Sociale

Hayek kundër Keynes-debati që formësoi politikat e shekullit të 20-të

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPress - 15 vjet

Titulli: HAYEK-u PËR HAYEK-un

Autor: F. A. HAYEK

Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa

“Kur një ditë do të shkruhet historia e analizës sekonomike të viteve 1930, shkruante John Hicks (1967), një nga karakteret udhëheqëse të asaj drame (dhe ishte vërtet një dramë), do të jetë Profesor Hayek. Zor të mbahet mend ndryshe, veçse si koha kur teoritë e reja të Hayekut ishin rivalet kryesore të teorive të reja të Keynesit”. Megjithatë, siç e pohon vetë Hayek në këtë libër autobiografik të mrekullueshëm, një nga keqardhjet e tij të mëdha ishte se nuk i bëri kundërvënie sa duhet teorisë së Keynesit mbi punësimin e plotë, edhe pse ajo kritikë do ta izolonte përkohësisht ndër komunitetin e akademikëve. Sot kjo keqardhje merr një kuptim të fortë, duke parë gjendjen në të cilën ndodhet shoqëria botërore e rrezikuar më shumë se kurrë prej borxheve publike, një tezë kejnsianiste që dalëngadalë, për më shumë se pesë dekada, do të bënte që në duart e shtetit të grumbullohej jo vetëm më shumë pushtet politik mbi fatet e individit, por dhe më shumë rreziqe për kriza potenciale.

Si i biri i një biologu dhe natyralisti, Hayek nuk mund të mos trashëgonte një sens prej vëzhguesi të mprehtë, veçse jo për fenomenet e natyrës, por për një qenie edhe më të ndërlikuar, siç është njeriu dhe shoqëria njerëzore. Punimet shkencore të tij do të nisin në shkencat e psikologjisë kognitive me të cilat do të ushqente teoritë e mëvonshme që do të shkruante në fushën e ekonomisë dhe të politikës.

Problemi themelor i ekonomiksit nuk ishte siç formulohet në tekstet mësimore, si një proces i alokimit të burimeve të kufizuara midis qëllimeve konkurruese. “...por problemi se si të sigurojmë përdorimin më të mirë të burimeve të njohura nga gjithë anëtarët e shoqërisë, për qëllime, rëndësinë relative të të cilit e dinë vetëm individët. Ose, thënë më shkurt, është problemi i përdorimit të dijes të cilën nuk e zotëron askush në tërësinë e vet.” Ishte mbi këto vëzhgime që Hayek më vonë do të ishte kundër teorive socialiste të planifikimit, duke i quajtur ato “iluzioni të bukura” ose “mendjemadhësi fatale” (fatal conceit). Planifikimi qendror nuk ka akses ndaj dijes së nënkuptuar që bart qenia njerëzore si e tillë, dhe mungesa e një aksesi të tillë kompromenton arritjen e rezultateve eficiente. Këto teza të përpunuara tek dy nga botimet më të rëndësishme të tij, “Ekonomiksi dhe Dija” (1937) dhe “Përdorimi i Dijes në Shoqëri” (1945) do ti jepnin edhe Çmimin Nobel në vitin 1974.

Punimet e tij në teorinë e cikleve të biznesit, prodhimin dhe çmimet, kapitalin dhe teorinë monetare, dijen dhe informacionin në ekonomi, janë pioniere dhe kontribute themelore në ngrehinën e teorive moderne të ekonomisë.

Hayek nuk besonte se ekonomiksi mund të studiohej në izolim nga shkencat e tjera të dijes. Vetë ishte i tillë dhe prandaj është e vështirë që vepra e tij të gjendet si pjesë e kurrikulumeve universitare. Hayek nuk ishte një ekonomist në kuptimin që i japim ne sot këtij termi; ai ishte një teoricien pedant i shkencës. Kontributet e tij në teorinë e ekonomisë, epistemologji, etikë, ligj, filozofi, politikë dhe psikologji i japin Hayekut statusin e një ekonomisti lider të shekullit të njëzetë.

Pjesë nga libri

A. Hayek-u, me emrin e plotë Friedrich August von Hayek, ka lindur me 8 maj 1899 në Vjenë, asokohe kryeqytet i Perandorisë Austro-Hungareze. Ai vdiq me 23 mars 1992, në qytetin e Fraiburgut (Freiburg im Breisgau) në Gjermani, një vend që nuk kishte shumë që ishte ribashkuar pas rënies së Murit të Berlinit dhe fundit të dominimit sovjetik në Evropën Lindore.

Shembja e socializmit vinte si një konfirmim i mbarë veprës së Hayek-ut. Libri më i famshëm i tij, “Rruga drejt Skllavërisë” (“The Road to Serfdom”), ka luajtur një rol kritik në rikthimin e idealeve ekonomike dhe politike që bënë të mundur rënien e regjimeve komuniste. Në qoftë se raketat Stinger, muzika rock dhe xhinset blu do të kishin luajtur një rol më të madh në këtë proces, kjo nuk do ta kishte zhgënjyer apo zemëruar Hayek-un. Ai, më shumë se gjithkush tjetër, na ndërgjegjësoi se vlerat transmetohen përmes shtigjesh të paparashikueshme.

Sikur gati të njëqind viteve, nëpër të cilat jetoi Hayek-u, t’u vinin një nofkë si ajo e tipit “shekulli amerikan”, ato me siguri do të ishin quajtur “shekulli austriak”; pasi kishin qenë kryesisht shpërthimet intelektuale dhe kulturore nga Vjena dhe Evropa Qendrore ato që kishin imponuar reagimet e pjesës tjetër të botës. Vrasja e Arkidukës Ferdinand dhe gruas së tij në Sarajevë, më 28 qershor 1914, kishte vënë në lëvizje një riorganizim të dhunshëm të rendit botëror në rrjedhën e historisë.

Lufta që evropianët filluan në vitin 1914, me mendimin se do të përfundonte brenda pak muajve, përfundoi me shembjen jo vetëm të premtimeve të një gjenerate, por edhe të vetë premisave themelore të një qytetërimi. Në honin që la pas vetëshkatërrimi i perandorive, zunë rrënjë nacionalizmi dhe socializmi. Vetë tiparet themelore të shoqërisë njerëzore ishin vënë në pikëpyetje. “Në dhjetor të 1910-s ose rreth asaj kohe, karakteri njerëzor ndryshoi.”, – shkruante Virgina Woolf-i në esenë “Mr. Bennett and Mrs. Brown”. Por ky ndryshim në karakter, nuk dha frytet e pritshme.

Në marsin e 1917-s, përpara se të mbaronte gjimnazin, Hayek-u iu bashkua një regjimenti të artilierisë tokësore. Për të, lufta nuk do të zgjaste më shumë se një vit. Ai u kthye nga fronti italian në kulmin e urisë, sëmundjeve dhe kaosit. Në nëntor 1918, filloi studimet në Universitetin e Vjenës.

Lufta e kishte zhvendosur interesin e Hayek-ut nga shkencat natyrore tek ato sociale dhe kjo merrte shkas nga përvoja si rekrut i një ushtrie shumëkombëshe. “Pikërisht atëherë, pashë rënien e perandorisë përballë problemeve nacionaliste. Unë shërbeva në një ushtri ku fliteshin dymbëdhjetë gjuhë të ndryshme. Ishte çasti i duhur që mendja të përqendrohej tek organizimi politik.”, – kujtonte ai më vonë.

Nëse legjitimiteti i dominimit të perandorisë ishte nën kritikë të fortë, edhe më pak i sigurt ishte dominimi i mendjes. Relativiteti, mekanika kuantike, Frojdi, Prusti, post-impresionizmi, po i ndryshonin njëherë e përgjithmonë nocionet tona të ekzistencës fizike dhe mënyrën se si e perceptonim ne atë. “Vura mbi tavolinë filxhanin e kafesë dhe fillova të analizoja mendjen time. I takon asaj ta zbulojë të vërtetën. Por si? Çfarë pasigurie e pacak mbizotëron sa herë që mendja e dallon se një pjesë e saj i ka kapërcyer kufijtë e vet; sa herë që vetë kërkuesi bëhet njësh me zonën e errët prej nga duhet të nisë të kërkojë, ku asnjëri prej instrumenteve që zotëron nuk do t’i thotë asgjë! Të kërkojë? Më shumë se kaq: të krijojë! Është si të ndodhesh ballë për ballë me diçka që deri atëherë nuk ekzistonte, së cilës vetëm ai mund t’i japë substancë dhe realitet, të cilën vetëm ai mund ta nxjerrë në dritën e diellit.” Kështu, rrëfyesi fillon e zhytet në historitë e gjata që të sjellin ndërmend kujtimet e ngjarjeve të shkuara të Marsel Prustit.

Vite më vonë, Hayek-u kryen një vëzhgim të ngjashëm te “Rendi i Ndijimeve” (“The Sensory Order”), që u botua në vitin 1952. “Ajo që ne quajmë ‘mendje’ është një rend i caktuar i një tërësie ngjarjesh që ndodhin në një organizëm dhe, në një farë mënyre, ka lidhje, por nuk është identik, me rendin fizik të ngjarjeve në një mjedis.” (f. 16). “Gjithçka që dimë rreth botës është e natyrës teorike dhe gjithçka që ‘eksperienca’ mund të bëjë është t’i ndryshojë këto teori.” (f. 143).

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH