Globi

Hodhi macen nga çatia 8 metër e lartë e lokalit, 15 mijë euro gjobë shqiptarit

Shkruar nga Liberale
Hodhi macen nga çatia 8 metër e lartë e lokalit, 15 mijë

Një 55-vjeçar shqiptar është dënuar me 15 mijë euro gjobë në Greqi, pasi teksa punonte në një ndërtesë në ishullin e Hidras ka hedhur një mace nga rreth 8 metra lartësi duke e plagosur.

Sot në orën 11:00, 55-vjeçari që hodhi kotelen nga çatia duke shkaktuar tronditje dhe neveri te klientët e lokalit që po drekonin ka dalë para gjykatës dhe prokurori ka kërkuar dënimin me gjobë administrative maksimale prej 15 mijë eurosh.

Kotelja e plagosur në fytyrë, siç shihet edhe në foton e paraqitur nga protothema.gr, është gjetur nga policët lokalë.

“Për aktin e ndodhur në orën 18:05 të datës 30.04.2023 në Hidra Atikë, raportohet se sipas një deklarate plotësuese të denoncuesit, kafsha katërkëmbëshe e dëmtuar është lokalizuar dhe duket se është në gjendje të mirë shëndetësore. Pas kësaj është njoftuar Prokurori kompetent për Mbrojtjen e Kafshëve në Gjykatën e Qarkut Pire dhe të akuzuarit i është shqiptuar një gjobë administrative prej 15.000 euro, në pajtim me nenin 24 paragrafi 1A të ligjit 4830/201” , thuhet në deklaratën e policisë.

Policia ka kërkuar të ketë një pasqyrë të plotë të gjendjes së kafshës, përpara përfundimit të dosjes dhe vendosjes së gjobës, pasi sipas ligjit gjobat administrative, për vrasjen e një kafshe, variojnë nga 30.000 deri në 50.000 euro nëse kafsha ngordh, ndërsa nga 5000 deri në 15000 euro nëse ia del të shpëtojë.

Punonjësit e policisë vendore që pas denoncimit e kanë arrestuar 55-vjecarin shqiptar.

NGJARJA DHE DËSHMIA

Sipas raportimit të protothema.gr, ngjarja është vënë re për herë të parë nga një grua kur kotelja i ka rënë papritur në këmbët e saj. Nga përplasja e rëndë trotuari u mbush me gjak. Më pas ajo së bashku me një palë tjetër dëshmitarësh okularë shkuan në Komisariat për të denoncuar ngjarjen. Siç u shpreh Maria Mitseli , pronare e dyqanit turistik në katin përdhesë, i cili ndodhet direkt poshtë lokalit “Psaropoula”, autori është një mesoburrë, i cili në atë kohë ndodhej në tavernë me grupin e tij.

“Isha ulur jashtë dyqanit kur pamë macen të rrëzohej nga një lartësi prej tetë metrash. Tenda e dyqanit tim preu rënien por macja mori një lëndim në fytyrë. Kafsha ka rënë para një turisti athinas dhe burrit të saj i cili vrapoi për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe më pas ai që e hodhi u përgjigj atyre: “A keni ndonjë problem? Unë e hodha”.

Autori ka qenë me një grup grash dhe burrash që po qeshnin, sipas dëshmisë.

“Policia mbërriti shumë shpejt dhe e solli në departament”, tha dëshmitari okular.

Georgios Gerasimosi cili vrapoi me gruan e tij për të përcaktuar shkakun e rënies së maces, duke folur për protothema.gr, raportoi si më poshtë: “Macja ra nga ballkoni i Psaropulës, nga një lartësi prej tetë metrash. U plagos në fytyrë dhe u mbush vendi me gjak. U ngjitëm në çatinë e Psaropulës dhe pyetëm grupin e ulur atje nëse e panë se kush e hodhi macen. “E hodha, a ke problem?” m’u përgjigj një zotëri trupmadh. Unë u thashë se do të telefonoja policinë dhe ata më thanë: “Bëni çfarë të doni”. Në të vërtetë, ne shkuam në AT dhe raportuam ngjarjen”.

Ndërkohë, shqiptari ka tentuar të justifikojë aktin e tij të shëmtuar përpara efektivëve të policisë së Hidrës, duke thënë se nuk kishte ndërmend të dëmtonte katërkëmbëshin fatkeq dhe se pas shtytjes që i bëri maces i “humbi ekuilibri” dhe ra nga një lartësi prej tetë metrash duke rezultuar në lëndime në fytyrë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH