Aktualitet

Humb jetën nga Covid-19 aktori fierak, Fatmir Xhelili

Shkruar nga Liberale
Humb jetën nga Covid-19 aktori fierak, Fatmir Xhelili

Është ndarë nga jeta një nga simbolet e artit dhe kulturës fierake, aktori i madh i teatrit dhe estradës së Fierit, Fatmir Xhelili. Aktori humbi jetë në moshën 69-vjeçare.

Aktor në teatrin “Bylis” të Fierit, Fatmir Xhelili, për 46 vjet rresht, ai ka interpretuar përkrah emrave të mëdhenj si Fuat Boçi, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj. Fatmiri e ka nisur rrugën e artit si aktor amator.

Ai punonte si elektricist në uzinën e naftës në Ballsh, ndërsa pas pune angazhohej në teatër. Puna si aktor amator ka zënë një vend të veçante për aktorin Fatmir Xhelili.

Interpretimi me mjeshtëri i roleve që merrte, e bënë Fatmirin një figurë të dashur për publikun. Me gjithë dëshirën për të interpretuar në dramë, karrierën më të madhe ai e ka në komedi. Ishte regjisori Pellumb Kulla ai që i dha rolin e parë në komedinë me titull “Këpucët angleze”. Për kolegët, aktori Fatmir Xhelili është edhe një bashkëpunëtor shumë i mirë.

Fatmir Xhelili ka interpretuar gjatë karrierës së tij rreth 180 role në dramë dhe komedi, ku është vlerësuar edhe me 4 çmime të para si aktori më i mirë.

Disa nga komeditë që ai ka interpretuar rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa” e Chehovit, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri i katit 15” etj. Gjithashtu edhe në dramat “Pazari”, “Vite të paharruara”, “Fqinjët”, disa prej të cilave me regji të Serafin Fankos, Dhimitër Orgockës, Gëzim Kamës, etj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH