Aktualitet

Henry Kissinger: Rusia ka humbur, por tani duhet shmangur shkallëzimi bërthamor

Shkruar nga Liberale
Henry Kissinger: Rusia ka humbur, por tani duhet shmangur shkallëzimi

Federico Rampini 

"Rusia ka humbur luftën, tani duhet të ndalojmë shkallëzimin e saj bërthamor. Mund t’a mundim edhe n’atë skenar por natyra e marrëdhënieve ndërkombëtare  dhe I gjithë sistemi botëror do të çakërdiseshin. Diplomacia duhet të kthehet në veprim"

Henry Kissinger flet në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtëme të New Yorkut, një vënd për të i dëndur në kujtime. Në këtë qëndër studimesh të gjeopolitikës më 1957 ai botoi syzimin që u bë guri themeltar i mendimit strategjik amerikan: "Nuclear weapons and Foreign Policy". Teorizonte lindjen e armatimeve bërthamore taktike – të paracaktuara për t’u përdorur vetëm në fushat e betejave e kundër një agresioni të trupave armike – dhe maste të gjitha pasojat.

Ai studim qe paralajmërues i një karriere të re, nga profesor universitar në krye të diplomacisë amerikane nën presidentët Richard Nixon e Gerald Ford. Në moshën 99 vjeçe urtësia dhe mëndjemprehtësia e tij janë pyetur për të kërkuar një përgjigje kërcënimeve të Vladimir Putinit, pikërisht për përdorimin e armëve bërthamore taktike në Ukrainë.

Kissingeri ka botuar një libër të ri, "Leadership", galeria e portreteve të gjashtë shtetarëve të mëdhenj të Nëntëqindës. Nuk tërhiqer mbrapsht mbi shkallëzimin bërthamor. "Që nga fillimi i mësyemjes së Ukrainës – thotë – duhej shmangur një fitore e Rusisë. Aq më tepër duhet shmangur që të kërkojë një hakmarrje bërthamore. Nuk mund të lejojmë që përdorimi i armëve bërthamore të bëhet i zakonshëm, të normalizohet. Jo vetëm për atë që do t’ishte përfundimi i llahtarshëm i menjëhershëm, por edhe për pasojat në ndërpretimin dhe ligjërimin e pushtetit nga ana e atij që i përdor. Nuk është e pranueshme që Rusia t’arrijë me armët bërthamore rezultatin që nuk ka qënë e aftë të mbërrijë pa ato".

Ish sekretari i Shtetit shpjegon se çfarë lloj përgjigjeje do të duhej të jepte NATO, nëse Putini do të përdorte vërtetë bërthamoren. Është një temë mbi të cilën ka pasur së fundi komunikime ndërmjet drejtuesve të nivelit të lartë ushtarakë të SHBA e të Moskës. "NATO – vëren – duhet të kundërveprojë sa më gjatë me armët e zakonshme. Por drejtuesit rusë duhet të dijnë se në rastin kur të përdorin armët bërthamore  caqet për një marrëveshje paqe do të bëhen më të rënda për ta, Rusia do të dalë si një komb më i dobët se më parë".

I paditur herë herë për cinizëm në Realpolitikën e tij, Kissinger saktëson se një rrugëdalje nuk mund të kalojë mbi kryet e popullit ukrainas. "Ukraina nuk duhet demoralizuar. Duhet të ketë një rol të dorës së parë në proçesin e paqës". Të hartojë një listë të gjithshkaje ka fituar Kievi në fakt që kur ka ditur të qëndrojë kundër pushtuesit e që duhet raktifikuar në çfarëdo marrëveshjeje paqeje. "Mbrojtjet e lirive ukrainase përfshijnë përkatësinë e saj në Bashkimin Evropian. Ndërsa për marrëdhëniet e saj me NATO-n tashmë është zgjidhur nga ngjarjet. Prandaj Rusija ka humbur. Në luftën e Parë e të Dytë botërore Rusia kishte treguar aftësinë e kërcënimit t’Evropës në terrenin e armëve të zakonshme, tashti kjo forcë e saj është mposhtur".

Megjithatë teoricieni më i madh në jetë i diplomacisë don të kthehet pikërisht në këtë: diplomacia.

"Një bashkëbisedim, qoftë edhe vetëm zbulues, është thelbësor në këtë atmosferë bërthamore. Nuk ka rëndësi nëse Putini na pëlqen apo jo. Nëse arma bërthamore do të hynte në veprim, sistemi botëror do të pësonte një çakërdisje me rëndësi historike. Nuk duhet të lidhim veprimin diplomatik me njeriun që n’a rri përballë. Na takon ne të përftojmë një bashkëbisedim që të ruajë sigurinë tonë por që të na riçojë tek fryma e bashkëjetesës. Përmbysja e udhëheqësit kundërshtar nuk duhet të duket si një parakusht". Nuk është i butë me të tijtë, nuk i bën zbritje gabimeve të së kaluarës. "Kur ra Muri i Berlinit e filloi riorganizimi i Lindjes evropiane, Shtetet e Bashkuara kërkuan të integrojnë gjithë zonën në një rend nën drejtimin e tyre. Nuk qe urtësi  orvajtja për të futur Ukrainën në NATO. Kjo nuk është një arsye për mësyemjen e Putinit. Por problemi tani është nëse është e mundur të bëhet një paqe me të. Dhe ky duhet përballuar në një kuadër më të gjërë: e ardhmja afatgjatë e marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Evropës, ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. Një Rusi që është e vetëdishme për kufizimet e saj , do të dëshërojë të jetë pjesë e Evropës apo do të zgjedhë Azinë? Mbi këtë duhet të shtjellojmë bashkëbisedimin".

Vëndin e tij në analet e Nëntëqindit, ai e pushtoi si regjizor i shkrirjes SHBA – Kinë më 1971 – 72. Ajo marrëdhënie ka mbetur në qëndrën e vëmëndjes së tij. Në krahasim  me takimin e famshëm Nixon-Mao, sot marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Pekinit janë në minimumin e tyre historik. "Kina – përsiat Kissingeri – ka qënë gjithmonë një beleg i posaçëm për Amerikën, në sajë të përmasave të saj, sot më të fuqishme se kurrë në planin ekonomik, teknologjik e ushtarak. Nuk kemi patur të bëjmë kurrë me një Vënd kaq madhështor, filozofia e të cilit është praktikisht e kundërt me atë tonën. Kinezët e quajnë historinë si një proçes të vazhdueshëm  që zhdërvjellohet  në mijra vite. Problemet e veçanta – që ne i përballojmë një nga një – i shohin si shprehje të atij proçesi. Sot që raporti i forcave është pothuaj i barabartë, kërkimi i një modus vivendi duket i vështirë. Edhe se është thelbësor e ka të bëjë me t’ardhmen e njerëzimit.

"Gjatë dy administratave të fundit amerikane – vëren Kissingeri që ka vazhduar të jetë pyetur nga presidentët si në Washington po ashtu edhe në Pekin – ka zotëruar ndeshja. Duhet rivendosur  një bashkëbisedim  mbi tema dërmuese: një luftë ndërmjet mbifuqive do të kishte pasoja më të këqija se Lufta e Parë dhe e Dytë botërore. Së paku udhëheqësit amerikanë e kinezë e njohin se ky rrezik ekziston e që ata janë të vetmit që kanë mundësi t’a ndalojnë. Për pasojë  venë në punë mekanizma paraprakë për të folur me njëri tjetrin  në fazat e para të një krize. Pastaj janë temat e mëdha mbi të cilat bashkëpunimi i dyanshëm është i domosdoshëm: që nga ndryshimet klimatike deri tek e ardhmja e teknologjisë". Përfundon me një thirrje Winston Churcillit  mbi cilat janë tre kërkesat themelore për të bërë politikë të jashtëme: "Të studiohet historia. Të studjohet hiatoria,  Të studiohet historia". E me një përsiatje mbi rolin e Amerikës: "Kushtet për një drejtim tonin botëror janë përkeqësuar, veçanërisht për përhapjen e armëve bërthamore. Më shumë se kurrë, sot duhet të jemi krijues".

/"Corriere della Sera", 1 tetor 2022 - Përktheu Eugjen Merlika

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH