Rreth 26 zyrtarë kosovarë janë helmuar, ndërkohë që ishin duke verifikuar kutitë me vota të ardhura nga Serbia.
Në momentin që kanë hapur zarfet, ata kanë pasur reaksione, disa kanë pas skuqje në dorë, kruajtje dhe disa shenja përreth syve. Mësohet se 9 prej personave janë shtruar në spital, mes të cilëve janë edhe 2 gra shtatzëna.
Ndërkohë gjendja shëndetësore e të gjitha këtyre pacienteve sipas QKUK-së raportohet të jetë stabile.
“Në ora,11:58, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femërorë, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ulët. Dy nga to kanë patur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, thanë për mediat zyrtarë nga ky spital.
Sipas tyre pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese.
Ndërkohë salla ku janë këto zarfe për momentin është e mbyllur. Në vendin e ngjarjes pritet që të arrijnë ekipet e posaçme me ato të policisë së Kosovës./Gazeta Liberale