Kryesore

I vetmi rezultat i Reformës

               Publikuar në : 09:21 - 06/12/19 liberale

Tre vite pas miratimit të saj, Reforma në Drejtësi është  përballur me zbrazjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, akuzat për kapje nga qeveria, procesin e ngadaltë të vetingut dhe vonesën në ngritjen e institucioneve të reja.

Por dje, zgjedhja e Olsian Çelës si Prokuror i Përgjithshëm shënoi të vetmin rezultat të saj, ndërsa pas pak ditësh pritet betimi i prokurorëve të SPAK që do ta nisin punën me gjysmën e anëtarëve

Suadela Balliu

Betimi në Kuvend i Olsian Çelës si Prokuror i Përgjithshëm do të shënonte edhe të vetmin rezultat të Reformës në Drejtësi që prej miratimit të saj në po të njëjtën sallë me votat e 140 deputetëve.

Ndërsa kreu i KLP-së kishte njoftuar fillimisht shtatorin e më pas tetorin si muaji i ngritjes së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe zgjedhjen e  Prokurorit të Përgjithshëm, u deshën edhe dy muaj që më në fund Drejtësia e re të shënonte institucionin e saj të parë,  me një kryeprokuror në mandat të plotë shtatëvjeçar që zëvendëson Arta Markun në detyrën që e mbajti për dy vite. Edhe pse pak ditë më parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi  tetë prokurorë  të SPAK dhe hapi garën për kreun e saj, procesi i vetingut bën që  prokuroria speciale që ka detyrën e  rëndësishme të hetimit të dosjeve të zyrtarëve të lartë të përfshirë në krim dhe korrupsion, të nisë punën në gjysmë kapacitet dhe pa Byronë Kombëtare të Hetimit që ende nuk është krijuar puna konkrete bëhet e vështirë , duke e bërë ngritjen e saj krejt formale.

Një tjetër institucion i kyç i Drejtësisë që pritej të ngrihej, duke qenë edhe një nga kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për çeljen e negociatave, është tashmë në ngërç.

Listat e përpiluara nga KED me  renditjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe dërgimi i tyre njëherazi presidentit dhe Kuvendit, do të rezultonte në  përplasje mes institucioneve, dy anëtare për një vend dhe një kallëzim penal nga kreu i shtetit në adresë të kreut të KED-së, Ardian Dvorani. E ndërsa Kuvendi miratonte rezolutë duke e cilësuar të pavlefshëm dekretin e presidentit për Marsida Xhaferllarin dhe i bënte thirrje Gjykatës Kushtetuese për të njohur Arta Vorpsin si anëtare të ligjshme, një tjetër anëtar do të largohej nga Kushtetuesja vetëm një muaj pas marrjes së detyrës. I zgjedhur nga presidenti në listën e parë që KED dorëzoi në adresë të tij, i renditur i treti dhe pa kaluar shkallën e dytë të vetingut, Besnik Muçi do të shkarkohej nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Edhe pse presidenti Meta do ta quante “veting i partisë” dhe vetë Muçi do të refuzonte të largohej nga zyra, ishte Gjykata Kushtetuese që e hoqi emrin e tij nga anëtarët duke ia ulur sërish numrin, edhe pse megjithë Muçin, dy anëtaret Toska dhe Papajorgji  të  zgjedhura nga Kuvendi dhe atë që doli nga lista e dytë e presidentit, ende nuk ishte numri i plotë për të pasur një quorum të nevojshëm për të marrë vendime. Kështu Kushtetuesja do t’i përgjigjej rezolutës së Kuvendit, në pamundësi për të zgjidhur ngërçin e krijuar me Vorpsin e betuar tek noteri  dhe Xhaferllarin,  që u betua tek presidenti duke  njohur si anëtare të saj këtë të fundit, e cila me dy të emëruarat nga Kuvendi e bënë betimin në Presidencë.

Përplasja me betimin, ku sipas Kushtetutës anëtari i Gjykatës Kushtetuese betohet tek presidenti, do e çonin kryeministrin dhe maxhorancën të deklaronin se do të shkonin deri në ndryshime kushtetuese për të shmangur përplasje të tilla në të ardhmen. U aludua se ndryshimet do të konsistonin në heqjen e betimit tek presidenti dhe kalimin e kësaj tek organi emërues.

Ndërsa tetë prokurorët e SPAK presin të betohen tek presidenti më 19 dhjetor, presidenti Meta gjatë takimit me kreun e KLP-së disa ditë më herët ka siguruar mbështetjen e  e pa kursyer në përmbylljen me sukses të procesit të ngritjes së Prokurorisë së Posaçme.

Përballë kritikave të maxhorancës se presidenti po pengonte ngritjen e institucioneve të drejtësisë, Meta do t’i thoshte Ibrahimit se pavarësisht rezervave të tij  me zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm dhe vonesat në krijimin e këtyre institucioneve të reja, do të mbështesë maksimalisht këtë proces në mënyrë që këto organe kaq të rëndësishme të drejtësisë penale të jenë sa më shpejt funksionale dhe që procedura e konstituimit të tyre të kryhet brenda një kohe sa më shpejt të jetë e mundur.

Por, derisa të jenë plotësuar vakancat që do ta çonin të paktën numrin e anëtarëve të Kushtetueses në gjashtë, ngërçi me Vorpsin dhe Xhaferllarin do të mbetet i pazgjidhur.  Presidenti Meta, pas shkarkimit të Muçit nga vetingu do ta rihapte shpalljen e vakancës në  Gjykatën Kushtetuese ndërsa dje hodhi shortin për Këshillin e ri të Emërimeve në Drejtësi, ku automatikisht u zgjodh kryetar sërish Dvorani si i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë, megjithë kallëzimin penal  të bërë nga presidenti për shpërdorim  detyre.

“Pas një shorti tepër transparent, tani më e rëndësishme mbetet veprimtaria plotësisht transparente dhe në respekt të ligjit e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vitin e ardhshëm”, do të shprehej dje presidenti Meta ndërsa në hedhjen e shortit morën pjesë

e ngarkuara me punë e SHBA, Leyla Moses- Ones, ministrja e Drejtësisë Gjonaj dhe  kreu i KLP-së Gent Ibrahimi.

Mungesa e Gjykatës së Lartë  do të thotë vonesë në plotësimin me nëntë anëtarë të Kushtetueses, ku tre prej tyre zgjidhen nga Gjykata e Lartë.

Ndryshe nga optimizmi i ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca se dhjetori do ta gjente vendin me  Gjykatë Kushtetuese, të Lartë dhe SPAK, produkti i vetëm deri më tani është Prokurori i Përgjithshëm.

Për të shuar skepticizmin e kritikëve dhe opozitës jashtë parlamentit që flet për përpjekje të qeverisë për të kapur Reformën në Drejtësi, grupi parlamentar i PS-së vendosi dje në mëngjes të votonte  Olsian Çelën.

Çela u zgjodh me 101 vota pro, 10 abstenim dhe dy kundër, në kontrast me të renditurën e dytë Arta Markun e cila mori në shumicë abstenime dhe vetëm 10 vota pro dhe Memçaj që mundi të merrte vetëm 8 vota pro nga deputetët e Kuvendit.

I parë si favorit në garë dhe i renditur i pari nga KLP edhe për shkak të përvojës së tij në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për disa vite,  Olsian Çela do të deklaronte pak ditë më parë se prokurorët po e fitojnë pavarësinë e tyre përmes vetingut, duke parë pikërisht procesin  e rivlerësimit si garanci para presionit të politikës. Presion me të cilën ishte ndeshur, siç do të deklaronte edhe vetë, kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku e cila po ashtu kishte pranuar se nuk i kishte përmbushur pritshmëritë.

Reagimi i parë ndërkombëtar,  për zgjedhjen e Olsian Çelës si Prokuror i Përgjithshëm,  do të vinte nga ambasadori i BE-së Luigi Soreca.

Përmes një postimi në “Twitter” , Soreca shkruante se mirëpret zgjedhjen e Çelës e po ashtu edhe të anëtarëve të KED-së. “Zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon dhe mbetet një përparësi kryesore për rrugën e integrimit”, shkruan te më tej ambasadori i BE-së.

Prokurori Olsian Çela, i cili sot nis zyrtarisht detyrën si Prokuror i Përgjithshëm do të shpaloste pak ditë më parë vizionin e tij për institucionin që do të drejtojë për shtatë vite, duke pranuar mungesën e meritokracisë në promovimin e prokurorëve dhe nevojën për një transformim të thellë dhe shndërrimin e Prokurorisë së Përgjithshme në një strukturë dinamike e novatore.

Me zgjedhjen e Çelës merr fund edhe beteja e nisur dy vjet më parë në foltoren e Kuvendit, ndërsa Arta Marku betohej si kryeprokurore e përkohshme mes tymuesve të deputetëve të opozitës, që e shihnin emërimin e saj si antikushtetues dhe Markun në shërbim të kryeministrit Rama.

Ndonëse opozita braktisi parlamentin duke djegur mandatet e deputetëve, kreu i PD-së Basha do të kalonte nga mosbesues ndaj Reformës në Drejtësi që sipas tij po kapej nga kryeministri, në një qëndrim pro institucioneve si SPAK, që do të hetonin dosjet e nxehta të zyrtarëve të korruptuar, ku theksin qendror për opozitën  e kanë dosjet “339” dhe “184”. Ky qëndrim i kreut Basha u përforcua pas nëntë kushteve të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Por kjo nuk e pengoi PD-në të kritikonte ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, duke e parë si provë  të përpjekjeve të kryeministrit për ta bllokuar  atë.

Kjo, sipas një deklarate të PD-së, cenonte besimin e qytetarëve tek Reforma në Drejtësi. PD madje do të shprehej kundër sugjerimeve të ndërkombëtarëve që ngërçi të zgjidhej përmes Komisionit të Venecias, duke e parë këtë të fundit vetëm si dhënës opinionesh por jo marrës vendimesh. Megjithatë,  PD nuk do të shprehej rreth vendimit të KPA për të shkarkuar anëtarin e Kushtetueses Besnik Muçi,  ndërsa megjithë kritikat dhe denoncimet për rastet e gjyqtarëve apo prokurorëve që e kanë kaluar sipas tyre pa të drejtë vetingun ruajnë besimin tek Reforma të cilën e votuan unanimisht në parlament, në korrik të 2016-s.

Presidenti Meta e ka quajtur “Ramaformë”, e cila sipas tij nuk i ngjan asaj që u votua nga të gjithë deputetët, kur ai ishte ende kreu i Kuvendit dhe ka denoncuar disa raste ku sipas kreut të shtetit kryeministri është përpjekur ta pengojë siç ishte pengimi i hedhjes së shortit për  KED-në dhe kërcënimet me veting për gjyqtarët. Për të ngarkuarën me punë të ShBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones mungesa e Gjykatës Kushtetuese ku anëtarët e saj u dorëhoqën apo u shkarkuan nga vetingu ishte tregues se Reforma në Drejtësi po funksiononte e deri më tani kishte arritur të kalonte në veting më shumë se 15 përqind të gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit të drejtësisë.

Por edhe kryeministri Rama, me paketën speciale AntiKÇK, sheh nevojën e një ligji paralel gjatë fazës tranzitore të Reformës, e cila ecën me ritme të ngadalta. Rrezikut që përfaqësojnë ata gjyqtarë e prokurorë të korruptuar të sistemit që kreu i qeverisë i evidentoi si grupi i strukturuar  “Kap ç’të kapësh” i duhet dalë përpara se atyre t’u vijë koha të përballen me vetingun, të vetëdijshëm se nuk do e kalojnë po bëjnë “kërdinë” në ndërkohë me vendime të korruptuara brenda sistemit të drejtësisë së vjetër.

Ndërsa Reforma në Drejtësi i mbushi tre vite në korrik të këtij viti dhe  deputetët e Bundestagut megjithë refuzimin e BE-së në tetor shohin si rrugën e vetme të integrimit plotësimin e nëntë kushteve, shumë syresh të lidhur ngushtë me rezultatet konkrete të institucioneve të reja të drejtësisë, deri më tani rezultati i vetëm është emri i Olsian Çelës si Prokuror i Përgjithshëm.

Olsian Çela, prokurori i dosjeve të forta’

I konsideruar si ‘prokurori i dosjeve të forta’, e nisi karrierën e tij në drejtësi në vitin 2001, pasi u diplomua në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në kryeqytet. Në 2004, u emërua prokuror te Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.

Prej vitesh është anëtar bordi në shkollën e Magjistraturës dhe pedagog në dy universitete. Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar.

Është njohës i 4 gjuhëve të huaja. Prokurori Çela ka hetuar disa dosje të bujshme, siç është “Xibraka”, apo grabitja në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa. Më herët, ai hetoi për masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.

Çela garoi me dy koleget e tij, pas shpalljes së kandidimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë ndërsa sfidën direkte e kish me eproren Arta Marku e cila nga sot do duhet t’i lirojë zyrën Çelës.

Çela për disa kohë u transferua edhe në Pogradec pasi u konsiderua si prokurori rebel që refuzoi të përfaqësojë pretencën e dosjes “Shullazi”.

Gjatë prezantimit në KLP të platformës së tij Çela tha se pavarësia e prokurorëve duhet të sjell përgjegjshmëri dhe jo abuzim.

Ndërsa rezulton se Çela nuk është i martuar dhe sipas formularit të tij gjatë procesit të vettingut jetonte me nënën e tij.KLP gjatë fazës përzgjedhëse renditi Çelën si prokurorin më të kualifikuar për tu bërë kryeprokuror, ndërsa e dyta u rendit Arta Marku e më pas Fatjona Memcaj.

Ndërkohë po dje Marku me anë të shortit në presidencë u përzgjodh si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi edhe për një mandat një vjeçar.

8 prokurorët e  SPAK, më 19 dhjetor betimi tek Presidenti

Me 19 dhjetor, tetë anëtarët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”(SPAK), do të betohen para Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e pas kësaj date ata do të marrin në dorë hetimin e dosjeve të zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe krimit të organizuar.

Është një proces që nuk përfundon sot, në 19 dhjetor bëhet efektiv”, deklaroi Gent Ibrahimi, kryetari i KLP-së.

Kështu, në këtë datë, këta 8 prokurorë do të kryejnë betimin para Presidentit dhe ky vendim hyn automatikisht në fuqi.

Lista e anëtarëve: Altin Dumani, prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë; Arben Kraja, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme; Behar Dibra, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda; Edvin Kondili, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda; Elida Celami (Kaçkini) prokurore në Prokurorinë e Tiranës; Ened Nakuçi, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda; Enkeleda Millonai, prokurore në Prokurorinë e Elbasanit dhe Klodian Braho, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Kjo strukturë do të ketë ndihmën e një strukture tjetër hetimore që është Byroja Kombëtare e Hetimit, (BKH), anëtarët e të cilit janë hetuesit dhe oficerë të Policisë Gjyqësore. Drejtuesi dhe gjithë anëtarët e BKH kontrollohen nga prokurorët e posaçëm. Me ngritjen e SPAK-ut do të shkrihet Gjykata për Krime të Rënda, kompetencat e së cilës do t’u kalojnë gjykatave në rrethe./Gazeta Liberale

Tags: , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back