Leteratura

Historia ime me Mart Kajanin

               Publikuar në : 11:32 - 06/05/19 V Liberale

Saimir Muzhaka

Të shkruash një roman do të thotë të përshkosh dy periudha fort të mundimshme: njëra, teksa nën vetminë që të bren siç bën kërrmia me drurin, ulesh dhe shkruan me orë, ditë, javë e muaj të tërë, mbi personazhe që së pari të kanë mrekulluar e të kanë dhënë përshtypjen se kanë diçka për të thënë, dhe tjetra, jo më pak gërryese se e para, kur sapo e ke përfunduar historinë dhe shkruan “Fund”, që në fakt është vetëm “Fillimi” i asaj çka vjen pas.

Vjen koha kur, ai subjekt i jashtëzakonshëm të duket pa ndonjë cilësi të veçantë, e kur fjalët e personazheve që teksa i shkruaje të bënin për të qeshur, tingëllojnë tanimë një budallallëk me brirë. Ndoshta, nuk është një e vërtetë e madhe për krejt autorët, por edhe një e pavërtetë, s’mund të jetë kurrsesi, mua, më e pakta, kështu më ndodh. Në përfundim të çdo romani, ndiej një rritje të dukshme të mosbesimit ndaj plotësisë dhe pasurisë së veprës. Sidomos kur gjatë kësaj kohe më bien në duar libra të shkruar mjeshtërisht, që nga një krahasim i pashmangshëm prej instinktit, më bëjnë të mendoj se nuk kanë mbetur shumë arsye për të shkruar … Ka të ngjarë që pasiguria të të ngjisë drejt suksesit, sesa të të rrëzojë në dështim, sidoqoftë, përtej këtij qëndrimi optimist, vlen të theksohet që autori, pasi e përfundon veprën, ndien patjetër një nevojë të madhe për ta ballafaquar atë me lexues, duke qenë se askush nuk shkruan për veten. Në Shqipëri, në një kohë kur letërsia shqipe po i humbet lexuesit gjithnjë e më tepër, të gjesh dikë që ta lexon dorëshkrimin, veçanërisht kur ke një emër të vogël në këtë fushë, është gati-gati e pamundur. Epo mirë, mund të ta lexojë një nga familjarët, në rastin më të mirë ndonjë shok/shoqe apo edhe halla, që jo gjithmonë kanë një gjykim të fortë letrar, aq sa për të të dhënë një vlerësim bindës që diç ke gatuar.

Kjo ishte arsyeja pse ditët e para të prillit dorëzova përmes email-it të çmimit “Kadare” dorëshkrimin me titull “Mart Kajani”. Paçka se edhe konkurset letrare shpesh gjykohen në Shqipëri, për mua mbeten një mundësi e mirë për ballafaqimin aq të dashur të një pune rraskapitëse, që mund të përfytyrohet edhe vetëm nga këto fjalë të Uajldit: “E kalova gjithë mëngjesin për të shtuar një presje, kurse pasdite e hoqa”.

Romani në fjalë, i ndarë në 12 kapituj, i shtrirë në 110 faqe kompjuterike, i shkruar përgjatë 5 muajve në “Friend’s Book House”, trajton historinë e Martit, një fshatar me personalitet të ndërlikuar, që përballet me një çrregullim mendor, e të cilin më tepër se vetë sëmundja, e mposht përjashtimi dhe stigmatizimi i shoqërisë ku jeton.

Ja, Marti arrin t’u thotë diçka edhe të tjerëve, mendova pas përzgjedhjes së dhjetë finalistëve. Dhe kjo përzgjedhje, ku përfshihen emra të njohur të letrave shqipe, më dha një gëzim të shfajësuar, gëzimin e një autori të ri, që endet mes mëdyshjesh të mëdha. /Gazeta Liberale

(Visited 9 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *