Aktualitet

Hidhet sërish vaj në Qafë Thanë, kamerat miliona Lekë s’punojnë

Shkruar nga Liberale
Hidhet sërish vaj në Qafë Thanë, kamerat miliona Lekë

Në 11 Maj në “Stop” u transmetua denoncimi i qytetarëve për hedhjen e qëllimshme të vajit në rrugën e Prrenjasit.

Pretendimet e qytetarëve lidhen me punonjësit e serviseve dhe karrotrecëve, të cilët sipas tyre, e hedhin vajin me qëllime përfitimi që të dëmtohen makinat dhe t’i rregullojnë aty.

Qytetarët shprehen, se i janë drejtuar punonjësve të policisë, por askush nuk mban përgjegjësi. “Stop” u drejtua në stacionin e policisë Përrenjas ku biseduan me komandantin Emin Spaholli. Ky i fundit thotë, se kanë shkuar në vendin e pretenduar për hedhje vaji, por nuk kanë gjetur gjurmë vaji dhe kanë pastruar rrugën.

“Stop” u rikthye sërish pasi në këtë aks rrugor dhe saktësisht rreth 200-300 metra larg karburant Pengu Oil ndodhen plot 7 kamera, të cilat dikur përdoreshin nga Ministria e Mjedisit.

Kamerat janë vendosur në vitin 2016, kur është hapur edhe procedura e tenderit nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit me fond limit 133 milionë Lekë. Këto kamera funksionuan deri në vitin 2020 me burim financimi, buxhetin e shtetit.

Kryeinspektori: Dhe ato i ka pasur Ministria e Mjedisit e asaj kohe, të cilat monitoronin pyjet.

“Stop” iu drejtua Ministrisë së Mjedisit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe asnjëra prej tyre nuk i ka në përdorim kamerat e sigurisë.

Gjithashtu “Stop” u drejtua në Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit, ku u tha, se aksidentet, që kanë ndodhur, nuk kanë qenë prej vajit apo naftës në rrugë.

“Aksi rrugor “Prrenjas-Qafë Thanë” monitorohet vazhdimisht me shërbime të Policisë Rrugore dhe me mjete inteligjente. Nga verifikimet në terren në asnjë rast nuk është konstatuar vaj në rrugë dhe nga hetimet, në asnjërin nga rastet e aksidenteve rrugore që kanë ndodhur në këtë aks nuk ka rezultuar që shkak të ketë qenë hedhja e vajit në rrugë”, njoftoi Policia e Elbasanit.

Përsa i përket Shefit të Shërbimeve Emin Spaholli është nën hetim disiplinor për shkelje të kodit të etikës.

“Ndaj punonjësit të policisë nënkomisar Emin Spaholli, me detyrë specialist shërbimesh në Postën e Policisë Prrenjas, në varësi të Komisariatit të Policisë Librazhd, ka nisur ecuria disiplinore për shkelje të Kodit të Etikës”, njoftoi më tej policia.

Gjithashtu “Stop” u interesua në Prokurorinë e Rrethit Pogradec dhe Elbasan dhe nuk rezulton asnjë çështje në lidhje me këtë fenomen./ Tv klan

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH