Globi

Haradinaj dhe Mustafa nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit

Shkruar nga Liberale
Haradinaj dhe Mustafa nënshkruajnë marrëveshjen e koalicionit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka finalizuar marrëveshjen e koalicionitme Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për formimin e qeverisë së re.

Marrëveshja është nënshkruar gjatë një takimi të zhvilluar mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, ku ishte i pranishëm edhe kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti.

Sapo përmbyllëm një takim me Mustafën dhe me të nominuarin për kryeministër Avdullah Hotin dhe ne arritëm marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re”, u shpreh Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do t’i ketë katër ministri si dhe një post të zëvendëskryeministrit të parë.

Sipas marrëveshjes, zëvendëskryeministër i parë do të jetë Besnik Tahiri. Kurse ministritë që do të udhëhiqen nga AAK janë: Ministria e Punëve të Jashtme me ministren e propozuar Meliza Haradinaj-Stublla, Ministria e Drejtësisë me ministrin e propozuar Selim Selimi, Ministria e Zhvillimit Ekonomik me në krye Blerim Kuqin dhe Ministria e Arsimit me ministrin e propozuar, Ramë Dika.

Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti tha se është në proces të përmbylljes së bisedimeve me partitë politike për qeverinë e re, të cilën ai pretendon se do ta drejtojë së shpejti.

“Sa më parë që i përmbyllim marrëveshjet, menjëherë do të procedojmë për në Kuvend”, tha Hoti.

Duke iu përgjigjur një deklarate të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli se vendi duhet të shkoj në zgjedhje sapo të përfundojë pandemia e koronavirusit, Hoti tha se “vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje, përderisa të ketë një shumicë parlamentare në Kuvend”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH