Dossier

Historia e Bajraktarit të Hotit, që refuzoi “ofertën” e UDB në Damask

               Publikuar në : 18:48 - 03/07/20 liberale

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të fisit të madh të bajraktarëve të Hotit dhe Malësisë së Madhe, të kryesuar prej Çun Mulës, e vetmja familje e besimit mysliman në atë zonë, i cili në krye të malësorëve të besimit katolik, kryesoi parinë luftoi kundër forcave osmane dhe serbo-malazeze, duke u përjetësuar edhe në një këngë, që vazhdon të këndohet edhe sot në ato treva të Veriut të Shqipërisë. Dëshmia e Kastriot Bajraktarit, i biri i Mul Deliut dhe nipi i Çun Mulës, se si u trashëgua paria e Bajrakut të Hotit, nga gjyshi i tij, Deli Meta dhe më pas nga babai i tij, oficeri i Monarkisë, i cili pasi kishte marrë pjesë në shtypjen e Kryengritjes së Mirditës në 1921-in i dërguar i ministri i Brendshëm, Ahmet Zogut, në 1925-ën u dërgua përsëri nga Zogu për të arrestuar Dom Loro Cakën, organizatorin e Kryengritjes së Dukagjinit që ishte financuar nga Beogradi. Karriera brilante ushtarake e Mul Bajraktarit gjatë periudhës së Monarkisë dhe arrestimi nga italianët pasi s’pranoi të sulmonte forcat partizane dhe ato nacionaliste në Luftën e Reçit në ’43-in, si dhe arrestimi nga forcat gjermane, pasi ai s’pranoi të luftonte përkrah tyre, duke e internuar në kampet e  shfarosjes në Austri. Kthimi i Mul Deliut në Itali në ’45-ën, ku më ndërhyrjen e Mbretit Zog ai u liria nga kampi i Rexhio-Emilias dhe së bashku me 30 ish-ushtarakë të Monarkisë u larguan për në Siri, duke u inkuadruar me forcat ushtarakë siriane. Vdekja e tij në vitin 1952, pasi kisht refuzuar “ofertën” e majorit të UDB-së jugosllave, Çedo Mijoviç, për t’u vënë në krye të emigracionit antikomunist shqiptar, me qëllim për të desantuar në Shqipëri, si dhe vuajtjet e familjes së tij në kampet e internimit në fshatrat e Myzeqesë.

“Në 6 prillin e vitit 1939, kur u dha lajmi se Italia fashiste po sulmonte Shqipërinë, Mbreti Zog e thirri babanë tim, Mul Bajraktarin, i cili asokohe mbante gradën e majorit dhe e caktoi në detyrën e komandantit të forcave ushtarake, për mbrojtjen e Vlorës. Por ndërsa Mul Bajraktari në krye të forcave të armatosura  po përgatitej të nisej për në qytetin e Vlorës, u ndryshua urdhëri dhe Komanda e Përgjithshme e Mbrojtjes Kombëtare që sapo ishte formuar, e caktoi atë me detyrën e Komandantit të Batalionit “Deja”, të cilit i ishte dhënë urdhëri për t’u vendosur në rrëzë të kodrave të Shijakut, ku ishte dhe vija e dytë e rajonit të mbrojtjes. Babai im, Mul Bajraktari, në krye të forcave, u instalua në atë vënd ku qëndroi deri në pasdreken e 7 prillit, ku forcat italiane e thyen qëndresën e Batalionit “Deja”, i cili ishte i paisur keq dhe me ushtarë të mobilizuar në 24 orët e fundit. Pas disfatës që pësoi batalioni i tij, babai së bashku me disa oficerë të tjerë u kthyen në Tiranë, ku u informuan se Mbreti me Oborrin e tij dhe një pjesë të Gardës, ishin nisur për në Korçë”. Dëshmon për Memorie.al, Kastriot Bajraktari, djali i madh i nënkolonel Mul Deli Bajraktarit, që rrjedh nga familja e famshme bajraktarëve të Hotit dhe Malsisë së Madhe, të cilët për disa shekuj udhëhoqën malsorët e asaj krahine në luftrat e tyre kundra forcave turke dhe serbo-malazeze.  Cila është historia e familjes së Mul Bajraktarit dhe kush ishin pinjollët më të njohur të atij fisi të madh në Veriun e Shqipërisë? Cilat ishin disa nga betejat dhe ngjarjet që lidhen me emrat e burrave të asaj familje dhe përpjekjet e Krajlit të Malit të Zi dhe Mbretit Aleksandër për t’i shmangur ata nga rruga e tyre? Cilët ishin pasardhësit e Çun Mulës, të cilit i ka kënduar padër Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcisë” dhe si u persektua familja e nënkolonel Mul Deli Bajraktarit, pinjollit të fundit të kësaj familje, që trashëgoi dhe mbajti Bajrakun e Hotit e Malësisë së Madhe.

<
>
481px-The_delegation_of_Sanjak_of_Shkodra_in_the_League_of_Prizren 20200702_223104 20200702_223135 20200702_223204 20200702_223315 20200702_223345 20200702_223421 20200702_223451 cun-mula Cun-Mula_Bajraktari-i-Hotit-189165_n-720x415 DOREZIMI-I-ARMEVE-1 Lufta-e-Koplikut.-Çeta-e-Kel-Marubit.-Kel-Marubi-1920-720x415 Shkodra-Marubi-Museum2 unnamed-1

Familja e Çun Mulës, prijsit të Hotit e Malësisë së Madhe

Një nga ato familje të mëdha që ka nxjerrë burra të shquar dhe ka bërë emër të madh në historinë e Shqipërisë, është dhe familja e Çun Mulës, apo siç njihet ndryshe “Bajraktari i Hotit dhe i Malësisë së Madhe”. Që nga shekulli i XV-të kjo familje ka qenë e përmëndur gjithmonë në Veriun e Shqipërisë, përkrah familjeve Zogolli të Matit, Gjonmarkajve të Mirditës, Kaloshëve të Dibrës dhe Mulosmanëve të Krasniqes. Sipas disa gojdhënave dhe dëshmive të ndryshme, historia e kësaj familje apo më saktë e fisit të Bajraktarëve të Hotit dhe Malësisë së Madhe, njihet që prej dymbëdhjetë brezash dhe një nga të parët e trungut të saj ka qenë Luc Gjori. Po kështu, thuhet se ky person, ishte ai që fitoi dhe mori parinë e Bajrakut të Hotit, të cilën e trashëgoi më pas dhe fisi i tij brez pas brezi, deri në mesin e shekullit të kaluar. Luc Gjori, e fitoi të drejtën të mbante Bajrakun e Hotit dhe Malësisë së Madhe, pasi u shqua për guxim dhe trimëri të rrallë në Luftën e Tivarit në Malin e Zi. Po kështu nga pozita e Bajraktarit që u fitua prej Luc Gjorit, ajo familje kishte të drejtë të përfaqësohej në krye të vëndit, në kuvendet e ndryshme që mbaheshin në Shqipërinë e Veriut dhe bashkë me fisin, të ishin si udhëheqës (flamurtarë) në krye të luftrave që zhvilloheshin në atë krahinë dhe zonat përreth. Nisur nga të drejtat e detyrimet që i jepte posti i Bajraktarit shtëpisë së tij, Luc Gjori krijoi “Beslidhjen e Malësisë së Madhe” për të bërë të mundur mbrojtjen e krahinës dhe bajrakut të tij, nga situatat e vështira që krijoheshin herë pas here. Një nga kushtet e para që u vu dhe u pranua në atë Beslidhje të krijuar prej Luc Gjorit, ishte dhënia e besës për ndalimin e çdo vrasje, grabitje apo gjakmarrje brenda krahinës, gjë e cila u mbajt nga të gjitha fiset e Bajrakut të Hotit dhe e gjithë Malësisë së Madhe. Pas Luc Gjorit, një nga figurat më të njohura të asaj familje,  ka qenë dhe Çun Mula, i cili u lind në vitin 1818-të. Sipas të drejtës zakonore të sanksionuar në Kanunin e Maleve, Çun Mula trashëgoi parinë e Bajrakut që kishte pasur familja e tij dhe u vu në krye të malsorëve, duke i udhëhequr ata me trimëri e besnikëri në luftrat e shumta që u zhvilluan në atë krahinë kundra forcave serbo-malazeze dhe atyre turke.

Çun Mula, trashëgues i Bajraktarit të Hotit

Po kështu nga dëshmi të ndryshme rezulton se Çun Mula të ketë marrë pjesë si ushtar i Perandorisë Osmane, në luftrat e Krimesë dhe Moresë. Nisur nga emri i madh që krijoi Çun Mula në atë krahinë, në vitin 1878, paria e Hotit dhe e Malësisë së Madhe, e zgjodhi atë si përfaqësues të saj në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit që u mbajt në 10 qershor të atij viti, nën kryesinë e Iljaz Pashë Dibrës (Qokut). Në këtë kuvend, Çun Mulës i’u caktua edhe funksioni i komandantit të forcave vullnetare ushtarake, për gjithë Malësinë e Madhe. Një nga betejat më të mëdha që udhëhoqi Çun Mula, ku dhe u shqua për guxim e trimëri të rrallë, ka qenë lufta e Zharnicës, ku ai me malsorët vullnetarë që komandonte, i theu keqasi forcat ushtarake të rregullta të Krajl Nikollës së Malit të Zi. Po kështu disa vite më pas, Çun Mula luftoi përsëri edhe kundra forcave ushtarake të Perandorisë Osmane, kur ajo doli hapur në favor të Malit të Zi, për lëshimin e Hotit, Grudës, Plavës dhe Gucisë. Një nga betejat më të njohura që zhvilloi Çun Mula kundra forcave turke, është ajo e zhvilluar në Bajzë të Kastratit, kundra forcave ushtarake të Bedri Pashës. Gjatë asaj beteje, Çun Mula kërkoi mbështetjen e kapidan Hodo Beg Sokolit, i cili ishte komandant ushtarak i Veriut të Shqipërisë, me qendër në Shkodër dhe ai e furnizoi me armatime të shumta për forcat vullnetare që Çun Mula i mblodhi në Postribë, Shkrel dhe Kastrat. Thuhet se komandanti i forcave turke, Bedri Pasha, duke e parë të pamundur përplasjen me malsorët e udhëhequr prej Bajraktarit të Hotit, të cilët ishin të vendosur të luftonin me çdo kusht për të mbrojtur tokat e tyre, i’u shmang përpjekjes së armatosur dhe i hapi rrugën Çun Mulës.

Betja që zhvilloi Çun Mula e cila u përjetësua në këngë

Kjo ngjarje asokohe bëri bujë të madhe, aq sa u përjetësua edhe në këngët e folklorin popullor, duke u kënduar me lahutë nga disa breza. Në një nga ato këngë, ndër të tjera thuhet: “Ku po shkon more Çun Mula / Prej Kelmendi sot u ula / Kam marrë vesht se m’ashtë zanë rruga / M’ashtë zanë rruga me shumicë / Prej Kastrati deri në Kamicë”. Nga ato këngë të kënduara prej malsorëve të asaj krahine, është frymëzuar dhe Padër Gjergj Fishta, i cili në veprën e tij madhore, “Lahuta e Malcisë”, ndër të tjera shkruan: “Vjen Çun Mula, e vjen Mark Lula / Njeni i Hot e tjetri i Shalë / Të rrebtë për pushkë e të urtë për fjalë”. Përveç aktivitetit të tij si prijës ushtarak në krye të malsorëve, Bajraktari i Hotit Çun Mula, njihej dhe respektohej edhe si burrë i urtë në pajtimin e gjaqeve apo ndarjen e gjyqësive të ndryshme, jo vetëm në krahinën e tij por edhe më gjërë në Veriun e Shqipërisë. Po kështu Çun Mula është i njohur edhe për kontributin e dhënë në pajtimin në mes parisë së Lezhës dhe bajraktarëve të Mirditës, në grindjet e tyre të vazhdueshme për caktimin e kufijve në mes dy krahinave. Aso kohe, që ato grindje në mes dy krahinave ishin acaruar shumë, kapidani i Mirditës Gjon Markagjoni, me pëlqimin edhe të bajraktarëve të Lezhës, e thirri Çun Mulën, i cili i ndau kufijtë, duke i lënë të kënaqur të dy palët. Thuhet se ato kufij ku i nguli gurët Çun Mula, vazhdojnë të jenë edhe sot kufijtë që ndajnë dy krahinat e Lezhës dhe Mirditës. Çun Mula vdiq në vitin 1896 në moshën 76 vjeçare dhe u varros me nderime  në trojet e të parëve të tij në krahinën e Hotit.

Deli Meta, pasues i Çun Mulës në krye të Bajrakut të Hotit

Pas vdekjes së Çun Mulës, një nga burrat e shquar që nxorri ajo familje, ishte nipi i tij, Deli Meta, i cili u lind në vitin 1857. Ashtu si të parët e familjes së tij edhe Deli Meta pjesën më të madhe të jetës, e kaloi në luftra kundra forcave serbo-malazeze. Nga dëshmi të shumta, thuhet se Deli Meta u bë tmerri i serbo-malazezëve, nga trimëritë që ai tregoi në Luftën e Qytezës, Nën-Helmësit e Grabanicit. Po kështu një nga betejat e famshme ku u shqua Deli Meta, ka qenë edhe ajo Koplikut në vitin 1912, kundër forcave serbo-malazeze, të cilat kërkonin që t’ia aneksonin Shkodrën, Malit të Zi. Në këto luftime përkrah Deli Metës, luftoi edhe i biri i tij Mul Bajraktari, si dhe Luc Nishi, që ishte prej fisit të Dedë Gjon Lulit. Pas asaj beteje, në shënjë hakmarrje, forcat malazeze i’a dogjën tri herë shtëpinë Deli Metës në Hot, dhe tri herë Krajl Nikolla i Malit të Zi bashkë me Mbretin Aleksandër, i kërkuan atij që t’ju hapte rrugë në këmbim të florijve dhe gradave, gjë e cila u refuzua në mënyrë kategorike nga Bajraktari i Hotit dhe i Malësisë së Madhe. Mbasi Serbija dhe Mali i Zi aneksuan gjysmën e krahinës së Hotit, Grudën dhe Tuzin, Krajl Nikolla i Malit të Zi, dërgoi Ministrin e tij të Jashtëm që ta bindëte Deli Metën dhe parinë e Hotit, që ata të firmosnin një deklaratë, ku pjesa e mbetur e Hotit të bashkohej me Malin e Zi. Për këtë gjë, ministri i Krajl Nikollës i propozoi Deli Metës një shumë të madhe me flori, si dhe grada të larta, por Deli Meta bashkë me parinë e Hotit, e refuzuan me neveri propozimin e ministrit malazez. Thuhet se gjatë një gostije të zhvilluar në Pallatin e Krajl Nikollës, ku ishin ftuar oficerët më të shquar të Malit të Zi, Krajli i pyeste ata se kush ishin prijsit shqiptarë më të rrezikshëm, që u paraqisnin atyre probleme serioze. Pas shumë përgjigjieve të ndryshme të oficerëve malazezë, që jepnin mendimet e tyre, Krajl Nikolla, i’u drejtua të pranishëmëve duke u thënë: “Unë dy vetave ua kam frikën: Bajraktarit të Hotit, Deli Meta që është mysliman dhe qeveris një krahinë katolike dhe Bajraktarit të Grudës, që është katolik dhe qeveris një krahinë myslimane. Sepse në rast të një konflikti, ata të dy e kanë të gjithë popullin me vete”. Me ardhjen e trupave austro-hungareze në vitin 1916, Deli Meta së bashku me të birin e tij, Mul Bajraktarin dhe 150-të burra të tjerë nga Hoti dhe Malësia e Madhe, u internuan në Ashah Dynave (afër Vienës) ku u mbajtën deri në vitin 1918, kur mbaroi Lufta e Parë Botërore. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, konsulli Italian, Meloni, i propozoi dy herë Deli Metës, që t’ia ndërtonte kullat e djegura në Hot dhe t’i jepte një shumë të madhe me para, në këmbim të ndjekjes së politikës së tij proitaliane në atë krahinë. Por Deli Meta, i’a refuzoi në mënyrë kategorike atë propozim dhe pas kësaj, autoritetet italiane e internuan atë në fshatrat e Beratit, edhe pse ai në atë kohë ishte në moshën 92-vjeçare. Deli Meta, vdiq në vitin 1945 dhe trashëgiminë e Bajrakut të Hotit prej vitesh, i’a kishte lënë të birit të tij Mul Bajraktarit, i cili ishte shkolluar në Austri dhe gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë, mbante gradën e nënkolonelit.

Kush ishte Mul Bajraktari?

Mul Bajraktari u lind në vitin 1894 në krahinën e Hotit dhe ai ishte fëmija e dytë nga tre djemtë e Deli Metës, që trashëgonte parinë e Bajraktarit të Hotit dhe Malësisë së Madhe. Mul Delia apo siç njihet ndryshe Mul Bajraktari, fëmijrinë e tij e kaloi aty në trojet e të parëve dhe mësimet e para i mori në qytetin e Shkodrës, ku familja e tij kishte miqësi të madhe me pjesën më të madhe të parisë së vëndit. Lidhur me të kaluarën e Mul Bajraktarit, i biri i tij Kastrioti, dëshmonte: “Në fillimin e vitit 1916, kur Muli nuk ishte më shumë se 22-vjeç, së bashku me babanë e tij, dhe njëkohësisht, gjyshit tim, Deli Metën dhe 150 malsorë të tjerë nga paria e Malësisë së Madhe, u internuan nga austro-hungarezët në një kamp afër Vjenës të quajtur Ashah Dynave. Në atë vënd ata qëndruan deri në mbarimin e Luftës së Parë Botërore në vitin 1918-të, kohë në të cilën u liruan dhe u kthyen në Shqipëri. Në vitin 1919-’20, Mul Bajraktari mori pjesë në Luftën e Koplikut, bashkë me forcat vulllnetare të Malësisë së Madhe të kryesuara nga babai i tij, Deli Met Bajraktari dhe gjatë asaj beteje, atij i’u vra dhe shoku më i ngushtë Luc Nishi. Po kështu babai im, Mul Bajraktari, asokohe mori pjesë dhe në Luftën e Kakarriqit kundër forcave serbo-malazeze, të cilat invaduan kufijtë veri-perendimorë të Shqipërisë. Në vitin 1921 kur plasi revolta separatiste e Mirditës, përkrah forcave qeveritare të komanduara nga major Preng Jaku që u dërguan për ta shtypur atë, me urdhërin e Ministrit të Brëndshëm, Ahmet Zogu, aty mori pjesë dhe babai im, Mul Bajraktari, në krye të forcave vullnetare të nisura nga Malësia e Madhe. Gjatë betejave që u zhvilluan aty mori pjesë dhe një kolonel austriak, i cili u plagos rëndë. Kur e mori vesh këtë gjë, kapidani i Mirditës Gjon Markagjoni, i kërkoi takim Mul Bajraktarit dhe i tha: ‘Megjithse jemi në pozicione të kundërta, duke pasur konsideratat ma të larta për fisin e derën e familjes tuej, po ta dorzoj në besën tënde këtë kolonel, që të ma përcjellësh deri në Arqipeshkvinë e Shkodrës’. Muli e mori në besë kolonelin austriak dhe e përcolli deri në Arqipeshkvinë e Shkodrës, nga ku më pas ai u dërgua për në Vienë. Për këtë nder që i bëri kolonelit austriak, përpara largimit nga Shqipëria, ai i dorzoi Mulit në shenjë kujtimi, shpatën e tij, të cilën familja jonë e pati ruajtur deri sa ajo u bastis prej forcave partizane. Disa vite më vonë, në 1925-ën, pasi ishte shtypur Kryengritja e Dukagjinit, kryetari i shtetit, Ahmet Zogu, e ngarkoi babanë tonë Mulin, që të shkonte në Kroin e Bardhë për të kapur Dom Loro Cakën, i cili konsiderohej një nga organizatorët kryesorë të asaj revolte. Sipas urdhërit që mori nga Zogu, babai shkoi në zonën e Dukagjinit, ku pasi mblodhi parinë e saj, u tha se kishte shkuar aty për të arrestuar Dom Loro Cakën, sepse qeveria kishte informata të sakta që ai strehoej aty. Ndonëse kishte marrë atë urdhër prej Zogut, babai nuk donte ta arrestonte atë dhe foli me të zotin e shtëpisë ku strehoej Dom Loro Caka, duke i thënë atij që ta largonte prej andej, pasi ai ishte në kërkim nga qeveria dhe do vinte dikush tjetër që ta arrestonte. Kur u kthye në Tiranë, Zogu e thirri Mulin në Pallat dhe i tha: ‘Bajraktar, më thuej të drejtën pse nuk e arrestove Dom Loro Cakën’?! Muli i’u përgjigj: ‘Nuk e arrestova, se e pashë të arsyeshme, se Dom Lora Caka duhej të jetonte dhe ju Naltmadhëni, nuk do të kishit asnjë dam prej kësaj’. Pas këtyre fjalëve të babës, Zogu i’u përgjigj: ‘Nuk kam çka me të ba o Bajraktar, se të kam mik”, kujton Kastriot Bajraktari, takimin e babait të tij Mulit, me Zogun, pas misionit që ai i kishte ngarkuar për kapjen e Dom Loro Cakës, organizatorit të Kryengritjes së Dukagjinit të vitit 1925, e cila thuhej se ishte financuar nga ana e Beogradit, për rrëzimin e Zogut.

Karriera ushtarake e Mul Bajraktarit

Pas vitit 1925 kur Ahmet Zogu urdhëroi Ministrinë e Brendshmë të ndërrmerte aksionin e çarmatimit të zonave më të nxehta të Shqipërisë, në krahinën e Dukagjinit ai dërgoi Mul Bajraktarin i cili me sjelljet e tija shumë të mira, e kreu atë detyrë me sukses dhe pa asnjë incident me banorët e atyre zonave. Pas atij misioni karriera ushtarake e Mul Bajraktarit filloi një ngjitje të shpejtë, për të cilën i biri i tij, Kastrioti tregonte: “Në vitin 1927 Zogu e transferoi Mulin në rrethin e Gjirokastrës, duke e caktuar në Rojen Mbretërore të Kufirit. Një vit më vonë, duke qenë në atë atë detyrë, Muli u caktua si përfaqësues i palës shqiptare në Komisionin që u ngrit asokohe për rregullimin e Kufirit Jugor të Shqipërisë me Greqinë. Pas përfundimit të asaj detyre në vitin 1929, Muli erdhi në Tiranë për të ndjekur kursin e organizimit të Rojes Mbretërore të Kufirit, të cilin nën drejtimin e instruktorëve italianë, e përfundoi në vitin 1930-të. Pas mbarimit të këtij kursi dyvjeçar, Zogu e emëroi Mulin me detyrën e Komandantit të Batalionit të III-të të Rojes Mbretërore të Kufirit, në zonën e Pogradecit dhe Korçës. Nga viti 1930 e deri në vitin 1937 që babai shërbeu në këtë zonë, ai punoi me një korrektësi shëmbullore dhe me nisitaivën e tij, ngriti kazermën e Leskovikut, si dhe disa çezma përgjatë kufirit, të cilat u shërbenin jo vetëm ushtarëve që ishin aty, por dhe banorëve të atyre fshatrave kufitare. Në vitin 1935, ndërsa Muli po udhëtonte me kalë për një inspektim në atë zonë kufitare që mbulonte, ai u bë objekt i një atentati të organizuar nga jugosllavët, duke u plagosur lehtë në krah. Atentatorët u kapën dhe gjyqi kërkoi t’i dënonte shumë rëndë, por me ndërhyrjen e Mulit, ata u dënuan vetëm me nga tre vite. Babai ndërhyri për dënimin e lehtë të tyre, sepse ajo gjë ishte kurdisur nga sekretari shqiptar i Legatës Jugosllave në Tiranë (Z.P.), i cili u arrestua më pas. Për atë punë shëmbëllore që bëri në zonën e Pogradecit dhe Korçës, Muli u dekorua disa herë nga Mbreti Zog dhe i’u dha grada e kapitenit të parë”, kujtonte Kastriot Bajraktari, lidhur me karrierën ushtarake të babait të tij Mulit

7 Prill 1939, lufton në Shijak

Pas një karriere ushtarake të suksesëshme të Mul Bajraktarit, aty nga fillimi i vitit 1938, Mbreti Zog e transferoi atë në qytetin e Durrësit, me detyrën e Komandantit të Portit Detar, ku punoi deri në fillimin e vitit 1939, kur u caktua për të ndjekur kursin e perfeksionimit të oficerëve në Tiranë, i cili do të drejtohej nga instruktori francez, Andrea De Leo. Lidhur me këtë, Kastriot Bajraktari dëshmon: “Muli nuk arriti që ta përfundonte dot kursin e perfeksionimit të oficerëve që u hap në Tiranë në fillimin e vitit 1939, për arsye se ai u mbyll prej agresionit ushtarak që Italia ndërrmori ndaj Shqipërisë. Në paraditen e 6 prillit të vitit 1939, Mul Bajraktarit i’u ngarkua detyra e komandantit të forcave ushtarake dhe rezerviste për mbrojtjen e Vlorës. Por ndërsa ai po bëhej gati që në krye të forcave që komandonte të nisej në drejtim të Vlorës, Komanda e Përgjithshme e Mbrojtjes Kombëtare e porsaformuar, e ndryshoi urdhërin dhe ngarkoi atë me detyrën e Komandantit të Batalionit “Deja”, të cilit i’u ngarkua detyra luftarake  për tu vendosur në Kodrat e Shijakut, ku ishte dhe rajoni i dytë i mbrojtjes. Sipas urdhërit të dhënë nga komanda eprore, babai im, Mul Bajraktari, me forcat ushtarake që komandonte, u instalua në Kodrat e Shijakut, ku qëndroi deri në pasdreken e 7 prillit, ku forcat e shumta italiane që zbarkun në Durrës, udhëtuan në drejtim të Tiranës, duke e thyer qëndresën e Batalionit “Deja”, i cili ishte i paisur keq nga ana e armatimeve dhe me ushtarë të rekrutuar vetëm në 24 orët e fundit. Pas disfatës që pësoi ai batalion, babai së bashku me disa ushtarakë të tjerë u nisën në drejtim të Tiranës dhe prej aty në drejtim të Korçës ku ishin nisur më parë karvani i automjeteve që shoqëronin Mbretin Zog dhe një pjesë të Oborrit Mbretëror”, kujtonte Kastriot Bajraktari, lidhur me agresionin fashist të shtatë prillit të vitit 1939.

Mbron trojet shqiptare në Mal të Zi

Më datën 9 prill të vitit 1939, kur Ministri i Oborrit i Mbretit Zog, lëshoi një komunikatë ku thuhej që: të gjithë oficerët e Monarkisë dhe nënpunësit të ktheheshin në vendet e tyre të mëparshme, edhe Mul Bajraktari me shumë oficerë të tjerë u kthyen në Tiranë. Në atë kohë Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, e emëroi Mulin me detyrën e Komandantit të Rojes së Financës në qytetin e Durrësit. Lidhur me këtë Kastriot Bajraktari tregon: “Edhe pse u caktua në atë detyrë, organet e SIM-it nisën hetimet ndaj tij, duke e cilësuar si një nga oficerët që kishte kundërshtuar me armë zbarkimin ushtarak në Durrës. Ndërsa ai ishte futur në listat e atyre që do internoheshin, të cilat kishin shkuar në Romë për aprovim, i erdhi urdhëri i transferimit për në Sarandë, ku ishte caktuar komandant kompanije. Babai u detyrua ta pranonte atë detyrë, për arsye se në atë kohë, babën e tij dhe gjyshin tone, Deli Met Bajraktarin, që ishte në moshëm 84-vjeçare, autoritetet fashiste e kishin internuar në fshatrat e Beratit. Pas tre muajsh, Mulin e thirrën në Tiranë, ku dhe i komunikuan lirimin nga detyra ushtarake. Në atë kohë, i detyruar nga nevoja ekonomike, pasi babai kishte në ngarkim familjen prej nëntë vetësh, ai u muarr me tregti. Gjatë kësaj kohe, atij i propozuan që të shërbente me gradën e majorit në Milici, por  nuk pranoi. Po kështu ai refuzoi edhe detyrën e Prefektit në Kosovë dhe funksionin e Këshilltarit Korporativ. Aty nga fillimi i vitit 1942, ai ra në kontakt me persona antifashiste dhe bashkë me ta, u angazhua që të organizonin  një lëvizje të Malësisë, kundra forcave pushtuese italiane. Në kuadër të kësaj lëvizje asokohe, ai pati kontakte të vazhdueshme me Arqipeshkvin e Shkodrës, Monsinjor Gaspër Thaçin dhe Patër Anton Harapin. Aty nga fillimi i vitit 1943, forcat çetnike dhe ato partizane të Titos, ishin organizuar në formacione ushtarake të rregullta dhe ishin afruar në kufijtë e Veriut të Shqipërisë, me synim për të rimarrë Ulqinin, Tivarin, Hotin, Tuzin dhe Grudën. Malësia e Madhe duke pasur parasysh Masakrën e Bihorit, ku u masakruan 5000 shqiptarë, u alarmua dhe në mënyrë që të mos përsëritej më ajo, vendosi që të mbrohej. Në mbledhjen që u organizua në Malësinë e Madhe për këtë gjë, u caktua Mul Bajraktari si kryetar i saj dhe aty u zgjodh një delagacion prej 50 vetash, që nën kryesinë e Mulit, do të vinin në Tiranë për të kërkuar armë. Pas një organizimi që bëri Mul Bajraktari, autoritetet italiane i dhanë atij 2500 armë për Malësinë e Madhe dhe 500 të tjera, i’a dhanë Prenk Calit, për mprojtjen e Kelmendit. Në atë kohë që Muli mori armët dhe organizoi forcat vullnetare të Malësisë së Madhe, në zonën Reç-Lohje-Rrjoll ishin grumbulluar çetat nacionaliste dhe ato partizane të nacional-çlirimtares. Autoritetet italiane i dhanë dy herë urdhër Mulit që t’i sulmonte ato forca, por ai nuk pranoi me asnjë kusht. Ndërsa Muli ndodhej në Tuz, ai i’u dha urdhër forcave të tija, që të mos luftonin në zonën e Reçit kundër partizanëve e nacionalistëve, ku i kishin dërguar italianët me forcë. Si rezultat i refuzimit të forcave që komandoheshin nga Muli, italianët pësuan disfatë në Reç, ku lanë 25 të vrarë dhe 50 të plagosur. Në shenjë hakmarrje ndaj kësaj humbje, koloneli Klementi, e arrestoi Mulin dhe e mbajti për 20 ditë në burgun e Distrellos.

Internohet nga gjermanët

Pas kapitullimit të Italisë, ndonëse Mul Bajraktari mbante detyrën e Komandantit të Kufirit Verior me gradën e nënkolonelit, ai bashkëpunoi ngushtë me misionet angleze që ishin në Veri, për të organizuar rezistencën kundër forcave gjermane. Lidhur me aktivitetin e Mul Bajraktarit në atë kohë, i biri Kastrioti tregon: “Duke e ditur influencën e Mulit në gjithë Malësinë, komandanti gjerman i Gestapos, majori Husding, që ishte në Shkodër, i propozoi atij që në krye të një fuqie prej 2500 forcave vullnetare, të kryente një operacion në Vlorë dhe në Korçë, por Muli e refuzoi në mënyrë kategorike. Po kështu, ai u thirr në Tiranë, ku i’u propozua detyra e komandantit të forcave gjermane të “Operacionit të Dimrit”, të cilën ai përsëri e refuzoi. Pas kësaj, më 27 prill të vitit 1944, majori gjerman Hofman Husding, nxorri urdhërin e arrestimit për Mulin, i cili për të vuajtur dënimin, në fillim u dërgua në Prizren dhe më pas në kampin e Prishtinës. Pas tre muajve që e mbajtën në Prishtinë, Mulin e dërguan në kampin Kerstoplatz të Vienës në Austri, nga ku ai u lirua vetëm me ndërhyrjen e forcave aleate anglo-amerikane dhe atyre sovjetike. Më pas ai shkoi në Itali, ku qëndroi në kampin e Rexhio-Emilias deri në vitin 1947. Në atë kohë me ndërhyrjen e Mbretit Zog, bashkë me 35 ish-ushtarakë të tjerë, ai u lirua prej andej dhe shkoi në Siri, ku i gjithë grupi i oficerëve, u inkuadruan në ushtrinë siriane, po me gradat që kishin pasur në Shqipëri. Në vitin 1949, bashkë me ushtarakët e tjerë ata u çmobilizuan nga shërbimi ushtarak dhe në atë kohë ai mbeti në gjëndje mjaft të keqe ekonomike. Në vitin 1951, Shefit i Zbulimit Jugosllav, Çedo Mijoviç, i propozoi Mulit për të shkuar në Jugosllavi dhe të merrej me organizimin e emigracionit antikomunist, që ai të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri. Pasi u konsultua me Mbretin Zog, Muli i’u përgjigj atij me këto fjalë: ‘Me armët dhe me gradat e Jugosllavisë, unë nuk mund ta sulmoj atdheun tim Shqipërinë’. Babai im Mul Bajraktari, vdiq në Damask të Sirisë në vitin 1952 dhe vetëm pas shëmbjes së diktaturës komuniste, në vitin 1994, me ndihmën e diasporës shqiptare të SHBA-së, eshtrat e tij u sollën në atdhe dhe që nga ajo kohë ato prehen aty në Hot, tek vorret e të parëve tanë” , e përfundonte rrëfimin e tij Kastriot Bajraktari, djali i madh i Mulit, i cili së bashku me vëllanë Melekun, e katër motrat Lirien, Bukurien, Teftën e Dritën, vuajtën për shume vite të internuar në kampet e Myzeqesë. Internimi i tyre erdhi pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës, babanë e tyre, Mul Deli Bajraktarin, e kishte shpallur “armik të popullit” edhe pse fotografia dhe emri i tij ndodhen edhe sot në parcelën e ish-të burgosurve të kampit gjerman, Kerstoplatz, në afërsi të Vienës./Memorie.al

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back