Aktualitet

Harta e re gjyqësore dhe cenimi i aksesit në gjykatë

Shkruar nga Liberale
Harta e re gjyqësore dhe cenimi i aksesit në gjykatë

Slogani i KLGJ-së për hartën e re gjyqësore, “Më pak gjykata dhe më shumë cilësi” a vlen edhe në praktikë kështu? Si mund të garantohet cilësia më e lartë nëse do të ndryshojë vetëm rigrupimi i tyre, nga 22 gjykata në 12 gjykata?! Nga të gjithë faktorët e analizuar, propozimi për riorganizimin e pushtetit gjyqësor shkel hapur të drejtat e individit për një proces të rregullt ligjor

Av. Matilda Balliu*

Pas një procesi pune, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Ministria e Drejtësisë, prezantuan draftin me hartën e re gjyqësore me 12 gjykata të shkallës së parë nga 22 që janë aktualisht, 1 gjykatë Apeli nga 6 aktuale, ku në të njëjtën mënyrë është i ristrukturuar edhe organi i akuzës. Reduktimi në 2 gjykata administrative të shkallës së parë nga 6 aktuale, Pra nga një numër total prej 36 gjykatash në R.Sh, drafti propozon suprimimin e 20 gjykatave, më shumë se sa 50% të numrit aktual, duke lënë funksionale vetëm 16 gjykata.

Slogani i KLGJ-së për hartën e re gjyqësore, “Më pak gjykata dhe më shumë cilësi” a vlen edhe në praktikë kështu? Si mund të garantohet cilësia më e lartë nëse do të ndryshojë vetëm rigrupimi i tyre, nga 22 gjykata në 12 gjykata?!

Konkretisht gjykatat që do të suprimohen do të jenë, Gjykata Kavajës, Krujës, Kurbinit, Lushnjës, Matit, Pukës, Përmetit, Sarandës, Pogradecit, dhe Tropojës, të cilat do t’i bashkohen përkatësisht gjykatave të Durrësit, Lezhës, Fierit, Dibrës, Shkodrës, Gjirokastrës, Korçës dhe Kukësit, duke mbetur të pandryshuara Gjykatat e Tiranës, Vlorës, Elbasanit dhe Beratit.

Ndërkohë Gjykatat e Apelit të Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Gjirokastrës dhe Korçës, do të bashkohen me Gjykatën e Apelit Tiranë, me emri Gjykata Kombëtare e Apelit.

Ndërsa, përsa i përket Gjykatave Administrative të shkallës së parë nga gjashtë aktuale (Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Vlorë, Gjirokastër) do të ristrukturohen në dy  gjykata të pozicionuara gjeografikisht në Tiranë dhe Fier.

Reforma e Gjykatës Administrative (dy  të shkallës së parë dhe një apeli) është shembulli që reduktimi i numrit të gjykatave nuk përmirësoi, por përkeqësoi situatën, pasi ngarkesa e numrit të çështjeve për gjyqtar u rrit, kohëzgjatja e kohës së pritjes për gjykimin e një çështje në Gjykatën Administrative të Apelit, largimi fizik i gjykatave nga individi, koha e gjatë e pritjes për të rivendosur në vend të drejtën, duke qenë se vendimi gjyqësor bëhet i ekzekutueshëm pas dhënies së vendimit të Gjykatës së Apelit (me përjashtim të rasteve të dhënies së vendimeve me ekzekutim të përkohshëm).

Pa mohuar faktin se struktura e Gjykatave Administrative u specializua në kompetencë lëndore, çështjet në shkallë të parë u gjykuan brenda afatit të arsyeshëm, por ajo që penalizoi individin kundrejt organeve administrative, ishte realizimi i të drejtës së tyre, pas vite të tëra pritje, duke qenë se një Gjykatë Administrative Apeli, me organikë prej 13 gjyqtarësh, e kishte objektivisht të pamundur për të respektuar afatin e arsyeshëm për gjykimin e të gjithë çështjeve administrative në Republikën e Shqipërisë.

Sipas projektit të propozuar nga KLGJ dhe KLP, se garantimi i shërbimeve administrative për publikun në godinat ekzistuese të gjykatave të shkallës së parë, përmes modelit “one stop shop”, nuk është i mjaftueshëm për të garantuar të drejtën e aksesit vijues në gjykatë, pasi rrit largësinë gjeografike, po ashtu rrit dhe kostot që qytetarit i duhet të mbartë, pa përmendur vitet e gjata të pritjes deri në marrjen e formës së prerë të vendimit gjyqësor.

Kuptohet se problem thelbësor, për të cilin u punua deri në paraqitjen e këtij propozimi ishte menaxhimi i vakancave të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të krijuara nga procesit i vetingut.

Rezulton se, subjektet që do t’i nënshtrohen vetingut janë 800, ku deri më tani janë vlerësuar më shumë se 50% e numrit të tyre. Aktualisht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) nga 447 vendime të dhëna deri tani, vetëm 180 prej tyre janë për konfirmimin në detyrë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra afërisht vetëm 1/3 e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët i janë nënshtruar procesit të Vetingut, kanë arritur të konfirmohen në detyrë. Pa dyshim që procesi vendimmarrës i vetingut ka ndikuar në reduktimin e numrit të gjyqtarëve, si pasojë e moskonfirmimit të tyre në detyrë, fakti i cili si pjesë e procesit zinxhir ka ndikuar tek faktorë të tjerë, si rritja e numrit të ngarkesës së çështjeve për gjyqtar/prokuror, zgjatja e afatit të shqyrtimit të çështjeve, pra pritje e gjatë që shkon me vite për rivendosjen në vend të drejtave dhe interesave të shkelura të qytetarëve.

Mitigimi i problematikave të ardhura nga procesi i vetingut, nuk mund të legjitimoj KLGJ, KLP dhe Ministrisë e Drejtësisë për të propozuar masa kaq drastike reduktimi numrit të gjykatave.  Në një kohë kur Shkolla e Magjistraturës çdo vit sjellë fond magjistratësh (ku prej vitit 2018-2021 janë diplomuar rreth 90 magjistratë dhe aktualisht janë 180 studentë, nga ku 46 prej tyre pritet të diplomohen dhe emërohen në vitin 2022).

A nuk do ishte e drejtë dhe efikase nëse të merreshin masa të përkohshme deri në stabilizimin e numrit të gjyqtarëve, por pa cenuar dhe prekur të drejtat e individit?!

Nëse mendohet se vijimi i funksionimit të numrit të gjykatave aktuale, do të sillte kosto shtesë për buxhetin e sistemit gjyqësor, edhe ky argument nuk mund të qëndrojë për sa kohë godinat janë ekzistuese, numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve është në proporcion me ngarkesën e numrit të dosjeve dhe numrin e banorëve që mbulojnë.

Edhe pse qëllimi i hartës së re është përballimi i reduktimit të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, largimi tyre nga sistemi i drejtësisë, si pasojë e procesit të vetingut. A mjafton përshtatja që prezantoi KLGJ dhe KLP për reduktimin e numrit te gjykatave dhe prokurorive me reduktimin e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Reduktimi i numrit të Gjykatave a e zgjidh problemin e vakancave të prodhuara nga procesi i vetingut? A cenohen të drejtat e qytetarëve për të aksesuar gjykatën? A cenohet interesi për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm kohor?

Nëse i referohemi statistikave, vetëm Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë për vitin 2021 ka një ngarkesë prej 122,505 çështjes ku vetëm 312 prej tyre kanë përfunduar dhe 122,193 janë dosje që mbarten për vitin 2022. Ngarkesë mujore mesatare është rreth 1800 çështjesh/gjyqtar.

Referuar statistikave të pasqyruara në faqen zyrtare të Gjykatave të Republikës së Shqipërisë, numri i çështjeve të Gjykata të rretheve (të propozuara për reduktim)  që kanë numër sipërfaqe dhe popullsie më të vogël, kalojnë mbi 500 çështje në vit, ku kohëzgjatja në 80% të rasteve i kalon mbi dy vite, ndërsa numri i çështjeve për Gjykata të rretheve (të propozuara për reduktim)  që kanë numër sipërfaqe dhe popullsie më të madhe, kalojnë nga mbi 1000 çështje në deri në 5000 çështje në vit, ku gjithashtu në 80% të rasteve kohëzgjatja e tyre është mbi 2 vite.

Nga statistikat për vitin 2021, ajo çka vërehet në raport me çështjet e tjera penale e civile, është numri i lartë i çështjeve të dhunës në familje dhe lëshimit të urdhrave të mbrojtjes në shkallë vendi, të cilat janë tepër sensitive dhe një arsye më shumë pse nuk duhet të rritet distanca gjeografike ndërmjet gjykatave/prokurorive dhe qytetarëve.

Përtej faktit të bllokimit të shqyrtimit të dosjeve në Gjykatën e Lartë, si pasojë e mosfosfunksionimit për shkak të vakancave, ajo që paraqitet problematike është kohëzgjatja për shqyrtimin e çështjeve në Gjykatë të Apelit, vendimi i së cilës e bën vendimin gjyqësor të ekzekutueshëm.

Nëse i referohemi statistikave të Gjykatës së Apelit Tiranë aktualisht ka 20.000 çështje në regjistruara, nga ku numri i gjyqtarëve aktuale në këtë Gjykatë është me 6 anëtare, ku secili gjyqtarë ka mbi 3000 dosje për të gjykuar.

Ndërkohë ngarkesa e numrit të çështjeve për gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Apelit në vit është 3000 çështje.

Rezulton se propozimi i hartës së re gjyqësore nuk është në përputhje me Strategjinë Ndërsektoriale në Drejtësi për vitin 2021-2025, në njërën prej katër  shtyllave është Gjyqësor dhe Prokurori të aksesit efektiv nga qytetarët. Krejt e kundërt shihet propozimi për ristrukturimin e gjyqësorit, ku numri i gjykatave dhe prokurorive të rretheve do të pësojë një reduktim, nga 22 në 12, fakt i cili prek në mënyrë të drejtpërdrejtë aksesin efektiv të individëve në gjykatë dhe prokurori. Pa përmendur më pas kryerjen e hetimeve nga ana e organit të akuzës dhe kostot që duhet të mbartin për të hetuar një çështje me largësi gjeografike nga godina ku i duhet të ushtrojnë funksionin, ku procesi i marrjes së provave mund të mos garantojë prishjen apo humbjen e tyre, gjë e cila do të vinte në kundërshtim me qëllimin e funksionimit të saj.

Largimi gjeografik i Gjykatës nga qytetari vështirëson akoma më tepër aksesin në gjykatë, realizimin e të drejtës së shkelur, rrit ndjeshëm kostot që individi duhet të mbartë për të ndjekur çështjen personalisht, kjo përsa i përket çështjeve civile dhe penale.

Krejt i papranueshëm është propozimi për të reduktuar numrin e Gjykatave Administrative nga gjashtë në dy. Ku siç përmendëm edhe më sipër, organizimi i gjykatave administrative në gjashtë qarqe ka krijuar disbalancë dhe rritje të kostove për qytetarët që të aksesojnë gjykatën, ndërkohë sipas propozimit me dy gjykata, të vendosura në Tiranë dhe Fier, ky strukturim i gjykatave administrative favorizon hapur organet administrative, dhe krijon pengesa objektive për individët që të mund të investojnë çështjen e tyre në gjykatë. Nisur nga statistikat, ku numri i çështjeve të regjistruar aktualisht në Gjykatën Administrative të Apelit është17.000 dosje, tregues matës i cenimit të të drejtave të qytetarëve nga ana e administratës publike. Për të mos përmendur këtu vite të  gjata pritjeje të individëve për të marrë një vendim të ekzekutueshëm. Pritshmëritë e ligjshme të individit, për të realizuar të drejtën e tyre brenda një afati të arsyeshëm, nuk mund të neglizhohen apo të mos merren parasysh nga grupi i ekspertëve që kanë kryer këtë propozim. Jo çdo ndryshim mund të jetë a priori i barasvlershëm me eficencë dhe drejtësi efikase, kur ndër të tjera eksperienca me gjykatat administrative ka dëshmuar qartë mos objektivitetin të fatibilitetit të gjykimit të dosjeve brenda afateve të arsyeshme ligjore, të parashikuara në Nenin 399/1 e vijues të Kodit të Procedurës Civile, e cila është pjesë e procesit të rregullt ligjor.

Nga të gjithë faktorët e analizuar, propozimi për riorganizimin e pushtetit gjyqësor shkel hapur të drejtat e individit për një proces të rregullt ligjor. Organet dhe strukturat propozuese, duhet të marrin në konsideratë faktorët e mësipërm dhe të gjejnë zgjidhje alternative për të menaxhuar impaktin e reduktimit të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa cenuar të drejtat e procesit të rregullt ligjor, pasi ku strukturim gjeografik dhe reduktim i numrit të gjykatave, nuk do të zgjidhte në thelb problemin e vakancave në gjyqësor.

*Avokate pranë Studio Legale “Muja & Associati

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH