Editorial

Idetë e parimet e Gjergj Fishtës për organizimin e kombit të shtetit

Shkruar nga Liberale

Eugjen Merlika

Shqipëria në shpërgënj nuk duhej të ballafaqohej vetëm me opinionet e shtrembëra të shtypit evropian, me të cilët përleshej Fishta, por edhe me vetë politikën shtetërore të vendeve të ndryshme t’Evropës, jo dashamirëse kundrejt saj. Në shkoqitje të këtyre politikave, në vitin e mbrapshtë 1914, politologu françeskan nuk respekton aspak gjuhën diplomatike. Me krenarinë e malsorit të vetëdijshëm për epërsinë e tij morale, si njeri i fjalës së mbajtur e i respektimit të vlerave njerëzore, ai vërsulet mbi politikën e diplomacive evropiane me të gjithë forcën e penës së tij të hidhur. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij, nuk ka qenë asnjëherë i butë me “kurvën e motit”, kur ajo tregohej e padrejtë ndaj Vendit të tij e, fatkeqësisht, shekulli i shkuar nuk qe aspak i kursyer me padrejtësi kundrejt shqiptarëve.

Kështȗ pra, pa nderë e pa kurrfarë burrniet Europa u prȗ ndaj Shqypnis shî n’kohë, kur kjo kishte mâ nevojë me kênë prej saj. E pra mretnien e Shqypnìs Europa e kishte krijue! Por shka se pabesnia e pushteteve t’Mdhà duel edhe mâ n’shesh n’t’caktuem t’kufijvet t’Shqypnìs.”[1]

Për meshtarin atdhetar është e papërligjëshme që Evropa të qëndrojë vrojtuese e thjeshtë e faktit që ushtritë sërbe, greke e malazeze, si ujqit e tërbuar të zaptojnë tokat shqiptare, për të cilat ajo vetë kishte vendosur në Londër se duhet të bënin pjesë në një shtet të pavarur.

Me ç’sŷ e faqe Europa ka me pritë gjygjin e historìs, qi sodmesod, n’sŷ t’mkâmsve t’saj, po mund t’pertrîhen n’Shqypnì pȗnë t’dhȗnshme pa pasë nieri se kȗ me kja, se ku me lypë gjygj ? N’dy vjet qi Evropa ka marrë n’dorë pȗnën e Shqypnìs, jo veç se ndër ne nuk ka hî gjykatore t’ligjshme e t’njimêndët, por s’ka nji statut, s’ka nji themel ligjet, s’ka nji sundimtar t’vetëm qi t’ket dependencë t’vertetë prej Mretit e nji  fuqi t’ligjshme n’dorë. Gjaku i shqyptarit derdhet rrkajë, gjâja e shqyptarit hupë nder thoj t’mâ t’fortit...[2]

Tablloja e përshkruar është vërtetë tronditëse, një realitet i hidhur por, ndoshta do të kishte vënd edhe për një farë autokritike në planin e përgjithshëm, mbasi vitet 1913 – 14 nxorën në dritë, krahas padrejtësive të Fuqive të Mëdha edhe krijimin e rrymave e të dasive në gjirin e klasës drejtuese shqiptare. Rrëzimi i Ismail Qemalit dhe kalimi n’anën e Esat Pashës i mjaft prej intelektualëve shqiptarë nuk dëshmojnë për një qëndrim t’urtë e bashkësi mendimesh e qëllimesh në drejtimin e shtetit shqiptar në një çast vendimtar. Megjithatë protesta e Fishtës dhe padia e tij, jo vetëm qëndrojnë në planin historik, sa që ende sot, mbas më shumë se një shekulli, mjaft prej problemeve tona e kanë zanafillën pikërisht n’ato vendime e qëndrime, por dëshmojnë edhe ndjenjën e lartë të atdhedasurisë së shkrimtarit, për të cilin fati i Vendit është në majën e shqetësimit të shpirtit të tij vullkanik.

Ai fat nuk është vetëm në duart e të huajve. Për këtë ishte i ndërgjegjëshëm frati françeskan dhe ai ishte derti më i madh që bartëte në bisedat, në shkrimet, në takimet me bashkatdhetarë e me të huaj. Keqardhja për mangësitë e shqiptarëve, për nivelin e tyre t’ulët kulturor, për mungesën e konceptit t’idealeve dhe interesave të përbashkëta, për pamjaftueshmërinë e gjykimit dhe përceptimit të së vërtetës së marrëdhënieve mes tyre, janë shqetësime të përherëshme, që ngrenë krye vazhdimisht në shkrimet publicistike.

Mjaft me ja lshue sŷt pa pajë e me gjak t’ftoftë, si i thonë, vepers qi na kemi zhdrivillue n’kto tetë vjetë, pse menjiherë kemi me u vertetue se na jemi prȗ, jo ndryshe veç si fmî e si e zeza e vedvedit qi kemi kênë gjithmonë. Po e xâm : mretin tonë nuk e ka xjerrë prej Shqypniet as inglizi as Franca as Rusia vetun, por e kan nxierrë shqyptarët![3]

Fishta historian shqyrton një nga çastet më të rëndësishme e vendimtare të historisë sonë, periudhën e shkurtër të mbretërimit të Princ Wied-it, e anashkaluar sipërfaqësisht nga historia zyrtare e regjimit komunist, e cila “zbuloi” me entuziazëm në rebelimin anadollak të Musa Qazimit e Haxhi Qamilit, bërthamën e parë të “revolucionit” komunist në Shqipëri, një ngjarje për t’u vënë në kornizë e për t’u nderuar si një shembull i lartë i “urtësisë” popullore. Si pasojë e asaj ngjarjeje tragjike për kombin, po aq vendimtare në kah negativ, sa edhe Shpallja e Pavarësisë në atë pozitiv, Shteti i ri shqiptar humbi rastin që i ishte dhënë, të ruante lidhjen me Evropën, nëpërmjet Princit të caktuar për t’u bërë Mbret në territorin e tij, simbas kërkesës së pjesës më të madhe të atdhetarëve shqiptarë. Ajo lidhje do të kishte qënë tepër e rëndësishme për rrugën që do të ndiqte Shteti i ri, duke fituar besimin dhe qëndrueshmërinë edhe në sytë e atyre Pushteteve të Mëdha që e kishin cunguar në krijimin e tij. Hapat e parë në drejtim t’organizimit të jetës shtetërore, megjithë vështirësitë e mëdha, u panë edhe n’ata pak muaj të qeverisjes së Princit. Por për një fatalitet të zi historik tonin n’atë periudhë të brishtë, do të fuqizohej e do të zotëronte një lëvizje që destabilizoi plotësisht atë përvojë pozitive, që ishte fituar në më pak se dy vjet pavarësie. Pasojat qenë shkatërruese, me vite të gjata pushtimi të gjithë territorit nga ushtritë ndërluftuese, me marrëveshje të fqinjëve për coptimin e tokave shqiptare, me rrezikimin për t’u zhdukur si shtet në Konferencën e Paqes. Autori i shkrimit, me largpamësinë dhe mprehtësinë e gjykimit, e vajton në vetvete atë çast të mbrapshtë historik, nuk nguron t’a shohë të vërtetën në sy e të nxjerrë përgjegjësitë që rrjedhin nga paformimi i ndërgjegjes kombëtare, si pasojë e prapambetjes së theksuar ekonomike, që i bën bashkatdhetarët e tij të jetojnë të ndarë në bashkësi të vogla, pa asnjë lidhje me njëra tjetrën. Prandaj ai përshëndet me entuziazëm nismat austro – hungareze për shtrimin e rrugëve dhe hapjen e shkollave. “Udhët e mara e shkollat e mira janë agimi i parë i gjytetnìs. E ta diejn shqyptarët, qi dersa t’ngurrojn me pȗnue rrugat e me la per shkolla, s’kan me kênë kurr popull i dêjë me pasë vetvetsì morale n’shekull ; pse edhè ne ja u dhaçin tjerët, kan me e shpartallue kta vetë, sikursè edhè i kemi shpartallue.[4]

Është një diagnozë e saktë e patologjisë së çastit historik, që mbart në vetvete shpresën dhe hidhërimin deri në dëshpërim e mosbesim. Shkrimtari mundohet t’u hapë sytë bashkatdhetarëve, t’u verë piketat e arsyes në rrugën e tyre të ecjes drejt qytetërimit evropian, të cilin ai e quan si të vetmin model për t’u huajtur edhe prej tyre.

Lypset qi t’gjith t’shestuemt e t’rregulluemt e jetës s’shoqnueshme n’Shqypnì t’jet themelue mî parsime t’gjytetnìs prendimore, por me shart qi, der kȗ ta bajë natyra e ktyne parsimeve, kta t’qiten n’punë mas gjenjes e etnologjís s’vendit e mas ndîsive t’popullit n’mnyrë qi t’ruhet paqja e zêmrave edhè karakteri komtar i shqyptarve.[5]

Publicisti, meshtari e poeti i lëshojnë Vendin urtësisë së shtetarit dhe largpamësisë të njohësit të thellë të grigjës së vet, që din t’a drejtojë në rrugën më të sigurtë e më me pak rreziqe. Evolucioni i shqiptarëve drejt mendësisë evropiane nuk mund të jetë një “deus ex machina” e përnjëherëshme, një kopjim i plotë e i vrullshëm i përvojave perëndimore e i futjes shabllone të tyre në jetën shqiptare. Në këtë rast do të kishim një çoroditje të plotë që në vend të përparimit do të sillte anarkinë e veprimeve dhe amullinë e mendimeve. Harmonizimi i parimeve të qytetërimit perëndimor me psikologjinë, traditat e formimin shpirtëror të shqiptarëve në masën dhe kohën e duhur, janë siguria që sheh autori që “komi shqyptar t’jet përnjimend kom e kom i qytetnuem” Por nuk mjafton që proçesi zhvillues mendësor i shqiptarëve të vihet në baza t’arësyeshme, që të prodhojë vetëdijesimin për domosdoshmërinë e thithjes dhe përnjisimit të përvojave të të tjerëve, nëse nuk bëhet përzgjedhje e klasës drejtuese nëse ajo nuk do të ketë shtatin moral e profesional të duhur.

Me e lshue Shqypnìn nder duer t’batakçive, âsht njapernja si me ja vjerrë ujkut mushknít m’qafë, me uzdajë se po t’i çon te shpija : ujku i han mushknít,  sidomos per n’kjoftë msue ndojherë me hangër m’to.[6] 

Sa profetike këto fjalë të shkruara pothuajse njëqind vite më parë. Sa shumë i vërtetoi koha ato, sidomos që prej 70 vjetësh e këndej, madje edhe në vitet e demokracisë e të ngarendjes drejt Evropës, sa dëme i sollën Shqipërisë batakçinjtë në drejtimin e saj, sa shumë e varfëruan për t’u pasuruar ata. Ҫështja e moralitetit të klasës drejtuese është një temë që e rrok disa herë në artikujt e tij, duke vënë në lojë politikanët e improvizuar e demagogë, që nuk janë t’aftë të bëjnë asgjë tjetër, veçse t’i kushtohen “politikës” së thirrjeve pa përmbajtje, të reformave të rreme e formale, të mashtrimeve me qëllim që të fitojnë votat, për të pasur një pozitë që do t’u japë mundësi të përvehtësojnë sa më shumë. Që nga koha e Fishtës e deri në ditët tona kanë kaluar dhjetëvjeçarë të tërë, por kjo sëmundje e shqiptarëve duket se ende nuk ka gjetur shërim edhe se më 1921 shkrimtari i madh i drejtohej kështu bashkatdhetarëve të tij : “A vagabondët jashtë pune e jashtë Shqipnìs, ose ndryshe kemi sharrue me të egër e me të butë.” Fatkeqësisht shqiptarët nuk qenë t’aftë a nuk deshën t’a zbatojnë atë porosi, madje i vunë ata në krye të tyre e sharrimi qe më i plotë e më i rrezikshëm edhe se sa e përfytyronte poeti kombëtar.

Vijon...

[1] Gjergj Fishta: “Përndritje” Lajmëtari 2000 f. 45.

[2] Po aty, f. 47.

[3] Gjergj Fishta: “Përndritje” Lajmëtari 2000 f. 50.

[4] Po aty, f. 52.

[5] Po aty, f. 58.

[6] Po aty, f. 59. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH