Kryesore

Hetimi i një katastrofe

               Publikuar në : 10:45 - 07/12/19 liberale

Pikëpyetjet e hetimit për objektet e shembura nga tërmeti në Durrës dhe fshehja e qëllimshme që po i bëhet të vërtetës së dy pallateve në Thumanë , ku vdiqën 24 njerëz.

Dorëheqja e Valbona Sakos pas deklaratës për lejet e ndërtimit dhe cili është roli i kryeprokurorit të sapozgjedhur

Për të gjithë zërat kritikë që e panë shembjen e godinave të dëmtuara nga tërmeti menjëherë me të përfunduar operacionet e kërkim-shpëtimit si përpjekje për të zhdukur provat, kryeministri Rama do të përgjigjej se asgjë nuk ishte fshirë dhe se gjithçka ishte dokumentuar me fotografi dhe kampionë betoni e hekuri.

Kreu i qeverisë do të thoshte madje se po bëheshin gati dosjet, edhe pse ndërkohë prokuroritë e Durrësit, Krujës, Lezhës, Laçit dhe Tiranës kanë nisur tashmë hetimet kryesisht për veprat “ndërtim pa leje”, “shpërdorim detyre”, “dhënie e ndihmës për ndërtim të paligjshëm apo “Falsifikimi të dokumenteve për ndërtimet”.

Dosjet për të cilat fliste kryeministri, janë ato teknike me fotografi dhe informacione që do t’u vihet në dispozicion prokurorëve.

Edhe nisja e hetimeve për veprat në fjalë do të shkaktonte debat në opinionin publik, ndërsa tërmeti i 26 nëntorit shënoi 51 viktima.

Pikërisht për drejtësinë që njerëzit presin të vihet në vend, foli edhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, me të marrë zyrtarisht detyrën mëngjesin e djeshëm.

Kryeprokurori i ri, i dalë nga Reforma në Drejtësi, do të ndalej dje tek dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe tek misioni i prokurorisë për të zbardhur çështjen.

“Sot njerëzit kërkojnë drejtësi. Sot kërkohet që të bëhen gjëra konkrete. Në këtë fatkeqësi për vendin, njerëzit presin nga ne që të vihet drejtësi në vend. Jam i bindur që do të bëjmë një punë të mirë. Çdo gjë nuk shkon vaj, ndryshimet janë pozitive. Kam besimin që vendi është në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë”, do të shprehej Çela, ndërsa prokuroria e Durrësit ka marrë në dorë dosjet e ndërtimeve të 10 viteve të fundit në qytetin bregdetar,  ku flitet për rreth 60 kompani ndërtimi të lidhura me godinat e dëmtuara.

Sipas Ministrisë së Brendshme numërohen 1183 shtëpi të shembura dhe 5491 të dëmtuara rëndë  dhe 558 pallate të dëmtuara rëndë. Sipas zv/ministres Rovena Voda  rezulton se aktualisht janë të pabanueshme 2126 objekte në Durrës, Tiranë dhe Laç. Nga këto, rreth 417 objekte do të shemben pasi nuk mund të riparohen. Deri më tani, IKMT dhe bashkitë në zonat e prekura nga tërmeti, kanë shembur në total 33 objekte.

“E sigurt është që të gjitha ndërtimet, jo ato të shembura, por edhe ato që janë në riparim janë në proces hetimit. Ditë natë, jo vetëm tani. Policia e Shtetit ka angazhuar Njësinë Speciale për të mbledhur provat. Instituti i ndërtimi është në terren”, kështu do të siguronte kryeministri Rama, i cili pak ditë më parë foli për një ligj që do të kalonte shpejt në parlament që parashikonte dënime nga 7 deri në 15 vjet për ata që abuzonin me ndërtimet. Megjithatë para dënimeve, që do të hyjnë në fuqi pas miratimit  të ligjit, kryeministri u dha mundësinë ndërtuesve të riparonin dëmet në godinat që kanë ndërtuar vetë.

Ndërsa ekspertët dhe njerëzit e shkencës thonë se nuk është tërmeti ai që vret, por janë ndërtesat, ai i 26 nëntorit me magnitudë 6.4 Rihter nxori në pah problemin e ndërtimeve në Shqipëri, veçanërisht në tre dekadat e fundit shpesh kaotike,  të pabazuara në studime, por edhe me mungesë përgjegjshmërie nga inxhinierë dhe kolaudues.

Një prej të cilëve do të kthehej në vetë viktimë të ndërtesës që kishte ndërtuar dhe kolauduar vetë. Pronari i “Vila Palma”,  Arben Qato i cili humbi babanë  në rrënojat e atij që ishte hoteli i tij ku edhe mbeti i ngërthyer për afro 20 orë i biri është kolauduesi i shumë ndërtimeve në bregdet e po ashtu edhe i hotelit të tij, të cilit i kishte shtuar edhe dy kate mbi projektin.

Kryeministri Rama i ndan në tre kategoritë e ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti; ndërtesat e vjetra të ndërtuara  gjatë regjimit komunist, ato të ndërtuara me materiale të dobëta ku gjatë shembjes së një hoteli kreu i Inspektoratit të Ndërtimit do ta vinte në dijeni se hekuri i përdorur për kolonat ishte marrë nga ai i bunkerëve dhe ndërtesa me struktura të forta, por me materiale të dobët në mure dhe fasada që kanë çarje dhe plasaritje si pasojë e tërmetit të dy javëve më parë.

Por ndërsa në dy prej kategorive kërkohen përgjegjësit nga ndërtuesit, tek arkitektët, inxhinierët dhe kolauduesit, tek  godinat e ndërtuara para viteve ’90 si ato të Thumanës përgjegjësia bie gjetiu.

Thumana

Të ndërtuara në vitin 1989, thuhet se pallatet janë ndërtuara me cilësi të dobët.  Mark Aliaj, në ish i dënuar i regjimit, i cili kishte punuar si bojaxhi  aty ka folur në media sesi mungonin materialet bazë si hekuri, gëlqerja, çimentoja  e deri tek veglat e punës. Por banorët , ata që fatmirësisht mundën t’i mbijetonin tërmetit ku mbetën të vdekur 24 njerëz, thonë se inspektorët e bashkisë së Krujës pas tërmetit të 21 shtatorit i cilësuan ato si të banueshme.

Banorët flasin për dëme të shkaktuara edhe nga tërmeti i një viti më parë e megjithatë ata nuk e kishin menduar kurrë tragjedinë ashtu si i erdhi, duke i zënë nën rrënoja shumë prej familjarëve të tyre.

Por  investigime të ndryshme në media kanë zbuluar se ka pasur raporte në vitin 2010 e më pas më 2013-n si kushtet e atyre pallateve, duke i cilësuar  si të pabanueshme.

Partia Demokratike i është drejtuar qeverisë dhe Bashkisë Krujë  lidhur me dy pallatet e shembura nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019, duke kërkuar informacion nëse bashkia Krujë kishte verifikuar sigurinë dhe gjendjen e dy pallateve të shembura në Thumanë dhe nëse kishin vënë në dispozicion dokumentin zyrtar që e provonte këtë, cilët kishin qenë ekspertët e angazhuar me vlerësimin dje nëse ishin lajmëruar banorët duke marrë edhe masa për strehimin e tyre. Një tjetër pyetje e shtruar nga PD ishte se kush  kish lejuar futjen e banorëve në pallatet e shembura në 26 Nëntor 2019 dhe mbi çfarë bazë ishte bërë kjo?.

Ish-drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi do të shprehej në media se pallatet në Thumanë ishin shpallur të pabanueshme dhe madje ishte bërë edhe vlerësimi.

Edhe ish-kryeministri Berisha do të shkruante në profilin e tij të Facebook-ut duke kërkuar hetim ndërkombëtar për tragjedinë.

“Në  rast se autoritetet zyrtare që  inspektuan këto pallate në Thumane dhe Durrës nuk do të nënvleftësonin dëmtimin në strukturë, të shkaktuar nga tërmeti, banorët me detyrim do të  ishin zhvendosur në vendstrehime të  tjera dhe do të  ishin gjallë sot”, shkruante Berisha.

Ndërkohë që edhe Prokuroria e Laçit ka hapur hetimet, duke e çuar në katër numrin e Prokurorive që po merren me gjetjen e përgjegjësve të dëmeve pas tërmetit.

Deri më tani,  Prokurorisë së Durrësit i janë bashkangjitur dy specialistë nga Instituti i Ndërtimit që janë përfshirë në këqyrjet e objekteve përpara se ato të shkatërrohen në formë të telekomanduar. Gjithashtu, prokuroria ka sekuestruar gjithashtu edhe dokumentet e legalizimeve të shtesave (horizontale dhe vertikale)  të qindra pallateve në qytetin e Durrësit.

Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar bashkisë dhe policisë të lajmërohen para çdo shembjeje.

Po ashtu, edhe Prokuroria e Kavajës i kërkon bashkisë që të vendosë në dispozicion listën e objekteve, tek të cilat do ndërhyhet dhe për të cilat synohet të zhvillohen këqyrjet e vendngjarjeve.

Hetimi

Në  Durrës, shtatë prokurorët e ngarkuar me hetimet  janë ndarë në dy grupe, njëri prej të cilëve po heton si një të vetme shtatë referimet e shembjes nga tërmeti të shtatë  ndërtesave nga rrënojat e  të cilave u shkaktuan viktima.Në një të vetëm janë bashkuar fashikujt e shembjes së ish Vila Palma, Mira Mare, Konvaleshencës, Ish-Tropikalit, gjashtë katëshit pranë stadiumit, ndërtesës katër kateshe të familjes Lala dhe godina tek zona e “Dy Gjelave”.

Grupi i dytë po heton listën e mëse 70 godinave që do shemben pasi konsiderohen të rrezikshme, ndërkohë të njëjtën procedurë po ndjek edhe prokuroria e Krujës, e cila sikurse kolegët ka urdhëruar sekuestrim në hipotekë dhe prefekturë të dokumenteve, por edhe të procesverbaleve të konstatimit në këto ndërtesa pas tërmetit të datës 21 shtator.

Ndërsa, deri tani prokurorët kanë mbledhur  mostra në të gjitha objektet ku janë konstatuar dëme duke i  dërguar në laboratorë për të analizuar cilësinë e betonit dhe elasticitetin e tij, ajo që është vënë re është mungesa e dokumentacionit tekniko-ligjor për cilësinë e punimeve, ë një pjesë të objekteve ku ka pasur viktima.

Shumë  firma ndërtimi që kanë ndërtuar disa objekte, tanimë nuk ekzistojnë më ndërsa në bashki nuk janë gjetur lejet e ndërtimit që janë dhënë vitet e fundit.

Kjo çoi të ngriheshin edhe dyshime pas dorëheqjes së kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako.

Sako do të dorëhiqej pas kritikave që shkaktuan disa lapsuse të saj në media, ndërsa zëra thonë se ajo u kishte kërkuar   specialistëve në Drejtorinë e Urbanistikës, nxjerrjen e dosjeve dhe praktikave të të gjithë pallateve që po evidentoheshin të pabanueshëm apo që ishin shkatërruar, për t’i pasur gati për prokurorinë.

Me dorëheqjen e Sakos dhe mandatimin e Zhyljen Varfaj nga Këshilli Bashkiak i Durrësit, në mjediset e bashkisë do të rishihej ish-kryebashkiaku Dako, që e drejtoi për tre mandate qytetin bregdetar.

Ndërkohë prokuroritë e angazhuara me hetimet – ku ajo e Tiranës ka pësuar vetë dëme nga tërmeti -, kanë përpiluar edhe listat me investitorët, biznesmenë, administratorë, zbatues projekti, inxhinierë, kolaudues, zyrtarë shteti, dhe të gjithë ata  që janë përgjegjës për ndërtimet që kanë pësuar dëme dhe lanë më pas viktima të shumta, problematikat me dokumentacionin duket se do t’i bëjnë të vështira hetimet për të gjetur fajtorët e vërtetë të tragjedisë së 26 nëntorit që mori 51 jetë njerëz dhe la të plagosur më se 900 të tjerë dhe mijëra të pastrehë.

PD kërkesë për informacion Ramës dhe Lleshajt për vdekjen e Bajram Hajdarmataj

Sipas PD, kërkesa është për mosveprimet kriminale të qeverisë me Konvaleshencën në Durrës pas rënies së tërmetit më 21 shtator. Me anë të kësaj kërkese PD do që të informohet lidhur me verifikimet e kryera në Godinën Nr. 4 të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës, e cila u shkatërrua në tërmetin e datës 26 Nëntor dhe ku fatkeqësisht, humbi jetën kryekomisari Bajram Hajdarmetaj.

Partia Demokratike ka kërkuar informacion zyrtar nga Ministria e Brendshme dhe nga qeveria për sa i përket vdekjes së kryekomisarit Bajram Hajdarmataj, i cili humbi jetën nën rrënojat e konvaleshencës në Durrës si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.

Sipas PD, kërkesa është për mosveprimet kriminale të qeverisë me Konvaleshencën në Durrës pas rënies së tërmetit më 21 shtator. Me anë të kësaj kërkese PD do që të informohet lidhur me verifikimet e kryera në Godinën Nr. 4 të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës, e cila u shkatërrua në tërmetin e datës 26 Nëntor dhe ku fatkeqësisht, humbi jetën kryekomisari Bajram Hajdarmetaj.

Bilanci i Tërmetit , 2016 objekte të pabanueshme

Zëvendësministrja e Punëve të Berndshme, Rovena Voda bëri një bilanc të menaxhimit të situatës pas tërmetit pasditen e të premtes. Voda sqaroi në fillim ngjyrat që po shënohen objektet. Sipas saj, me ngjyrë të “gjelbër” po shënohen objektet që kanë dëmtime të lehta dhe se janë të banueshme. Me ngjyrë të “verdhë” po shënohen objektet që kanë dëmtime mesatare, por që nuk janë të banueshme derisa të riparohet. Me ngjyrë të “kuqe” po shënohen objektet që kanë rrezik dhe se banorët duhet të evakuohen.

Për të gjitha objektet e klasifikuara me ngjyrën e kuqe do të ndërmerret një vlerësim më i specializuar për të përcaktuar nëse këto objekte do të shemben apo riparohen. Ndërkohë, në Durrës, Shijak dhe Krujë janë inspektuar në total 5171 objekte. Nga këto, rezulton se aktualisht janë të pabanueshme 2126 objekte në këto tre qytete. Nga këto objekte, Rovena Voda tha se rreth 417 objekte do të shemben pasi nuk mund të riparohen.

Deri më tani, IKMT dhe bashkitë në zonat e prekura nga tërmeti, kanë shembur në total 33 objekte. Më tej, zëvendësministrja shtoi se pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama, që u bënte thirrje investitorëve, pallatet e të cilëve kanë pësuar dëmtime, që të marrin përsërip riparimin e tyre, deri më tani, 14 biznese kanë shprehur gatishmërinë për të filluar riparimin e godinave që janë ndërtuar prej tyre.

“Gjithashtu, po punohet intensivisht për të siguruar që rreth 4000 qytetarët e akomoduar në strukturat hoteliere, tu garantohen të gjitha shërbimet e nevojshme. Konkretisht, pranë hoteleve janë evidentuar 679 persona nën moshën 18, prej të cilëve 204 fëmije 0-5 vjeç. Gjithashtu janë 454 pensioniste, 620 që vuajnë nga sëmundje kronike dhe 177 persona me aftësi ndryshe”, tha ndër të tjera Voda./Gazeta Liberale

Tags: , , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back