Kryesore

I destinuar për vetmi

               Publikuar në : 11:09 - 05/08/19 LP

Tobias Xhaxhiu

Fantazia është një çështje serioze. Pa të, shoqëria njerëzore s’do t’ishte tjetër veçse një formacion i zhveshur nga idetë e aspiratat, një vijimësi e pathyeshme dhe amorfe brutaliteti, porsi vargmalet e rreshkura të Sierrës në romanin “Njëqind vjet vetmi” të Gabriel Garsia Markez.

Makondo, mbase një reminishencë e mbrapshtë e “Tokës së Premtuar”, s’mund të themi se është një version i pranueshëm i një toke të magjepsur, ku zana të vogla bredhin hojeve me mjaltë, të shoqëruara nga moskokëçarje tipike që krijesat fantastike ushqejnë ndaj realitetit, por i ngjan më tepër një pasoje të Big Bang-ut, një Parajse të vrazhdë, ku mund të jetojnë vetëm njerëz të guximshëm.

Aty ku ka njerëz të guximshëm, apo thënë më mirë marrëzi të guximshme, pa dyshim që do të ketë dashuri, epsh, fantazma e profeci, si dhe dylbi nga ku Hose Arkadio Buendia, ati themelues i Makondos, mund të shihte për së largu arixhofkën mashtruese të Melihadesit. Me pak fjalë, fantazia e Garsia Markez është një aliazh i etalonit letrar që ne njohim, i kulturës spirituale të Amerikës Latine, si dhe njëfarë atavizmi i letërsisë spanjolle, ku në dallim nga Servantesi, Don Kishotët e tij luftojnë me një ndjesi të pakohë e melankolike, Vetminë.

Markez në këtë roman, ashtu si personazhi i tij Hose Arkadio, ka marrë rolin e një rrëfyesi të gjenezës. Zanafilla e botës është atje, në gjirin e një familjeje të humbur në kërthizën e një kontinenti të paanë skllevërish e konkuistadorësh, ku pasardhësit: fëmijët, nipërit e mbesat janë rimishërime të paraardhësve, pa harruar mëritë e tyre, cenet, virtytet e mallkimin që u rrjedh në deje. “I pari i fisit do të lidhet pas një peme dhe të fundmin do ta hanë milingonat” do të lexonte Aurelianoja në faqet e epigrafit të humbur, pak çaste përpara se të shihte, ndoshta në skenën më të arrirë estetikisht, se si një ushtri milingonash po mbanin mbi supe mbetjen e foshnjës së tij, duke parathënë fundin tmerrues.

Metoda e Markez është e papërcaktuar dhe vështirë se mund të kanalizohet te diçka e njohur paraprakisht. Ai u drejtohet me gjuhë poeti kombësive të Amerikës jugore, pa nevojën e hartave e gjeografisë perëndimore, por vetëm nëpërmjet fjalësh, përjetimesh e mbresash dhe ata e kuptojnë më së miri.

Isabel Allende, pak ditë pas ndarjes nga jeta të autorit në vitin 2014, u shpreh në një intervistë për Democracy Now, se Markez “u ktheu mbrapsht historinë”. “Ai është mjeshtri i mjeshtërve”, thotë Allende. “Në një farë mënyre, ai pushtoi lexuesit dhe pushtoi botën dhe i tregoi asaj për ne, latin-amerikanët dhe na tha kush jemi. Në faqet e tij, ne e pamë veten në një pasqyrë.” Allende përshkruan herën e parë kur lexoi “Njëqind vjet vetmi”: “Ishte sikur dikush po më tregonte historinë time”, u shpreh ajo. Përtej kësaj, Allende e përcaktoi Markezin si skalitësin e rrymës së realizmit magjik në formën më të pastër. Gjithashtu, “Njëqind vjet vetmi” u shndërrua në frymëzim për të shkruar romanin e saj të parë në ekzil, “Shtëpia e shpirtrave”.

Roli i Markez në këtë roman është ai i një Zoti, i pajisur me skeptër e peshore, që ndjek evoluimin e gjallesave të tij e shndërrimin në forma të reja, pa braktisur origjinën dhe fatin që i pret. Bashkë me to rritet edhe Makondo, një qytet kërthi që shumë shpejt, në harkun e vetëm njëqind viteve do të ngrihet nga balta, do të njohë shtëpi e hekurudha, shpikje e injorancë, fitore e humbje dhe në përfundim, sërish baltë.

Makondo, në dallim nga Kurrkundi, ku gjithçka bëhet e mundur dhe në mos qoftë e tillë, është një tokë ku ligjet shoqërore të modernitetit pleksen me përjetime të tepruara e irracionale, ku mjafton një valë e beftë e të nxehtit për ta turfulluar njerëzinë në atë pikë, thua se i ka zënë tërbimi. Bëhet fjalë për një tokë ku shirat mund të zgjasin për 4 vite, 11 muaj e 2 ditë apo ku epidemitë janë aq tinëzare, sa në vend që t’i shfarosin të prekurit, ua zhveshin kujtesën e i lënë të pagjumë. Ky është gjithashtu një roman mbi mbijetesën.

Përtej frazave të parfumosura e elektrizuese, shfaqet historia e një populli në luftë të përhershme përballë opresionit të gjelbër të natyrës dhe nevojës së saj legjitime për ta nënshtruar njeriun, ndonëse egoja e këtij të fundit është e papërmbajtshme. Në sfondin e sagës familjare nduken zhvillime politike, të cilat megjithëse të përcjella zbehtë flasin shumë për gjeopolitikën, praninë amerikane në rajon dhe po kështu, sjell para syve të lexuesit fytyrën e vërtetë të këtyre popujve në rrugën e pakthim të shndërrimit nga të kolonizuar në kolonizues të vetvetes dhe kontinentit të tyre.

Trashëgimia shpirtërore e Amerikës Latine është ngjizur qysh në krye të herës nga hiperbola. Kolonizatorët, në letrat që u shkruanin mbretërve të Spanjës apo Portugalisë, përshkruanin një kontinent qeniesh prehistorike, ku lumenjve rridhte ar, apo ku njerëzit qëllonin të kishin shputa aq të mëdha saqë mund t’i përdornin si strehë për t’u mbrojtur nga rrezet vrastare të Tropikut. I ndodhur në një mjedis të tillë stërmadhimesh e rrëfenjash, që edhe mund të kishin ndodhur, autori nga bregu i Arakatakas u njoh qysh në vogëli me aspektin e panjohur të gjërave, me një botëpërmbysje, si në letrat e bixhozit, ku në të dyja kahet e gjen nga një kokë.

Rrjedhimisht, tepria është e justifikuar. Nganjëherë duket se Markez është në luftë me veten, për shkak të tyre dhe herë të tjera, gjithçka duket krejt e arsyeshme, sublime, siç fati i Makondos, i destinuar për vetmi, nën shtypjen frymëmarrëse të xhunglës./Gazeta Liberale

 

 

(Visited 158 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *