Vladimir Myrtezai
Kur e pyeta Hasan Nallbanin se çfarë ndjesie i jepte çelja e një ekspozite në moshën 85-vjeçare, ai mu përgjigj: “Nuk do ta besoja se shndërrimet e shijeve dhe të shenjave të ndërrojnë në formë arbitrare; po aq edhe ato të formave të origjinës apo të modës. Të gjitha këto i përgjigjen një tjetër statusi të të qenit e të ndjerit. Vetëm në rrjedhën e tyre ato kanë si refleks shërbimin e tregtimit që i ndodh dhe që shërbehen. Në fillim unë nuk besoj te lëvizjet e mëdha kolektive, e për pasojë as te lëvizjet e shkollave artistike. E dimë që është e lehtë të krijosh dhe të mbash lëvizje të tilla në forma artificiale. Në rrugën e artit dihet tashmë se sa vlen personaliteti i artistit. Dhe sado të infiltrohen lëvizje të mëdha, të ashtuquajtura kolektive, të angazhuara, përsëri ato përbëhen nga celula e pashmangshme e individit, ndikimi i së cilës më eksperimentoi në një mënyrë totale botëkuptimin si shprehje arti dhe si gjendje ekzistence.”
Të ngresh një nismë kuratoriale mbi një materie artistike në zhvillim e sipër, apo për të gjetur një arsye të qenësishme sy publikut është një tjetër nismë në përputhje me vetidentifikimin e shkruesit të këtyre radhëve.
Rasti për të rishikuar krijimtarinë e Hasan Nallbanit nuk është spontan, por rezultat i një bindjeje të hershme se kemi të bëjmë me një piktor të plotë, qoftë kur afrohet si traditë në përmasën historike, qoftë kur ngasesh nga një lloj sindrome që kërkon ta shtysh si figurë në sfond, për ta konvertuar më pas si kohë e shkuar. Kështu e ke të pamundur, për arsyen e thjeshtë se duket si një krijimtari që nuk resht së provokuari në këtë ndërvarje për të mos lejuar ta kthesh në histori tradite. Vë re një energji që nuk resht së qeni e freskët dhe në një hartë kërkimi që të bën të mendosh se nuk është koha si epokë që e kornizon artistin, por vetë talenti i tij që nuk shter së qeni gjallues, duke sfiduar periudhën si dukuri që përpiqet ta kategorizojë. Nëse ky rrugëtim gjeneron këtë lloj komunikimi, atëherë kemi të bëjmë me një personazh të përputhur midis artistit dhe veprës së kryer të tij. Por, e gjitha nën një perceptim klasik të piktorit, që nuk mund ta mendosh ndryshe veçse në studion e tij, në prerjen më të favorshme të qetësisë krijuese.
Gjithsesi, duke marrë në konsideratë përvojën mbi 80-vjeçare të autorit, ke kënaqësinë ta gjurmosh në një raport përkrahës, që nuk të lejon ta marrësh nën mbrojtje si nostalgji, por si një entitet ende të gjallë e aktiv në dialogun mes veprës dhe shikuesit. Një rast disi veç që të bën një përshtypje të rrallë, pasi ka aso karakteresh që mezi presin të jenë të fonduar në rreshtimin e historisë. Me Hasan Nallbanin kemi rrëkëllyer raporte njerëzore, kemi bashkudhëtuar duke ndarë e shoshitur me ulje-ngritje shqetësime e ngarkesa ekzistenciale dhe emocionale, si një raport mes nxënësit dhe mësuesit, gjë që më jep mundësinë ta kem në krye të vëmendjes, shoqëruar me një ndjenjë dashurie krejt njerëzore për botën e tij piktorike.
Në rininë time të hershme ruaja fshehtë idenë se Hasan Nallbani ishte një lloj artisti i paklasifikueshëm nga optika e njohjes së artit të pikturës në atë kohë. Kisha gjithnjë bindjen se vetitë e tij piktorike nuk ishin zbuluar sa duhet. Këtë “gjykim” e ndaja vetëm me miq të pakët.
Ai mbetet një lloj reference, sepse mënyra se si më parakalon krijimtaria e tij nuk më lë asnjë shteg për të vënë në dyshim ndonjë stacion të këtij rrugëtimi të gjatë. Pikturën e tij e do menjëherë, pasi komunikon në standarde të çuditshme, si një plastikë që e kam shprehur edhe më parë, ku parësore mbetet struktura emulsioni ku ai vendos personazhet apo subjektet e tij në përgjithësi. Në gjuhën e pikturës ky akt e bën organik mesazhin, duke e ruajtur nga rënia në klishe apo dekor, gjëra që i hasim shpesh. Penelata e tij kthehet në shprehje të emocionit të parë që merr, shkak i një imazhi por që përkthehet si unitet shprehës i metodës piktorike.
Piktura alla prima, një veti e lindur që vjen bindëse në veprat Nallbanit, si një vazhdimësi që nuk ndalon së befasuari. Në fakt, rrjedhat në raport me shprehinë autorit lindin jo nga platforma të menduara që kanë lidhje me trendet e reja që propozon piktura, por nga një territor ku shpërbëhet plastika, duke e veshur imazhin me një perceptim spontan. Të duket sikur shkruan kur pikturon dhe anasjelltas, nën muzikën e brendshme të një kërkimi pa fund.
Piktura e Nallbanit është ajo pikturë që prek cipën e imazhit në një zhdërvjellje që nuk ndan kufij të mirëkuptuar, por si një ngjizje e çlirët, që e bën të papërsëritshme prekjen, duke e bërë sipërfaqen e sheshtë të pikturës të paimitueshme e krejt irracionale. Si rrjedhojë e një intensiteti aktiv, Nallbani ta bën të pamundur t’i afrohesh me përkufizim. Ai të jep distancën e duhur për të qëndruar në kufij supozues, me sigurinë e plotë se kemi të bëjmë me një lojtar të regjur. Për këtë arsye, në këtë udhëtim që duket sikur nuk ndalon, provon një keqardhje kur e përcakton, pikërisht për shkak të kësaj energji që duket akoma e pakryer, që nuk mund ta ndalosh duke i lënë kohë të derdhet e të zërë vend.
Dalja para publikut e Hasan Nallbani shënon nevojën e këtij shkëmbimi impulsesh aq të nevojshëm për të dhënë një mesazh se nuk ka artistë të vjetër apo të rinj, por ka artistë pa moshë që vibrojnë si ishuj mikpritës.
Gjuhët dy dimensionale kanë konsumuar tashmë një hartë të stërmadhe e të sofistikuar, nga prejardhje dhe rrjedhoja nga më të ndryshmet. Është një botë e madhe e shkrimësisë dhe e prekjes, që e përvijon fizionominë e saj në dhomëza pa fund. Nëse do bëjmë të krahasueshmin do kishim një betejë të humbur, por nëse përpunojmë të pjesshmen si formë gjykimi, se ajo çfarë na rrethon ngjall atë lloj kultivimi që mendja njerëzore rreket ta përfshijë e ta bëjë pjesë të opinionit. Në një fushë idesh rrekemi të afrojmë pjesë identifikimi e simpatish, duke e ushqyer pjacën artistike jo në mënyrë konsumeriste, por si një udhëtim njohës.
Për ta ndihmuar këtë qasje, do përmendja Antoni Tapies, një piktor i shekullit të kaluar, i cili thotë: “Shpesh punoj dhe krijoj si një muzikant, ndjek një seri variacionesh të lira me gjeste e spostime muzikore, që nga shenja, tekstura dhe spostimet e befta, të nënkuptuara nga koha, që nuk mund ta shquaj gjithherë në të njëjtin vokacion muzikor. Artisti që nuk ka nevojë për rregulla projektohet mbi material si një substancë psikike. Ky projeksion ndërtohet esencialisht. Ajo që vlen, në fakt, është ky lloj elektriciteti që krijohet si një thellësi e ndjerë apo si një cilësi njerëzore. Nuk po them mbinjerëzore. Është kjo gjë e rëndësishme që duhet afirmuar dhe projektuar në veprën e artit. Do na duhet të jemi besnikë të impulsive tona më të thella. Shpesh kërkimet tona tingëllojnë të pastra, ekstravagante e me fantazi. Do të na duhet të luftojmë me të gjitha forcat tona për të rizbuluar njeriun në një dimension të madh të qartësisë së tij.”
Krejt qartë e në substancë, artisti nuk është një veshje e subjektit, por një përjetim i thellë i asaj çfarë e rrethon, duke përkrahur e zgjedhur nën trysninë e një energjie që nuk mund të kontrollohet nga logjika. Nën këtë dritë, piktura e Nallbanit e ruan këtë potencial të nëndheshëm instinktiv në gjuhë e strukturë.
Vepra e artit, sipas meje, qoftë pikturë, instalacion, video apo ide nuk mund të ishte diçka e ndërvarur e me funksion, pasi ajo ka personalitetin e vet të brendshëm. Si e tillë ajo është e vetëmjaftueshme.
Hasan Nallbani vjen si risi në tjetër zgjedhje për faktin se piktura e tij ka marrë një karakter fragmentar, nga ku ai merr shkas për një udhëtim drejt tërësisë. Ky lloj udhëtimi e ka çliruar pikturën e tij duke e bërë të drejtpërdrejtë, që krijon një dialog të menjëhershëm .
Po të vërejmë me kujdes, një nga veçoritë e këtij qëndrimi lidhet me psikologjinë e strukturave piktorike, që ai i bën pjesë të një dialogu pamor. Zgjedhjet e tij na bëjnë të mendojmë një ndërgjegje të mbarsur me vështrime, dritë, hije dhe gjëra bazike.
Ndryshe nga artistë të tjerë, ai ruan shprehjen e së përgjithshmes, duke mohuar qëllimisht elemente të analizës apo të kërkimit konceptual. Anashkalimi i perspektivës i shton një narrativë prej realizmi magjik veprave të tij. Nuk interesohet më për pamje apo diferenca të mirëmenduara estetike. Është një psikë e re që përftohet në total.
Struktura e pikturës së tij, e shtrirë në kohë, ka një koherencë që shpesh vjen si kontradiktore, por e lirë në zgjedhje, si një udhëtim në vise të papritura. Artisti mbetet peng i rrethanës dhe kohës, që e shtyn në përballje me shijet dhe shenjat e trashëguara.
Në traditën e pikturës shqiptare, Hasan Nallbani është gjurma e një artisti të shqetësuar, një shqetësim të cilin, më mirë se me këdo, ai e ndan me veten, si një ritual që ripërtërin të qenit në botë.
Së afërmi po përgatitet ekspozita e Hasan Nallbanit në hapësirat e galerisë FAB i ftuar nderi si kontributor dhe mësimdhënës . Në këtë hapësire do ketë mundësinë të mbajë disa biseda me studentet e akademisë. /Gazeta Liberale
|