Aktualitet

IKMT shemb dy pishinat e ‘Prestige Resort’ në Golem, reagime të shumta nga opozita

Shkruar nga Liberale

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka prishur këtë të enjte dy pishina në ‘Prestige Resort’ në Golem, në pronësi të “Hysenbelliu Group”.

Aksioni është cilësuar i paligjshëm nga përfaqësuesja ligjore e kompanisë “Hysenbelliu Group”, Folitjona Puraveli, teksa ka theksuar se dokumenti për prishjen e pishinave iu është dorëzuar pas ardhjes së fadromave.

"Në datën 25 gusht vjen grupi i inspektimit dhe na thotë që jemi pa leje. Ne kundërshtuam, i treguam dokumentet që kanë firmën e Ramës dhe të Gjermenit. Vendimi për prishjen ka ardhur para gjysmë ore nga momenti që po flasim. Kjo do sjellë shumë pasoja ligjore”, tha Folitjona Puraveli.

Lidhur me këtë situatë, ka reaguar edhe zëvendës presidentja e këtij resorti Fabiola Hysenbelliu e cila është shprehur se shteti vepron sikur është në pronën e tij.

“Atje ai nga Serbia po buzëqesh mirëpo i themi që ne nuk mposhtemi. Editorialet ne nuk i ndryshojmë e nuk do mposhtemi nga këto fadroma. Shteti vepron sikur është në pronën e tij, këtë që po bën sot Edi Rama. Ai vetë ka firmosur lejen se ku është shkelur ligji nuk e di. Mbase është shkelur maliqi mirëpo jo ligji. I them atij se kjo pishinë do bëhet akoma më e bukur seç është", u shpreh Hysenbelliu.

Ministria e Brendshme ka sqaruar se aksioni i sotëm është në kuadër të nismës "Bregdeti Ynë", i cili synon rivendosjen e ligjshmërisë në bregdet dhe që ishte ndërprerë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, për të rinisur në shtator. Më tej në reagim, Ministria thotë se mediat e Irfan Hysenbelliut e kanë cilësuar këtë aksion si një sulm ndaj vijës editoriale, duke syniuar kështu të mbrojnë paligjshmëritë e pronarit.

"Pretendimi i mediave të zotit Irfan Hysenbelliu se ndërhyrja e sotme e IKMT është e paligjshme pasi resorti paska leje të miratuar është një tjetër manipulim i opinionit publik.

Dokumenti i nxjerrë në mediat në fjalë me firmën e kryeministrit Edi Rama si kryetar i KKT provon të kundërtën e pretendimit. Leja është një leje me kusht, ku thuhet qartësisht se dokumenti i lejes së ndërtimit do të jepet vetëm pasi tē plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse.

Asnjëri nga kushtet nuk është plotësuar dhe sot zoti Irfan Hysenbelliu i detyrohet shtetit dhe qytetarëve kthimin e sipërfaqeve të zaptuara si edhe borxhin financiar nga mospagimi i taksave", thuhet në një tjetër reagim të Ministrisë së Brendshme.

Aksioni i IKMT ka sjellë reagime të shumta nga ana e opozitës, të cilët e kanë cilësuar një vendim politik. Deputeti Petrit Vasili, pasi shkoi dhe vetë në ‘Prestige Resort’ ku kundërshtoi shembjen e paligjshme të dy pishinave, duke thënë se qindra turistë të huaj u shokuan nga pamjet e përbindshme

Ngjarja ka sjellë edhe reagimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, i cili kërkon transparencë të plotë dhe të qartë për arsyet si dhe për momentin e aksionit.

"Zbardhja e motiveve të vërteta të këtij akti të qeverisë qartëson dhe arsyet e vërteta të kësaj ndërhyrjeje, përsa kohë pronari i resortit është dhe drejtuesi i një prej mediave më të mëdha në Shqipëri. Pikërisht kjo mund të jetë dhe zanafilla e vërtetë e sulmit ndaj pronës në këmbim të ndryshimit të linjës editoriale të medias Nwës 24 dhe Panorama", shkruan Alibeaj në Facebook.

Deputetja e PD Albana Vokshi, zhvilloi një komunikim për mediat për shembjet në “Prestige Resort”. Ajo iu bëri thirrje institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që të reagojnë pasi liria e medias është në rrezik në Shqipëri.

"Ndërkohë që Edi Rama bën si kampion i hapjes nga Beogradi, ai urdhëron shkatërrimin e një biznesi që është në punë të vet. E jo të çfarëdo biznesi, por të “Prestige Resort”, ku ai me ministrat e tij shpenzonin kohë me të ngrëna e të pira, në krah të pronarit. Është i njëjti “Prestige Resort” që ngrihej në qiell kur rriste prestigjin e kryeministrit në sytë e ndërkombëtarëve, duke strehuar qindra afganë që u iknin talebanëve. Disa muaj më vonë është Edi Rama që si taleban, u vërsulet kritikëve dhe kundërshtarëve me sytë e errësuar nga urrejtja që ka për këdo që nuk i bindet", deklaroi Vokshi.

Deputeti i PD, Edi Paloka e ka cilësuar si një krim të kryer nga Rama, për vetë faktin se po shantazhon mediat, duke kërkuar që ato të ndryshojnë politikat editoriale.

"Një tjetër krim i kryeministrit po konsumohet sot në sytë e të gjithë publikut. Nuk e kam fjalën thjesht për shembjen e një resorti turistik. As po dal në krah të pronarit të këtij resorti, se nuk kam asnjë arsye ta bëj. Sigurisht nëse ky resort është me letra në rregull, siç deklarojnë pronarët, ky është krim në vetvete (resorti është aty prej shumë vitesh dhe Rama ka qenë vizitor i rregullt aty).

Po krimi që po kryen direkt Rama është kërcënimi dhe shantazhi ndaj mediave. Zv presidentja e “Media Focus Grup” e ka denoncuar publikisht këtë fakt; Rama ka ndërhyrë për të ndryshuar politikën editoriale të këtij grupi mediatik, e akti i sotëm është qartazi hakmarrje për këtë grup dhe kërcënim për gjithë të tjerët", ", shkruan ndër të tjera Paloka.

Edhe ish-kryeministri Berisha, gjatë një komunikimi me gazetarët, ka komentuar prishjet në ‘Prestige Resort’, duke akuzuar Ramën, se ka urdhëruar shkatërrimin e resortit, prandaj duhet të mbajë përgjegjësi.

Ai ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se mban përgjegjësi penale “për shkatërrimin antiligjor të pronës së tjetrit” pasi Rama e ka firmosur vete lejen per ndertimin e resortit si kryetari i KKT.

“Edi Rama ka urdhëruar shkatërrimin e pjesë të resortit në kundërshtim flagrant me ligjin. Sipas zëvëndëses së kësaj kompanie, gjithçka është ndërtuar mbi bazën e lejeve të firmosura nga vetë Rama, cka e bën përgjegjës penalisht atë për shkatërrimin antiligjor të pronës së tjetrit. Ndërmarrja qoftë dhe në zbatim të ligjit të një akti të tillë kur resorti është plot me turistë, është akt i mirëfilltë banditesk", deklaroi Berisha.

 

 

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH