Aktualitet

I shpëtoi ndjekjes, gomonia gjendet e djegur në Kurbin. Çfarë zbuloi policia

Shkruar nga Liberale
I shpëtoi ndjekjes, gomonia gjendet e djegur në Kurbin.

Është gjetur e djegur në plazhin e Godullës, në Kurbin, një gomone, e cila dyshohet se ishte ajo që u ndoq në det nga “Guardia di Finanza”, autoritetet malazeze dhe Policia shqiptare e Kufirit.

Ajo është gjetur në flakë, në orët e para të ditës së sotme, ndërsa nuk dihet ende për pronarin e saj.

Mjeti u ndoq pasditen e djeshme nga Vlora, pasi ishte pikasur nga nga Frontex. Kjo e fundit ka lajmëruar Guardia de Finanza dhe policinë shqiptare. Ndjekja ka vijuar nga ajri dhe deti. Dyshohet se mjeti i ardhur nga Greqia kishte destinacion Malin e zi dhe se ishte i mbushur me lëndë narkotike.

Për djegien e gomones ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila njofton se nuk është konstatuar asnjë person apo send i kundërligjshëm.

“Më datë 20.07.2022, rreth orën 05:30, në derdhje të hidrovorit të Adriatikut, në breg të detit, në Godull, Kurbin, është konstatuar nga shërbimet e Policisë, një mjet lundrues, duke u djegur. Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës. Deri tani nuk është konstatuar asnjë person apo send i kundërligjshëm. Grupi hetimor vazhdon hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH