Pas helmimit të 26 zyrtarëve kosovarë nga hapja e kutive me vota të ardhura nga Serbia, ka reaguar Lëvizja vetëvendosje.
Në një deklaratë zyrtare LVV thotë se këto kuti duhet të refuzohen pasi kanë ardhur në mënyrë të kundraligjshme dhe jo me postë.
LVV thotë se ato kanë ardhur në mënyrë të organizuar nga Serbia dhe duhet të hetohen.
“Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.
Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë.
Këto fletëvotime të sjella kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata.
Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar’, shkruhet në njoftimin e VV-së./Gazeta Liberale