Kryesore

I mbijetuari i gripit spanjoll paralajmëron rreth koronavirusit

               Publikuar në : 20:06 - 22/03/20 liberale

José Ameal Peña ishte katër vjeç kur gripi i 1918-s u fut në qytezën e vogël të peshkimit, ku ai jetonte, në veri të Spanjës, ndërsa shtegu i tij vdekjeprurës rrëfehej nga kumbimet e kambanave të kishës.

Më shumë se një shekull më vonë, Ameal Peña – i cili besohet të jetë i vetmi i mbijetuar spanjoll ende në jetë i pandemisë që konsiderohet më vdekjeprurësi në historinë njerëzore – ka një paralajmërim ndërsa bota përballet me Covid-19. “Kini kujdes”, thotë ai. “Nuk dua të shoh të përsëritet e njëjta gjë. Mori shumë jetë”.

Gripi i 1918-s, i njohur si gripi Spanjoll, pasi shtypi vendas ishte i pari që raportoi mbi të, vrau mes 50 deri 100 milionë njerëz në të gjithë botën.

Në qytezën e Ameal Peña-s, Luarca, mori 500 jetë – çerekun e popullsisë së tij me dy mijë banorë. Ai shihte nga dritarja e ti ndërsa radha e gjatë e ceremonive mortore përshkonte rrugën drejt varrezave.

Në vjeshtën e 1918-s ai ishte i vetmi nga shtatë motrat e vëllezërit që mori gripin. “Ende nuk e di sesi jam këtu”, do të thoshte Ameal Peña tashmë 105-vjeçar, për gazetën “El Mundo”.

“Kur u ngrita, mezi ecja. Më duhej të zvarritesha këmbadoras”. Ndërsa luftonte me ethe të pashtershme, një mjek i rekomandoi avuj me eukalipte dhe leshterikë të zier.

Javëve të fundit, Ameal Peña ka ndjekur me ankth ndërsa pandemia e re zhvillohet. Spanja është mes shteteve më të goditura, me 1720 vdekje ndërsa numri vijon e shtohet.

“Ai e di tamam se ç’po ndodh me koronavirusin”, do të thoshte e bija, Anunciata për El Mundo-n. “Duke qenë se ai e ka përjetuar të gjithën këtë, po kalon kohë të vështira tani. Druhet se diçka e ngjashme do të ndodhë sërish, edhe pse jetojmë në kohë krejt të tjera”.

Ndonëse frika e ndërsyer nga të dy pandemitë është e ngjashme, përparimet shkencore kanë bërë të mundur izolimin e virusit, kanë testuar barna antivirale dhe kryejnë trajtime mjekësore komplekse.

Nga ana tjetër e Atlantikut, një tjetër i mbijetuar i gripit të 1918-s, 107 vjeçari Joe Newman, ofron perspektivën e tij. “Ka nga ata prej nesh që thonë, epo mirë, edhe kjo do të ikë. Dhe do të ikë”, do të thoshte banori i Sarasotas në Florida për NBC News. “Por me çfarë kostosh, me çfarë fature?”

Newman i nxit njerëzit të mbështeten tek njëri-tjetri. “Ti duhet të jesh paterica ime. Unë duhet të jem e jotja. Ka qenë kështu në çdo krizë që kemi pasur’, do të thoshte ai. “E më pas zbulojmë, kur kthejmë kokën pas, se kjo na ka bërë ta kalojmë”./ Liberale.al

 

 

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back