Leteratura

Heroi im ballafaqohet me gjithçka të re

               Publikuar në : 11:14 - 06/05/19 Liberale

Imer Topanica

Shtypi kosovar, por edhe media elektronike, e kumtoi me njëfarë buje lajmin për kualifikimin tim në një rreth të ngushtë në kuadër të garës për çmimin “Kadare”. Disa madje u interesuan për realizimin e intervistave, diçka me të cilën nuk jam mësuar shumë. Të afërm, miq, kolegë, të njohur e të panjohur (me të cilët më lidhnin qoftë edhe fije të çfarëdoshme), më uruan sukses. Natyrisht, është ndjesi e mirë të kuptosh se po të vlerësohet mundi. Qe një javë urimesh …

Çmimi, pak për shkak të emrit, por mbase më shumë për shkak të vlerës monetare që e shoqëron, duket që e ka bërë një diferencë, e cila ka qenë e nevojshme për shoqërinë shqiptare. Mund të pyesni se për ç’lloj diference e kam llafin? Shumë e drejtë; e po për “pluhurin” mediatik që çohet pas disa ngjarjeve. Deri më tani prodhimtaria letrare nuk e ka pasur një vëmendje të këtillë, prandaj edhe shkrimtarët kanë qëndruar disi në margjina të zhvillimeve.

Por deri këtu nuk kemi ardhur vetëm për shkak të mungesës së një çmimi të denjë për autorët që e meritojnë me të vërtetë atë, por sepse arti, përgjithësisht nuk është çmuar, mbase për mungesë vizionesh politike të klasave, të cilat kanë sunduar, në vend që të qeverisin në këtë vend. Kam përshtypjen që në Shqipëri punët qëndrojnë pak më mirë për sa i përket librit, ndërsa në Kosovë, shtëpitë botuese mezi kanë mbijetuar deri më sot. Ja një tjetër fakt tronditës që e mbështet këtë që po e them: revistat letrare “Epër7tshme”, “Ars”, “Verbi”, “Kalendari Letrar” dhe disa të tjera më pak të njohura, janë shuar për shkak të mungesës së përkrahjeve nga institucionet. Këto të fundit, shpesh kanë dëshmuar se s’janë veçse rrënueset më të mëdha të vlerave artistike.

Për sa i përket dorëshkrimit tim, s’mund të them shumë. Edhe ashtu të rrallë janë shkrimtarët të cilët i japin të drejtë vetës të flasin për veprat e tyre. Është një pakt i shenjtë, i cili është shkelur disa herë, por kjo nuk ka ndodhur shpesh. Mund t’ju them që e kam filluar mjaft herët, diku në vjeshtë të 2015-s. Ka qëndruar për do kohë i papërpunuar, mandej iu kam kthyer tash së voni. Një mik imi, gjuhëtar me profesion (që për mua është një Gertrude Stein), e ka lexuar dhe më ka dhënë vërejtje, të cilat më kanë ndihmuar mjaft.

Për aq sa më lejon etika prej autori, do të thosha që i parapëlqej rrëfimet disi të ngjeshura me një frymë dinamike të përshkrimit të situatave. Dua që, nga perspektiva e një lexuesit, të duket sikur gjithçka po lëviz. Nuk e di nëse ia dal mbanë, ndonëse këtë e synoj. Pastaj, teksti fiktiv synon të godasë, para së gjithash, ndjenjën e qenies, përpara se arsyen. Kjo e fundit duhet të vihet në lëvizje pikërisht nëpërmjet emocionit. Është një rrugë tjetër, ndonëse në fondament, ka të njëjtin qëllim me faktin. Teksti faktik nuk i bie qark, ai provon ta godasë arsyen, para se emocioni qenie. Mua më duket që ky është dallimi themelor për sa i përket funksionit të letërsisë. Andaj, duke u nisur nga kjo, artin që kam provuar ta kultivoj, e kam parë përherë nga këndi: nëse është edhe argëtuese ajo ç’kam shkruar.

Përndryshe flet për fatin e njeriut në një periudhë të ndjeshme, fill pas një lufte të përgjakshme. Heroi im përpiqet të ballafaqohet me gjithçka që i duket e re, e papranueshme si vlerë. Unë kam luajtur pak edhe me disa teknika, me të cilat studimet letrare, por edhe kritika, është e njoftuar. Përfundimisht juria do ta thotë fjalën e fundit. Unë shpresoj që dorëshkrimi im të jetë “i përtypshëm” për lexuesit me sqimë. /Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *