdesur që të prekë dhe të ndalet shkurt në disa nga ato çështje që janë pjesë e kësaj ecurie, në ato ku ai jo vetëm ndjehet i familjarizuar, por edhe që i konsideron si kruciale në zhvillimet politike që kanë përshkuar trojet iliro-shqiptare.

Autori është përpjekur gjithashtu që çështjet, të cilat i ka marrë në shqyrtim, t’i analizojë dhe t’i vlerësojë edhe në drejtimin horizontal, duke depërtuar në aspektet dhe episodet ndikues në zhvillimin e situatave të studiuara. Kjo shihet jo vetëm në subjektet e përmendura më sipër, por edhe në të tjerat, që janë pjesë e këtij botimi.

Prof. K. Krisafi, duke kombinuar njohuritë nga historia diplomatike e çështjes shqiptare me dijet e fushës së ekspertizës së vet, që është e drejta ndërkombëtare, ka arritur të ndriçojë nga pikëpamja juridiko-ndërkombëtare zhvillimet aktuale në marrëdhëniet bilaterale shqiptaro -greke, rrjedhojë e një marrëveshjeje midis dy vendeve, përfunduar në Tiranë, në prillin e vitit 2007, për ndarjen e kufijve detarë. Marrëveshja u shqyrtua dhe u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, çka ndërpreu procesin e ratifikimit të saj nga parlamenti shqiptar dhe krijoi probleme në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Studimi, edhe pse e trajton çështjen në rrafshin historik dhe juridik, nuk ndalet vetëm aty, por synon të japë disa alternativa për zgjidhjet më optimale, në përputhje me parimet dhe normat themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Studime me vlera janë edhe ai që i kushtohet pjesëmarrjes së Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare, të cilën ai e sheh në planin historik, teoriko-juridik, në mundësitë dhe interesat aktuale, si dhe ai që ka të bëjë me raportin ndërmjet kushtetutës së Kosovës dhe të drejtës ndërkombëtare. Edhe këtë autori e sheh, veç të tjerash në planin aktual, perspektiv dhe krahasues.

Studimet që bëjnë pjesë në këtë libër, megjithë praninë e dukshme të elementit historik e kanë shumë të shprehur rëndësinë aktuale. Ato shërbejnë për thellimin e studimeve në këto drejtime, për qartësimin e pikëpyetjeve të cilat mund të shfaqen gjatë trajtimit të çështjeve, që janë objekt i tij, si dhe për orientimin e organeve kompetente. Ky tipar ia shton së tepërmi vlerat botimit dhe e rendit autorin në radhën e studiuesve seriozë e të përgjegjshëm, të cilët përvojën e gjatë, dijet dhe njohuritë e tyre të gjera e të thella i vënë në shërbim të ndriçimit të historisë dhe të zgjidhjes së problemeve që shtrohen para të ardhmes së vendit.

Tiranë, korrik 2014 /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH