Aktualitet

Hesape elektorale gushti

               Publikuar në : 09:21 - 12/08/19 Suadela Balliu

Me administratorët dhe drejtorët e rinj të bashkive, Rama kërkon t’i japë fytyrë tjetër Partisë Socialiste. Jo më të fortët që sigurojnë vota në zonat e tyre. Radhën e kanë të edukuarit dhe të diturit, përmes të cilëve kreu i socialistëve kërkon të fitojë edhe zgjedhjet e 2021-shit.

Me 61 bashki të majta, i gjithë pushteti është përqendruar në vetëm një forcë politike, duke e bërë të rëndë barrën e qeverisjes, por edhe të rrezikshëm prishjen e balancës së pushteteve

Suadela Balliu

Pas akuzave të përsëritura të opozitës se e mbushi Parlamentin me kriminelë, kryeministri ka zgjedhur t’i japë fytyrë tjetër Partisë Socialiste. Jo më të fortë, injorantë, batakçinj, feudalë partish! Por profile të tillë, të cilët i ka ravijëzuar si shërbëtorë të komunitetit nuk janë ata të deputetëve të maxhorancës. Ndryshimin ka menduar ta nisë nga administratorët e bashkive, që pritet të ndërrohen pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Në mesazh-porosinë për drejtuesit politikë të rajoneve Rama u kërkon propozimet për stafin politik, nënkryetarë dhe administratorë e ku bën të qartë se fytyrat e reja duhet të kenë të qartë udhëzimet estetiko-politike të kryetarit të partisë. Një nënkryetar, ka porositur ai, duhet të jetë doemos grua, duke përforcuar përpjekjet e tij si kryetar partie dhe qeveri për përfshirje më të madhe të grave në politikë, ku gjysma e kabinetit të janë ministre.

“Mbajeni parasysh që nuk kam për të pranuar kandidatura nga ato tipiket që dredhin zinxhir se me demek marrin vota! Mos kemi llafe për këtë ju lutem”, mësohet t’u ketë shkruar kryeministri drejtuesve për mbledhjen e Këshillit Drejtues që do të mbahet në fund të gushtit, ndërsa ai aktualisht po pushon në vilën qeveritare, në Dhërmi, së bashku me familjen.

Administratorët e rinj do të duhet të mirëpriten më së pari nga komuniteti i zonës, është i mendimit kreu i PS-së, jo thjesht nga partia. “Më mirë të mërzitet partia se sa komuniteti!”, ka vijuar më tej Rama, i cili ka kërkuar gjithashtu raport për drejtorët aktualë të bashkive të djathta, disa prej të cilave rikthehen në pushtetin e socialistëve pas tri mandatesh apo do të qeverisen për herë të parë prej tyre.

Edhe pse kryetarët e bashkive të djathta depozituan ditë më parë një padi në Gjykatën Kushtetuese për pavlefshmërinë e 30 qershorit e megjithë qëndrimin e opozitës, por edhe të presidentit se e vetmja datë kushtetuese për zgjedhjet e pushtetit vendor është 13 tetori, Rama në cilësinë e kreut të PS-së, që tashmë ka në duar qeverisjen e të 61 bashkive të vendit, vijon me procedurat e emërimeve në bashki. Ndërsa për herë të parë në 28 vite, një parti politike i ka të gjitha pushtetet, porositë e Ramës tingëllojnë diktuese deri në një lloj centralizimi të qeverisjes vendore apo të njëjtësimi me atë qendrore. Gjatë fushatës elektorale kryeministri u zotua publikisht se nuk do të shkarkonte punonjës të administratës në bashkitë e djathta. aq më pak gra e vajza, do të premtonte ai. Premtim që e përsëriti si rregull edhe gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS. “Për të mos shfaqur asnjë tendencë tradicionale prej ‘pushtuesish’ në këto bashki, për të respektuar të gjithë ata që sot punojnë në këto bashki, për të mos prekur asnjë grua apo vajzë, në radhë të parë”, deklaronte ai, ndërsa lëvizjet do të bëheshin jo si spastrim, por në funksion të meritës.

Në mesazhin e tij, i cili u bë dje publik në medie, Rama kërkonte të dinte profilet e drejtorëve të bashkive të djathta, “formimi profesional, niveli i militantizmit, lidhjet nepotike dhe niveli i punës së tyre konkrete në bashki”, kujdeset të detajonte kreu i PS-së, duke mirëpritur lista propozimesh për zëvendësuesit e tyre. Lista që do të duheshin konsultuar edhe me deputetët e zonave. “Asnjë lëvizje deri atë ditë”, ka bërë të qartë.

Në listën e propozime është kujdesur t’u përcjellë edhe një merak të tijin; asnjë emër nga ata që kanë shërbyer si kryetar komunash para vitit 2015, në bashkitë e djathta për administrator.

Janë të nderuar e të respektuar për kontributet e tyre, po mos harroni mesazhin e 30 qershorit, populli, pavarësisht kush ka votuar e kush jo, nuk e ka mbështetur rrugën që zgjodhëm për të majtën, por për të drejtën”, thotë Rama, i cili që të dielën pas mbylljes së votimeve do të shprehej i bindur se në këto zgjedhje vendore, të paprecedente që prej kalimit në sistemin pluralist politik, Partia Socialiste ishte rreshtuar në anën e duhur të historisë.

Me profilin e ri të administratorëve të bashkive, që i skicon të jenë “njerëz të ditur, të edukuar, të respektuar”, Rama ka nisur projeksionet elektorale për 2021-shin, duke i përcjellë kështu edhe një mesazh opozitës se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë formimin të qeverisë kalimtare që do ta çonte vendin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Me të gjithë pushtetin në duart e tij, duke mos pasur përballë kundërshtarë, për zgjedhjet e ardhshme Ramës nuk i duhen më figurat me ndikim, edhe pse të debatueshme, brenda partisë për t’i siguruar fitoren për një mandat të tretë qeverisë pas dy vitesh.

Megjithëse ai nuk e kandidoi Vangjush Dakon për një mandat të katërt në Durrës – emri i të cilit është i lidhur me shitblerjen e votave në zgjedhjet e 2017-s dhe që ShBA e futi në listën e personave “non grata” -, për ta lënë si një qytetar të lirë të përgjigjet para drejtësisë, opozita ka ngritur akuza mbi një tjetër kryebashkiak socialist.

Prej disa ditësh nga selia e PD-së pretendohet se Valdrin Pjetri, i cili pritet të konsituohet si kryebashkiak i Shkodrës brenda pak ditëve është shpallur “non grata” nga shteti italian, duke e akuzuar për përfshirje në trafik droge. Akuza, që Pjetri i ka mohuar.

Por kreu i PD-së, Basha, nuk i ka kursyer akuzat edhe për të tjerë kryebashkiakë të zgjedhur më 30 qershor, si të lidhur me krimin, ku përfshihen Artur Bushi në Krujë, Pjerin Ndreu në Lezhë, Dionis Imeraj në Dibër, i kapur në përgjimet e dosjes “184” e po ashtu kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako. Kryebashkiakët e Tepelenës dhe të Këlcyrës Tërmet Peçi dhe Klement Ndoni, Basha i ka akuzuar si trafikantë droge, ndërsa kryebashkiakun e Kamzës Rakip Sulin si i përfshirë në vjedhje me tenderë dhe qira shtetërore. Sipas kreut të PD-së edhe Agim Kajmaku, kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku figuron i dënuar në Greqi.

Administratorët e sotëm, do të jenë siguruesit e votave në të ardhmen, por metoda duket se nuk do të jetë më e njëjta me figura si e Dakos, me të cilin Rama lëvdohej se kishte mundur i vetëm PD-në, gjatë kohës kur në krye të qeverisë ishte Berisha. Administratorët e rinj mund të mos kenë sjellë vota, thotë Rama, që për shkak të mbylljes së partisë nuk janë angazhuar drejtpërdrejt, por ai ka besim se do t’i sigurojnë vota në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit, shumë më tepër “se sa të tjerë që duken sikur janë të vetmit, por nuk janë!”

Ndërsa Rama përgatitet për mbledhjen e Këshillit drejtues në fund të gushtit, disa parti opozitare kanë paraqitur kërkesën për regjistrim në zgjedhjet e 13 tetorit, të dekretuara nga presidenti, ndërsa ky i fundit vazhdon t’u bëjë thirrje palëve politike me mendimin se zgjedhjet do të jenë edhe zgjidhja e krizës.

Por për Ramën dhe Partinë Socialiste zgjedhjet ishin ato të 30 qershorit, datë që në fakt u mbështet edhe nga faktori ndërkombëtar, të cilët u shprehën se kushdo që i pengonte ato nuk do të shkelte në asnjë vend të ShBA apo të BE-së.

Zgjedhjet e organizuara në më shumë se gjysmën e bashkive me vetëm një kandidat dhe vetëm me një parti opozitare, të krijuar në orët e fundit para mbylljes së afateve të regjistrimit në KQZ, shënuan edhe përqindjen më të ulët të pjesëmarrjes me vetëm 22 përqind. Shifër që opozita pretendoi të ishte më e ulët, duke deklaruar se ishin 85 përqind e shqiptarëve që i bojkotuan zgjedhjet e për pasojë duke e shndërruar opozitën jashtëparlamentare  në maxhorancën faktike.

Rezerva për zgjedhjet e 30 qershorit shfaqi edhe misioni i vëzhguesve OSBE/ODHIR, duke e shprehur qartë se qytetarët patën trysni nga të gjitha palët politike dhe se nuk u mendua për elektoratin, duke i mohuar alternativa kuptimplote. Pas raportit paraprak të misionit monitorues, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit i ka pranuar shqetësimet dhe rezervat mbi zgjedhjet e 30 qershorit, por  përmes zv.ndihmës sekretarit Palmer kanë bërë të qartë se u takon institucioneve shqiptare, konkretisht Kushtetueses që pritet ende të plotësohet me anëtarë, të vendosin nëse duhen përsëritur apo jo zgjedhjet. Presidenti Meta, nga ana tjetër, thotë se vendimet e Kushtetueses nuk mund të kenë fuqi prapavepruese e për pasojë dekretet e tij mbeten në fuqi.

Edhe Rama, si fituesi faktik dhe zyrtar i zgjedhjeve, e sheh 30 qershorin si fitore të PS-së. “

“PS fitoi për ju më 30 qershor. Ju duhet të bëni gjithçka që PS të fitojë për Shqipërinë në qershor të 2012-shit”, u përcjell ai porosinë e fundit, duke i kujtuar kredon në themel të krijimit të këshillave drejtues të rajoneve. Megjithatë, ishte ai vetë që gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së pranonte se niveli qeverisës, pas 30 qershorit  jo vetëm nuk mjaftonte, por duhej t’i shqetësonte. “Njerëzit pas 30 qershorit do të humbasin durimin me ne dhe do të jenë shumë më pak të prirë të mirëkuptojnë gabimet tona dhe nuk do të kenë asnjë gatishmëri për të na falur kusuret që na kanë falur deri më 30 qershor”, theksonte kryeministri. Por vetëm pak kohë më vonë, duke e llogaritur si fitore historike, ka nisur të bëjë llogaritë për të mbajtur pushtetin në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa opozita duke humbur edhe 12 bashkitë që qeveriste deri në fund të qershorit, ka dalë jashtë sistemit në nivel qendror dhe vendor, por pa i humbur shpresat për largimin e Ramës dhe zgjedhjet e parakohshme, me të vetmin mjet presioni; atë të protestave që rinisin në shtator.

 Asambleja

Ndryshimet e drejtuesve të qarqeve, pas 30 qershorit

 Kryetari i PS-së, Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të mbajtur më 23 korrik,  njoftoi ndryshimin e drejtuesve të qarqeve të Shkodrës, Lezhës dhe Tiranës.

Kështu në vendin e Ditmir Bushatit në Shkodër do të jetë kryebashkiaku i ri Valdrin Pjetri, në Lezhë në vendin e Lindita Nikollës shkon Sandër Lleshaj që bëhet pjesë e strukturave të PS-së dhe në Tiranë në vendin e Blerina Gjylametit do të jenë Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati.

Lëvizjet prekën edhe sekretariatet e partisë, teksa risi është ministri i jashtëm Gent Cakaj që merr drejtimin e sekretariatit të rinisë, ndërsa vend kishte edhe për të spostuarit në qarqe si koordinator.

“Propozoj disa ndryshime, së pari në udhëheqjen e qarqeve. Duke ndjerë nevojën për të përmirësuar drejtimin politik në qarkun e Shkodrës, qarkun do ta drejtojë kryetari i ri i Bashkisë Shkodër (Valdrin Pjetri). Duke ndjerë nevojën që në qarkun e Tiranës të ketë më shumë rezultat, qarkun propozoj ta drejtojnë bashkërisht Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati. Qarkun e Lezhës do ta drejtojë Sandër Lleshaj në vendin e Lindita Nikollës. Përsa i përket sekretariatit, kemi rënë dakord që të bëjmë disa ndryshime të nevojshme.”, do të shprehej Rama, i cili mes ndryshimeve në parti, prezantoi edhe postin e një sekretari për koordinimin e punës së këshillave, duke ia ngarkuar Ilir Beqjas.  Sekretare të Burimeve Njerëzore  emëroi Lindita Nikollën, e cila më herët kishte qenë koordinatore për qarkun e Lezhës.  Rama do të shqetësohej edhe për dixhitlaizimin e partisë, duke ngarkuar si sekretare për këtë sektor, Blerina Gjylametin, më parë drejtuese për qarkun e Tiranës.

Gjatë Asamblesë Kombëtare Rama përcolli edhe një paralajmërim të fortë për deputetët e PS-së dhe kryebashkiakët që janë zgjedhur nga kjo forcë politike, duke thënë se do të përjashtohen nga familja socialiste nëse nuk do i përgjigjen ritmit të kërkuar për zgjedhjet e 2021-shit.

“Nuk mund të ketë më anëtarë të asamblesë së PS-së që kujtohen për partinë vetëm nga ftesa për mbledhjen e asamblesë, apo nuk shfaqen te njerëzit dhe kush nuk do i përgjigjet ritmit që kërkon 30 Qershori nuk do të jetë më në projektin tonë politik të vitit 2021. Kush nuk do të bëjë kilometrat e veta do të dalë nga projekti ynë në vitin 2021. Ashtu sikundër dua ta them që sot se do të dalë jashtë nga kjo familje çdo kryebashkiak që do të bëjë gabimin të mendojë se tani që ka marrë mandatin mund të bëjë pa njerëzit dhe pa ne”, do të shprehej kryeministri.

Basha: Kryebashkiakët e Ramës, kriminelë dhe hajdutë!

Në një takim me strukturat e PD-së në Roskovec, disa ditë më parë, Basha nuk i kurseu akuzat për fituesit e zgjehdjeve të 30 qershorit, të cilët i cilësoi pseudobashkiakë.

“Çdokush që ka iluzionin se me Edi Ramën në krye të qeverisë mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të ekzaminojë kujtesën dhe të shohë faktet: Shikoni pseudobashkiakët e rinj:

Valdrin Pjetri ka fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij dhe duhet të ndiqet penalisht. Edi Rama e kandidoi dhe tani urdhëron prokurorinë e korruptuar ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit.

Pjerin Ndreu, në listën e zezë të partnerëve prej vitit 2003 dhe i larguar nga policia për përfshirje në trafiqe, i kapur në përgjime në dosjen 184 duke urdhëruar shkarkimin e mësuesve që nuk votojne për PS, në vend që të ndiqej penalisht, e kandidon dhe e mbron Edi Rama. Artur Bushi i Krujës mbaroi një mandat si bashkiak trafikant në Itali dhe e rikandidoi. Dionis Imeraj, Valbona Sako, të dy të kapur në përgjimet e Dibrës, të dy mbrohen dhe promovohen nga Edi Rama. Tërmet Peçi, Klement Ndoni, trafikantë droge, në vend që të shkojnë para drejtësisë, mbrohen dhe rikandidohen. Agim Kajmaku, i kandiduar në Vorë, i dënuar në Greqi. Ragip Suli, i kapur në vjedhje flagrante me tendera dhe qira shtetërore, në konflikt të hapur interesi me statusin e deputetit, në vend që të largohej si deputet dhe të ndiqej penalisht, e mbron dhe e promovon Edi Rama. Krimi dhe Edi Rama janë të pandashëm. Që të largojmë krimin duhet të largojmë Edi Ramën”, tha Basha.

30 qershor

 Pas mbylljes së votimeve, kryeminsitri Rama e cilësoi fitoren e PS-së si rreshtin nga ana e duhur e historisë. Në votime morën pjesë 22% e qytetarëve, ndërsa opozita pretendoi për vetëm 15%

 1 korrik

OSBE/ODHIR publikon raportin paraprak për zgjedhjet vendore, duke theksuar mungesën e alternativave dhe se nuk u mendua për elektoratin.

23 korrik

Rama lajmëroi ndryshimet e drejtuesve politikë të qarqeve në Asamblenë Kombëtare të PS-së./Gazeta Liberale

(Visited 103 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *