Detaje të reja kanë dalë nga atentati i 3 tetorit, ku një makinë në ecje u qëllua me breshëri armësh.
Fillimisht, ngjarja nuk është bërë e ditur nga Policia, por më pas, me anë të një njoftimi thuhet se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, mbrëmjen e së enjtes. Shënjestër e atentatit ka qenë Kreshnik Pistja, 27 vjeç, banues në Mamurras.
I riu ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij në autostradën e Mamurrasit, duke shkuar për në banesë, pranë stacionit të Trenit, në momentin kur është qëlluar me breshëri. Plumbat kanë mbërritur deri në sediljen e parë të pasagjerit, ndërsa Pistja nuk ka pësuar lëndime.
Sipas burimeve, autorët i kishin zënë prite në rrugicën pranë shtëpisë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit.
Në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja, ndërsa 27-vjeçari, i cili ishte në shënjestër të sulmit, ka deklaruar se nuk kishte konflikte.
Sipas “Panorama”, gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se nuk ka konflikte dhe se nuk e di se cilët mund të jenë autorët e atentatit. “Për t’i shpëtuar plumbave u futa në oborrin e shtëpisë së fqinjit. Autorët ishin me makinë, u larguan me shpejtësi, nuk dallova asnjërin”, është shprehur 27- vjeçari.
Kreshnik Pistja ka jetuar për disa kohë në Itali dhe po hetohet nëse është përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm, që më pas mund të ketë çuar në kryerjen e atentatit ndaj tij./Gazeta Liberale