Kryesore

Ideja esto perpetua e një Klubi letrar

               Publikuar në : 10:16 - 05/08/19 LP

Vera Bekteshi

Tingëllon paksa qesharak krijimi i një Klubi letrar, në një kohë që njeh dhe trumbeton veçse aleanca pushtetesh.

Një klub, sipas fjalorit anglez Johnson, është një bashkim shokësh të mirë, good fellows, që takohen në kushte të caktuara.

Koncepti i Klubit, sipas njërit prej themeluesve të tij në Anglinë e shekullit XVIII, do të ishte një grup i përbërë nga “persona miqësorë dhe interesantë, që do të kalonin një mbrëmje së bashku një herë në javë”, mundësisht me nëntë anëtarë. Këta të nëntë, sipas tyre, do të ishin një numër i mirë, i mjaftueshëm për ta mbajtur bisedën gjallë dhe në një gamë të gjerë interesash, edhe kur të mos ishin të gjithë të pranishëm të gjithë. Një anëtar tjetër tha më vonë se qëllimi ishte që njerëzit të zgjidheshin aq “të pranueshëm”, saqë nëse vetëm dy prej tyre do të takoheshin në mbrëmje, të ishin në gjendje të argëtonin njëri-tjetrin. Kështu, zgjodhën moton latine për klubin, esto perpetua, “Le të jetë i përhershëm”, që në fakt ashtu u bë.

Klubi ka mbetur “i gjallë” deri në ditët e sotme, nën emrin Shoqëria Letrare e Londrës dhe ka pasur në radhët e tij të tillë iluministë të shekullit XVIII, si themeluesit: Reynolds dhe Johnson, Oliver Goldsmith Edmund Burke; David Garrick, Adam Smith, Edward Gibbon etj., por dhe ata të dy shekujve pasues si Sir Walter Scott, Thomas Babington Macaulay, William Ewart Gladstone, Alfred Lord Tennyson, Matthew Arnold, Rudyard Kipling, Neville Chamberlain, Lord Kenneth Clark, TS Eliot, Max Beerbohm, si dhe Kryeministrin Harold Macmillan.

Krijuesi dhe formuluesi i këtij klubi, Dr. Johnson, donte një argument të mirë për bisedën, por në radhë të parë edhe për veten e tij. Ai vdiq më 1784-n dhe Klubi përfundimisht u zhduk nga historia e regjistruar, por ai kishte mbijetuar mjaft gjatë për t’u bërë një model i klubeve, ku mendjet e mëdha mund të rrinin së bashku në një atmosferë bindëse, shkëmbimi të lirë dhe të mençur të ideve, dhe shoqëri që ia vlen të kërkohet për çdo rast.

Se, klubet që në themel të tyre kanë fjalën, mund të jenë aq të fuqishëm saqë të përmbysin situatat, sido të ishte fjalimi i Winston Churchill me rastin e shpalljes së luftës Gjermanisë naziste, që u përcaktua nga mbreti i kohës, George VI, me fjalët:

“Kryeministri ynë mobilizoi gjuhën angleze për të ngritur popullin në këmbë…”

Do të doja të bëja një krahasim, por nuk mund ta bëj, së paku kam të drejtën ta marr si shembull, sepse e gjitha kjo më sjell ndër mend rininë e hershme, kur kaloja pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe doja të hyja, ku edhe hyra vërtet me miqtë e mi artistë e shkrimtarë dhe kaluam një Vit të Ri së bashku, e pastaj në vazhdimësi plot herë të tjera.

Pavarësisht mangësive dhe zgjedhjes pa kriter vlerash që shpesh u bëhej në atë kohë anëtarëve të saj, edhe pa e njohur mirë, por pikërisht nga dashuria për letërsinë, ai vend ushtronte mbi mua një lloj magjie, sepse aty gjeje edhe artistë me vlera, që qëndrojnë edhe sot e kësaj dite, jo vetëm te ne, por edhe në botë. Shkurt, ai vend më tërhiqte si magnet, por kur shumë vite më pas do të merresha kryesisht me shkrime dhe kur në një farë mënyre më takonte të futesha aty pa ndihmën e dikujt tjetër, ai vend nuk ekzistonte më.

E kam ndier gjithnjë nevojën e një klubi ku të flitet vetëm për librat, mbase edhe për ndonjë thashethem të vogël lidhur me ta, por mundësisht vetëm për ta…, dhe ashtu siç thoshte vetë dr. Johnson, anëtarët e klubit duket të jenë clubbable, apo në shqip, të aftë për t’u bërë anëtarë të tij.

Këta shokë të mirë në takimet e Klubit të ri, sado të rralla qofshin, nuk do të bashkohen vetëm për të pirë një gotë verë, që do t’ua zgjidhte paksa gjuhën për të folur me elokuencë për librat e lexuar të kolegëve të tyre dhe më tej. Këta good fellows do të jetë mirë të mblidhen edhe për të dhënë mendime mbi rritjen e cilësisë së librit (jo vetëm në formë, por kryesisht në përmbajtje, përmes forcimit të stafeve editoriale, por jo vetëm). Këta good fellows, do të jetë mirë të japin edhe mendime për përmirësimin e kurrikulave shkollore në përfshirjen e autorëve më të mirë të së kaluarës dhe së tashmes, në përfaqësimin e autorëve që ndikojnë më së miri në formimin e shkollarëve të sotëm.

Anëtarët e këtij Klubi të ri, mendoj, se s’është nevoja të jenë domosdoshmërisht veçse autorët e veprave të botuara në UET Press, apo të personave të lidhur me të me anë shkrimesh, përkundrazi mendoj se prurjet e atyre që e duan letërsinë apo shkrimin e mirë, duhet të jenë të mirëpritur, sepse edhe vetë Johnson që formuloi kuptimin e një klubi, propozoi që ai të zgjerohej herë pas here me anëtarë të rinj, por me kushtin që të ishin clubbable./Gazeta Liberale

(Visited 86 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *