Kryesore

Heroizmi kundër komunist

               Publikuar në : 09:00 - 15/01/20 Eugjen Merlika

Eugjen Merlika

(Kujtesë për demonstratën e 14 janarit 1990 në Shkodër)

“Pjesa më e madhe e heronjve janë si disa piktura: për t’i vlerësuar nuk duhen parë shumë pranë”
Francois Larochefoucauld (1613 – 1680), shkrimtar francez

Ka ditë në historinë e popujve që hyjnë pa zhurmë, që me ngjarje, në dukje të thjeshta e të parëndësishme, por që bartin në vetvete farën e ndodhive të jashtëzakonshme, marrin rëndësinë e tyre me kalimin e kohës. Ato janë si fara e një druri të stërmadh që don kohën e tij për të mbirë e për t’u rritur, por kur të ketë kryer procesin e tij biologjik, lartësohet me të gjithë madhështinë e tij e kthehet në një objekt kulti, ku brezat, njëri pas tjetrit, gjejnë frymëzimin për të shkuar përpara dhe kyçin për të shpjeguar ndryshimin e epokave.

Një ditë e tillë ka qenë 14 janari 1990, në Shqipërinë “trup e shpirt të sakatosur”, në kryeqendrën e lashtë të Labeatëve, në qytetin e Shkodrës, ledhi më I fuqishëm I qëndresës morale ndaj komunizmit, që pushtoi Shqipërinë n’atë fund nëndori 1944. Ishte kohë ndryshimesh rrënjësore në Evropën e Lindjes. Në nëntorin e sapo kaluar, gjermanët, populli i mundur I luftës së Dytë botërore, kishte shkallmuar Murin e famshëm të Berlinit, simbolin e ndarjes në dy pjesë t‘Evropës, ndërsa rumunët kishin asgjësuar me një revoltw mbarë popullore çiftin tiran të Vendit të tyre. Në të gjithë Vendet e tjera komunizmi pranonte hapur dështimin e tij historik, sepse simbas drejtuesit të fundit të kampit socialist, Mihail Gorbaçovit, “nuk mund t’u mohoheshin popujve fqinjë të drejtat e lirisë e demokracisë, polakëve, çekëve, hungarezëve, gjermanëve të Lindjes.”. Epoka e re pas komuniste kishte fytyrat e Vaclav Havelit dhe Lech Walesës, kundërshtarë të regjimeve, si simbole të saj.

Në këtë furtunë të fuqishme që shkallmonte regjimet diktatoriale e sillte në qiejt e Evropës ajrin e pastër të lirisë, Shqipëria përpëlitej në mjerimin e saj proverbial, e drejtuar nga Jagoja i diktaturës që vazhdonte të belbëzonte përçart refrenin dritëshkurtër e kobzi të “vazhdimësisë”. Në Shqipëri, Vendi i fundit i perandorisë së kuqe n ‘Evropë, vazhdonin të qëndronin në këmbë, si relike të marrëzisë gjysmë shekullore shtetërore, bustet e Stalinit, që në atdheun e tij kishin përfunduar në furrat e shkrirjes më shumë se tridhjetepesë vite të shkuara.
Dikush në botën e madhe hodhi idenë se ky Vend meritonte të ruhej në gjendjen që ishte “si një muze”, në të cilin turistët nga gjithë bota do të shihnin me sytë e tyre se çfarë fuqie shkatërruese kishte pushteti i idhtarëve të Stalinit për të kthyer njëmijë vjet mbrapa një Vend t ‘Evropës. N’atë fillim viti të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit dukej se Shqipëria kllapitej në gjumin e vdekjes, e trallisur nga përrallat nanuritëse të demagogëve të kuq në veshjen e të gjithë lakejve të diktaturës, që nga piramida drejtuese deri tek armata e ushtarakëve apo sigurimsave, e intelektualëve që luhateshin mes bindjeve të verbëra dhe erës që frynte nga Vendet e tjera simotra.

Pikërisht n’ata çaste kllapitjeje disa shqiptarë të thjeshtë, bij të denjë të Shkodrës, punëtorë në qendra të ndryshme pune, patën idenë të thirrin popullin e qytetit të tyre në një tubim të pazakontë për gjysmë shekullin e shkuar, nëpërmjet të cilit t’i përcillnin kastës në pushtet vullnetin e tyre për të ndryshuar kursin, për t’u vënë në një rrjedhë me Vendet e tjera të Lindjes, duke e filluar këtë rrugëtim të domosdoshëm me heqjen forcërisht të bustit të Stalinit nga sheshi kryesor i qytetit të tyre. Emrat e Rin Monajkës, Dedë Kasnecit, Nikolin Margjinit, Gjergj Livadhit, Kolec Hublinës, flamur Elbasanit, Aldo Perrizit, Flamur begut, Klaudio Dakës, Nikolin Thanës, Tonin Demës e të tremijë shkodranëve që atë ditë të ftohtë të 14 janarit mbushën sheshin dhe rrugët e Shkodrës, duke i dhënë jetë së parës demonstrate masive kundër komuniste meritojnë vende nderi në kujtesën historike të kombit. Ai tubim qe shprehja e vetëdijes kritike të kombit, qe dëshmia më bindëse se Shqipëria e trallisur nuk ishte e vdekur, se në gjirin e saj kishte bij besnikë të përparimit të saj që ishin gati, me çmimin e jetës së tyre, të thirrnin në beleg e të tronditnin nga themelet një ngrehinë të shëmtuar e kriminale që nuk përfaqësonte aspak traditën shqiptare.

Ai tubim shkonte në hullinë e luftëtarëve kundër komunistëve, që qëndruan për nëntë vite në malet e Shqipërisë të mbajtur nga populli i tyre, n’atë të burgosurve politikë të revoltave të Spaçit e Qafë Barit. Pjesëtarët më në dukje t ‘atij tubimi u ballafaquan menjëherë me terrorin e Sigurimit dhe të Gjykatave, u rrahën egërsisht, u sakatuan. Rini Monajka është shembulli më flagrant i dhunës policore, pasojat e së cilës i pagoi me jetën e tij pak vite më vonë. Ata u bënë pionierët e parë të Rilindjes shqiptare të vonë, i hapën rrugën një qëndrese të fuqishme që u pasua me të tjerë tubime, si ai i 28 janarit në Kryeqytet e të tjerë me radhë në Kavajë në Universitet, e qytete të tjera. Ata i vunë gurët e parë Shqipërisë demokratike me guximin e tyre, me vetëmohimin, me besimin se “kalaja e socializmit” ishte pa themele e si e tillë, nuk do të mund t’i qëndronte erës së lirisë. Ata ishin të ndërgjegjshëm se liria kërkonte sakrifica të fitohej e të mbahej. Ata djem të Shkodrës i pranuan sakrificat, u bënë si yjet ndriçues në qiellin e zi të diktaturës së Vendit të tyre. Si të tillë ata meritojnë vendin e tyre në Panteonin e heronjve të historisë bashkëkohore të Atdheut të tyre.

Fatkeqësisht, deri tani ata emra heronjsh kanë mbetur në hije, të errësuar nga real-politika apo nga të tjerë heronj të luftës kundër pushtuesit gjatë luftë së Dytë botërore. Historiografia zyrtare e gjithë këtyre tridhjetë viteve bie në një kundërthënie të dukshme: nëse vazhdon të vlerësojë me të drejtë ata djem e vajza që u vranë me të vërtetë nga pushtuesit italianë apo gjermanë, që ishin e keqja e asaj kohe, nuk ka asnjë vlerësim për të tjerë shqiptarë që luftuan, me dhe pa armë, komunizmin që qe me të vërtetë e keqja më e madhe e këtij Vendi. Sot shumë bien në ujdi me këtë pohim të fundit, por nuk kanë ndershmërinë intelektuale të pranojnë se ata shqiptare e shqiptarë, që kanë dhënë jetën si kundër komunistë, kanë të njëjtën të drejtë të quhen heronj, sepse atë jetë e kanë dhënë për të kundërshtuar e luftuar diktaturën më mizore të historisë së Vendit të tyre e të mbarë Evropës së mbas luftës.

Nëse “zgjedhja e duhur“, simbas tyre atëherë ishte lufta kundër pushtuesve, me të njëjtën logjikë mbas vitit 1944, arrihet në përfundimin se ajo zgjedhje duhej t ‘ishte lufta e kundërshtimi i diktaturës komuniste. Nëse argumenti më “i fuqishëm” i asaj historiografie, në analizën e asaj periudhe historike është se “ajo luftë e vuri Shqipërinë në anën e fituesve”, më 1990 po të ishte e njëjta njësi mendimi e veprimi në gjykim, do të duhej të pohonin ndershmërisht që gati gjysmë shekulli komunist ishte një dështim i plotë i gjithanshëm, mbasi Shqipëria bënte pjesë në gjysmë sferën e diktaturave më të zeza, pra “jo në zgjedhjen e duhur”.

Heronjtë e vërtetë janë të gjithë ata shqiptarë e shqiptare që nuk u pajtuan kurrë me regjimin liri vrasës të komunistëve, që e shprehën mospajtimin në mënyra të ndryshme, duke filluar që nga jeta në mal me armë në dorë deri në vdekjen pa varr në Atdheun e tyre, tek ata bij e bija të Shqipërisë e Kosovës që u masakruan nga ushtarët serbë, sepse deshën të mbronin Shqipërinë etnike, tek të gjithë ata intelektualë, klerikë e studentë, që diktatura i asgjësoi pa mëshirë si “armiq të popullit”, sepse deshën Shqipërinë evropiane, një Vend ku të respektohej e drejta e secilit për të lutur Zotin e për të shprehur lirisht mendimin e vet, tek ata që në mizorinë e kampeve të punës së detyruar të Spaçit apo Qafë Barit patë guximin të flijoheshin për të ngritur flamurin pa yllin e kuq, simbolin e Rusisë bolshevike, tek të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij trualli, që pranuan të bënin vite burgu, për të mos u bërë spiunë të regjimit në dëm të shokëve të tyre, për…..

Gjithësia kundër komuniste në Shqipëri, ndoshta nuk ka shumicën si sasi, por idealet për të cilët është flijuar për gati gjysmë shekulli, janë stolia më e vyer në ballin e Atdheut. Si të tillë ata meritojnë vlerësimin e respektin e duhur nga Shqipëria demokratike dhe historia që, simbas Carlyle-it “është poezia e vërtetë”. Mbas tridhjetë vitesh të tjetërsimit të sistemit, mbas një brezi tjetër që ka lindur, është rritur e futur në jetë, mendoj se shoqëria shqiptare, jeta akademike, politika, e kanë për detyrë të braktisin dogmat e diktaturës, të trajtojnë problemin me objektivitet shkencor e paanshmëri ideologjike. Është ky guri i provës që vihet sot para tyre, dëshmia e vërtetë nëse ka një demokraci në Shqipëri, apo ajo është kthyer në një demokraturë që vazhdon të shohë më shumë në pjesën e dytë të termit të përngjitur, se sa në të parën.

Më mirë të jesh mes të përndjekurve se sa mes përndjekësve”, thuhet në një shprehje të marrë nga Talmudi, libri i ligjeve të lashtë të Izraelitëve. Organizatorët dhe qytetarët e Shkodrës atë 14 janar të tridhjetë viteve të shkuara, përqafuan e zbatuan filozofinë e kësaj shprehjeje, duke dhënë një ndihmesë të vyer në shpërndarjen e errësirës së natës komuniste e në agimin e demokracisë. Të gjithë ne që po jetojmë në këtë demokraci, edhe se të diskutueshme, u shprehim atyre mirënjohjen tonë si popull, duke u premtuar se do të ruajmë përjetë në kujtesën tonë veprën e tyre./Gazeta Liberale

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back