Sport

Igli Tare me fat, Dinamo merr maksimumin në Laç

Shkruar nga Liberale

Takimi i mbetur i javës së 6-të të Kategorisë Superiore në Laç, midis skuadrës vendase dhe Dinamos u fitua nga kryeqytetasit. Të dyja skuadrat erdhën në këtë sfidë pasi i kishin humbur takimet e javës së 5-të, teksa kurbinasit kishin korrur edhe dy fitore dhe kishin marrë edhe një barazim, përkundër 4 humbjeve dhe një fitoreje të vetme të dinamovitëve të Luixhi Di Biaxhos.

Për të ndryshuar fatin e Dinamos në stadiumin e Laçit i pranishëm ishte edhe Igli Tare.

Përtej minutave të para premtuese për vendasit, është skuadra mike që vendos shpejt diktatin, duke gjetur edhe golin e parë në minutën e 12-të, kur Zabërgja gjen rrugën e rrjetës pas një goditjeje këndi. Në minutën e 31-të, kryesori Ferataj dha fillimisht një 11-metërsh për Laçin, por e anuloi vendimin e tij pas komunikimit me (VAR), për pozicion jashtë loje.

Me Dinamon që gjen edhe golin e dytë në minutën e dytë shtesë, por që anulohet gjithashtu për pozicion jashtë loje. Me epërsinë minimale të miqve do të mbyllet pjesa e parë. Ndërsa e dyta nis më mirë për vendasit, që i afrohen golit në minutën e 58-të, ndërsa 5 minuta më pas, Dinamo do të mbetet me 10 lojtarë, pasi Behiratçe ndërhyn ashpër ndaj Kurtit, dhe ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, duke u largohet nga loja me karton të kuq.

Megjithatë, edhe pse në inferioritet numerik, Dinamo ia ka dalë ta mbrojë fitoren minimale ndaj Laçit, duke marrë 3-pikëshin e dytë këtë fillim-sezon, ndërsa kurbinasit pësojnë humbjen e 3-të këtë sezon.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH