Albert Doja*
Një pionier i harruar
Ndërmjet studiuesve të shquar të albanologjisë, Osman Myderrizi (1891-1973) ndoshta nuk njihet si duhet sepse gjatë periudhës komuniste ai është detyruar të heshtë, është denigruar dhe është dënuar me harresë, ndërsa pas rënies së komunizmit asnjëri nuk është kujtuar për ta promovuar sepse ai nuk ishte as me komunistët as me kolaboracionistët, as nga veriu dhe as katolik, por ishte në kundërshtim të hapur me regjimin monarkik, me regjimin fashist, si dhe me regjimin komunist, thjesht sepse ishte patriot i ndershëm dhe tirans “qytetar nderi” i Tiranës. Askush nuk e di apo nuk kujtohet më se ai ishte deputet i Parlamentit të parë shqiptar, hapi shtëpinë e vet për gjimnazin e parë të Tiranës (sot gjimnazi Qemal Stafa), ishte kryeredaktor i gazetës Ora e Tiranës, inspektor i arsimit në Tiranë, i pari që ka hartuar një histori të plotë kërkimore për trevën e Tiranës të botuar në vitin 1937, autor i Gramatikës së re të shqipes gegnishte të botuar në vitin 1944, si edhe një nga bashkautorët e harruar të Fjalorit të 1954, i hartuar nga një grup me në krye Kostaq Cipo. Myderrizi ka bërë edhe një punë titanike për transliterimin, botimin dhe studimin e letërsisë shqipe me shkronja arabe, apo Divanit, që është tretur në drejtime të paditura dhe është varrosur përfundimisht, ashtu si dhe dorëshkrimet e tij arkivore që nuk dihet më se ku gjinden.
Por çfarë është edhe më e rëndësishme, Osman Myderrizi është një pionier i qasjeve moderne në albanologji, veçanërisht me ndërtimin e modeleve teorike në gjuhësi dhe në shkencat sociale. Kështu për shembull, qasja që i ka bërë Osman Myderrizi kryengritjes së Haxhi Qamilit nga pikëpamja e historisë gojore apo “historisë nga poshtë” është një qasje e paparë për kohën, e cila mbetet edhe sot një qasje novatore nga pikëpamja metodologjike. Gjithashtu, qysh në vitin 1966, me artikullin e tij te Studime Historike mbi “disa probleme të historisë së lashtë të vendit tonë”, Osman Myderrizi ka ofruar një qasje kritike mjaft interesante dhe të guximshme nga pikëpamja teorike, kur ka trajtuar mënyrën se si është studiuar e është shkruar historia e Shqipërisë në funksion të vijës së aleancave politike dhe të orientimeve ideologjike që kanë ndryshuar kohë më kohë.
Remzi Përnaska, kur flet për detyrimin e tij intelektual ndaj Gramatikës së re të Osman Myderrizit, e konsideron këtë vepër si një nga “shtyllat” teorike kryesore të doktoratës së vet mbi sintaksën e gjuhës shqipe të mbrojtur në Paris në vitin 1997. Sipas tij, nga pikëpamja teorike, gjuhësia indoeuropiane nuk ka krijuar akoma një shkollë të konsoliduar për çështjet gramatikore që ka trajtuar Osman Myderrizi, të cilat kanë përmbysur apo të paktën shkojnë përtej logjikës nominalizuese të Aristotelit dhe përbëjnë pa dyshim “një revolucion në të menduarit gramatikor për gjuhën shqipe”.
Në lidhje me qasjet teorike që Osman Myderrizi ka përdorur për të shpjeguar çështje të ndryshme të historisë së letërsisë dhe të gjuhësisë, ndoshta duhet ndalur veçanërisht tek studimet e tij mbi çështjen e ndërrimit të emrit etnik të shqiptarëve, konkretisht me një artikull të vitit 1933 me vijime te Minerva dhe mandej me punimin e vitit 1943 me vijime te Hylli i Dritës dhe sidomos me punimin e vitit 1965 te Studime historike mbi “Emrin e vjetër kombëtar të Shqipërisë në tekstet e vjetra shqip”. Për mendimin tim, Osman Myderrizi është një rast unik në historinë e studimeve shqiptare apo albanologjike dhe duhet konsideruar se ka vënë themelet teorike për trajtimin e çështjes së ndërrimit të emrit etnik shqiptar.
Çështja e shpjegimit të emrit etnik shqiptar
Arsyet dhe shkaqet e ndërrimit të emrit etnik të shqiptarëve mbetet një çështje shumë e rëndësishme, jo vetëm thjesht për albanologjinë, por për shkencat apo studimet shqiptare në përgjithësi. Çuditërisht, nga pikëpamja teknike, kjo çështje është monopolizuar nga gjuhëtarët dhe njihet e rrihet prej tyre që prej afro 250 vjetësh duke filluar me Johannes Thunmann në shekullin e tetëmbëdhjetë, mandej me Johann Georg Hahn në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, si dhe me Gustav Meyer në fund të atij shekulli. Në shumicën e rasteve albanologët e huaj vazhdojnë të fetishizohen për çdo lloj detaji teknik, sidomos kur mund të ketë pasur kohë më kohë ndonjë zbulim apo botim të ri si Fjalori i Francesco Maria da Lecce nga fillimi i shekullit tetëmbëdhjetë, apo kur gjurmohen dëshmi të reja faktike dialektore e leksikore, siç na rikujton një shkrim i ri (PTF 01/08/2020) lidhur me këtë çështje.
Megjithatë, gjuhëtarët janë marrë më shumë me etimologjinë dhe historinë e domethënies së fjalës “arbër” apo “shqiptar”, kjo e fundit e dokumentuar për herë të parë dy herë radhazi rreth viteve 1701-1706 në një togfjalësh lidhur me “gjuhën e shqiptarëvet”, për të identifikuar ata që flasin “shqip”, d.m.th. qartë, kuptueshëm, me një gjuhë të pastër apo ndoshta edhe të kulturuar. Ndërsa thelbit të çështjes për të shpjeguar shkaqet dhe arsyet përse u ndërrua emri etnik nga “arbër” në “shqiptar”, gjuhëtarët nuk i janë afruar pothuajse asnjëherë, ndonëse e përmendin shkarazi si diçka që me sa duket nuk ka ndonjë rëndësi teknike.
Në diskutimet e shumta mbi këtë çështje në rrjete e portale, nxitur nga një variant i mëparshëm i këtij shkrimi (PTF 20/08/2020), pati përpjekje për të krijuar një farë ndarjeje sociale të punës midis gjuhëtarëve dhe studiuesve të tjerë, apo një lloj parcelizimi të procesit kërkimor, duke thënë se “ndërrimi i emrit etnik është një gjë dhe se ç’fjalë u zgjodh si emër i ri është një gjë tjetër”. Në fakt kjo është një kontradiktë vetëm në dukje dhe ndoshta flet më shumë për gjendjen apo mënyrën se si konceptohet kërkimi shkencor në studimet shqiptare se sa për çështjen që kërkohet të hulumtojmë.
Ndërrimi i emrit etnik, se ç ‘fjalë u zgjodh si emër i ri, si dhe pse u ndërrua emri nuk janë çështje të ndryshme, por një çështje e vetme që mund të jetë komplekse por që nuk mund të zgjidhet veçse me përpjekje të përbashkëta të gjuhëtarëve, historianëve, sociologëve dhe antropologëve. Nga pikëpamja shkencore, nëse një çështje kërkimore është aq komplekse sa në rastin e ndërrimit të emrit etnik, parcelizimi i procesit kërkimor në aspektet ekskluzivisht gjuhësore, historike, sociologjike apo antropologjike është shkencërisht kundër produktiv. Në fakt, kjo mund të ndodhë ose vetëm në një mjedis shkencor ku njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit, ose si ka ndodhur në këtë rast kur vetëm gjuhëtarët janë marrë më shumë me çështjen e emrin të ri etnik, vetëm në kushte të një rivaliteti shkencor që flet përsëri më shumë për varfërinë apo mediokritetin e studimeve albanologjike se sa për kompetencat specifike të albanologëve.
Afërmendsh, gjuhëtarët interesohen për ndërrimin e emrit etnik për aq sa ka gjasë që ky të ketë ndodhur për arsye brenda gjuhësore, siç mund të ndodhte, për shembull, sikur një fjalë të binte nga përdorimi për shkak se po bëhej homonimike me një fjalë tjetër si pasojë e një zhvillimi fonetik të caktuar, apo për shkak se nuk po shqiptohej dot ose po ngatërrohej me ndonjë fjalë të ngjashme, etj. etj. Gjithashtu, gjuhëtarët merren më shumë me etimologjinë dhe historinë e domethënies së fjalës “shqiptar” dhe shpjegojnë si ndodhi që kjo fjalë filloi të përdorej si emër etnik, ose dëshmojnë shkallën e përhapjes territoriale dhe ndriçojnë proceset kuptimore që e mundësuan kalimin.
Megjithatë, nëse mjaftohemi me kompetencat gjuhësore për të treguar vetëm cila është, çfarë kuptimesh ka marrë apo ku është përhapur kjo fjalë që shënjon grupin etnik nuk mund të shpjegojmë pse u desh kryer ky ndërrim i emrit etnik, si dhe pse u zgjodh fjala “shqiptar” dhe nuk u zgjodh një fjalë tjetër që mund të perceptohej si e ngjashme ose njëlloj e përshtatshme. Gjithashtu, nuk mund të shpjegojmë çfarë nevojash specifike ka plotësuar kjo fjalë, si dhe çfarë e lidh detyrimisht fjalën “shqiptar” në këtë kuptim të ri me vendin e kështuquajtur “Shqipëri” dhe me grupin etnik të kështuquajtur “Shqiptarë”. Me fjalë të tjera, nuk bëjmë veçse vijmë rrotull pa e zgjidhur çështjen. Me sa duket kështu duhet të ketë ndodhur me gjuhëtarët tanë të shquar, të vjetër e të rinj, që deri diku veçse kanë evidentuar etimologjinë dhe historinë e zhvillimeve kuptimore dhe të përhapjes leksikore të kësaj fjale, si rregull pa treguar se përse vlen apo mund të vlejnë evidentimet e dëshmive të tilla.
Çështja e ndërrimit të emrit etnik është pa dyshim e lidhur me rrethanat historike dhe me kushtet shoqërore e politike në të cilat ka ndodhur ndërrimi dhe pa dyshim trajtimi i kësaj çështjeje kërkon edhe kompetenca shkencore specifike nga fushat e shkencave sociale. Nga pikëpamja shkencore, përftimi i dijeve nuk përparon me grumbullim faktesh por me ndërtim modelesh. Ndërkohë, shumica e albanologëve mbeten të verbuar nga evidentimi dhe katalogimi i dëshmive faktike që dihen e përsëriten prej 250 vjetësh e këtej. Sigurisht, askush nuk mund të gjejë asnjëherë se “çfarë ndodhi” kur shqiptarët ndërruan emrin e tyre etnik, por e vetmja gjë që mund të bëhet, mbi bazën e të dhënave të disponueshme, është të ndërtojmë një model teorik për të shpjeguar njëherazi shkaqet dhe arsyet e ndërrimit të emrit etnik, si dhe pse u zgjodh kjo fjalë dhe jo një tjetër.
Gjuhëtarët duhen konsideruar si studiues që preferojnë së pari qasjet shkencore, ndoshta edhe si albanologë që përdorin qasje shkencore ndërdisiplinore, prandaj, jo nga pikëpamja thjesht albanologjike si paradigmë ideologjike, por nga pikëpamja shkencore e qasjes ndërdisiplinore, besoj se edhe me gjuhëtarët duhet të jemi dakord sëbashku në shumë pika. Kështu, nuk ka nevojë të jesh gjuhëtar dhe as albanolog që të përdorësh e të shfrytëzosh me shumë kujdes dhe rigorozitet maksimumin e mundshëm të dëshmive semantike-leksikore të evidentuara nga gjuhëtarët për të ndërtuar një model të ri shpjegimor sepse janë pikërisht këto dëshmi që bëjnë të mundur ndërtimin e këtij apo atij modeli teorik. Për analogji, në parim nuk ka asgjë që të pengojë gjuhëtarët të përdorin modele teorike shpjegimore për t’u dhënë kuptim serive semantike-leksikore të dëshmive të tyre faktike.
Pa dyshim, gjuhëtarët tanë të shquar, të vjetër e të rinj, përmendin herë pas here gjetje dhe arritje nga fusha të tjera që mund të mos jenë gjuhësore apo filologjike, sidomos kur është rasti për shembull me një koleg nga vetë fusha e gjuhësisë dhe filologjisë si Osman Myderrizi të cilin nuk mund ta lënë pa e përmendur. Në fund të fundit, siç thuhet, kush citon emra të tillë vetëm i bën mirë vetes, jo autorit që citohet, sepse përmendja dhe citimi nderojnë cituesin dhe jo të cituarin. Megjithatë, me sa di unë, Osman Myderrizi është i vetmi ndër gjuhëtarët që ka trajtuar seriozisht çështjen e ndërrimit të emrit etnik shqiptar, por ai nuk është vlerësuar seriozisht asnjëherë për arritjet e tij, pikërisht sepse gjetjet e tij nuk janë teknike por konceptuale.
Kontributi shtegshënues i Osman Myderrizit
Edhe pse kam kuturisur shpesh të gjuaj pa autorizim në rezervatin e ruajtur me fanatizëm prej albanologëve, unë nuk jam gjuhëtar dhe as albanolog, si dhe nuk pretendoj kurrësesi se kam ndonjë kompetencë në këtë fushë. Për më tepër, ndoshta nuk i njoh mirë çikërrimat teknike me të cilat merren albanologët prej 250 vjetësh, prandaj me sa duket edhe unë vetë duhet ta kam njohur shumë vonë apo nuk kam mundur të njihem në kohë dhe të përfitoj nga punimet dhe nga idetë e Osman Myderrizit. E them me keqardhje të jashtëzakonshme si mea culpa, sepse nuk kam mundur t’i përdor këto ide në punimet e mia, përkatësisht në studimin e vitit 2000 te Critique of Anthropology mbi rolin politik të fesë në historinë e rikompozimeve identitare shqiptare, i cili është bërë i njohur edhe i përkthyer në shqip prej kohësh dhe ku prek edhe çështjen e ndërrimit disa herë të emrit etnik nga “ilir” në “epirot”, mandej në “arbër” dhe së fundmi në “shqiptar”.
Megjithatë, edhe mea culpa flet më shumë për arsyet e përmendura më sipër lidhur me mënjanimin e Myderrizit nga skena shkencore e kohës, si dhe për konsideratën e kolegëve dhe statusin e tij në mjedisin zyrtar të albanologjisë. Kjo kuptohet edhe më mirë, siç thotë Begzad Baliu, kur Eqrem Çabej dhe Shaban Demiraj si dhe gjithë studiuesit e tjerë pas tyre e “kanë vënë në dyshim një emër të mundshëm për të tërë popullin”, apo siç thekson edhe Aurel Plasari, meqë si ata edhe pasuesit e tyre kanë menduar dhe vazhdojnë të mendojnë se tezat e Myderrizit janë “më se të dyshimta”! Nuk mund të mos ngelesh i revoltuar kur sheh se albanologët e sotëm vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim mospërfillës, edhe pse pranohet se në mënjanimin e Myderrizit nga skena zyrtare e albanologjisë, siç thuhet, duhet të jenë përfshirë edhe përpjekjet për ta hedhur poshtë me justifikimin se “në atë kohë nuk pëlqehej shtysa fetare si shpjegim i dukurive historike të kombit”. Për më tepër, thuhet se Myderrizi duhet të ketë “paguar heshtjen me të cilën u rrethuan temat fetare në studimet filologjike dhe historike dhe veçanërisht frymën anti-otomane [si] një parim gati metodologjik”. Kështu, me pretekstin se mbështeten mbi “shtysa fetare” apo thjesht ngaqë teknikisht nuk janë gjuhësore apo filologjike, gjetjet shkencore të Myderrizit nuk janë marrë seriozisht ose janë anashkaluar si të dyshimta, madje janë heshtur plotësisht aq sa studiuesit më të rinj (ku përfshij edhe veten) të mos mund t’i konsiderojnë të rëndësishme për t’i rizbuluar.
Punimet dhe tezat e Myderrizit nuk kanë të bëjmë aspak me shtysa fetare, as me rolin e islamizmit dhe as me trashëgiminë otomane, domethënë as me lidhjen e shqiptarisë me islamin apo rolin e rëndësishëm që pushtimi otoman u paska dashur të luajë në formimin e kombit shqiptar për t’i shpëtuar shqiptarët nga sllavizimi, as me idenë që popujt e ndryshojnë domosdoshmërisht emrin etnik për shkak të hyrjes së një feje të re, as me zëvendësimin e paradigmës rilindase me paradigmën sulltaniste, as për të bërë propagandë fetare apo për të pohuar se Skënderbeu kot paska luftuar e kot ka derdhur gjak arbërish, si dhe as për gjepura të tjera si këto që gëlojnë në rrjetet sociale dhe portalet virtuale me një siguri të tillë që nuk mund të vije veçse nga marrëzia ose nga pikësynime të vetëdijshme edhe më të frikshme. Madje pretendime të tilla janë edhe më absurde nëse sjellim në mend për ata që nuk e dinë karakterin jo thjesht afetar, por thelbësisht antifetar të Myderrizit si njeri e si studiues, pavarësisht nga specializimi orientalistik që ka trashëguar nga formimi akademik dhe pavarësisht nga emri orientalizues që ka trashëguar nga familja.
Përveç Myderrizit, shumë studiues të tjerë kanë trajtuar çështjen e emrit etnik shqiptar, ndër të cilët E. Çabej, S. Riza, A. Buda, K. Frashëri, Sh. Demiraj, M. Pirraku, R. Ismajli, E. Sejdaj, B. Demiraj, M. Mandalà, etj. Me këtë çështje jam marrë shkarazi edhe unë para më se 20 vjetësh dhe i kam kaluar nëpër duar pothuajse gjithë punimet e këtyre autorëve të mëparshëm, por asnjëherë nuk kam ngelur i shtangur ashtu si më ka ndodhur kur kam zbuluar forcën teorike dhe shpjegimore në shkrimet e Osman Myderrizit dhe që janë edhe më të hershme nga të tjerët. Në thelb, jo vetëm ai është më i hershmi, por autorët që janë marrë më pas me këtë çështje kanë lënë mënjanë ose kanë shpërfillur aq padrejtësisht pikërisht qasjen konceptuale që shquan studimet e tij në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të admirueshme si një rast unik për kohën. Një qasje që mbetet edhe sot e tillë në studimet albanologjike, madje mund të them se u ka paraprirë me disa vjet qasjeve moderne më të përparuara ndërkombëtare në shkencat sociale bashkëkohore.
E kam fjalën për qasjet kontrastive dhe transaksionale që bota shkencore do t'i njihte vetëm pas vitit 1969 me punimet e antropologut norvegjez Fredrik Barth dhe kolegëve të tij mbi grupet etnike dhe kufijtë e tyre simbolikë trajtuar si një çështje e organizimit social të dallimeve kulturore. Pikërisht këto lloj qasjesh, të cilave u ka paraprirë Osman Myderrizi, si dhe duke u mbështetur në të dhënat e disponueshme empirike, historike dhe filologjike, kanë bërë të mundur shumë nga punimet e mia të mëvonshme. Madje mund të them se në lidhje me ndërrimin e emrit etnik të shqiptarëve kam arritur në mënyrë të pavarur thuajse në të njëjtat përfundime me ato që Osman Myderrizi ka shprehur që në vitin 1933, në vitin 1943, dhe sidomos në vitin 1965.
...shkrimi vijon të shtunën tjetër!
*Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,
Profesor i antropologjisë në Universitetin e Lilës, Francë /Gazeta Liberale