Dy kushërinj nga Catania, Itali, u vranë pasi kishin shkuar të vidhnin limona. Vito Cunsolo dhe Virgilio Cunsolo Terrano, përkatësisht 30 dhe 29 vjeç , u qëlluan në Pennisi, një zonë periferike e Acireale (është një zonë kodrinore e karakterizuar nga prania e agrumeve). Të dy nga Catania u gjetën të pajetë në një zonë agrumesh. Vrasja e dyfishtë u zbulua mbrëmë.
Karabinierët punuan pandërprerë gjatë gjithë natës për zbardhjen e ngjarjes. Ata vazhdojnë të punojnë për të hedhur dritë mbi çdo aspekt të vrasjes së dyfishtë. Hetuesit kanë ndaluar një fermer, Giuseppe Battiato. Gjatë marrjes në pyetje, fermeri dyshohet se ka pranuar përgjegjësitë e tij , duke e motivuar me zemërim gjestin për përsëritjen e vazhdueshme të vjedhjeve të limonëve në agrumet e tij.
Sipas një rikonstruksioni nga hetuesit mbi dinamikën e vrasjes së dyfishtë, gjatë aksionit për të kapur hajdutët në flagrancë, Giuseppe Battiato dyshohet se qëlloi disa herë me armë kundër dy të rinjve. Kështu ai i kishte vrarë në vendin ku ata u gjetën. Gjatë natës karabinierët morën në pyetje familjarët, miqtë dhe të njohurit e dy viktimave.
Disa nga të afërmit e tyre ishin nisur kërkimet për dy të rinjtë, të shqetësuar pasi nuk ishin kthyer në shtëpi një ditë më parë. Skena dramatike dhe të tensionuara ka pasur pas zbulimit të dy trupave. Pas orës 20 të mbrëmjes së djeshme në vendngjarje kanë mbërritur shumë persona, familjarë dhe miq të dy viktimave. U desh të mbërrinte ambulanca për t’u dhënë ndihmë disa të afërmve të dy kushërinjve të rinj, pasi mbetën të tronditur nga ngjarja e rëndë.
Dy të rinjtë jetonin në një lagje të njohur të Katanias, fshatin Sant’Agata. Nga ajo që rezulton Vito Cunsolo ishte i zënë me të dashurën e tij në përgatitjet për dasmën e tyre . Ata duhej të martoheshin në gusht. Familja e Vitos tashmë ishte përfshirë nga pikëllimi për vdekjen e një fëmije.
Pas ngjarjes, në Itali është rikthyer në plan të parë çështja e përdorimit të armëve. /Liberale.al/