Aktualitet

Hapja e shkollave/ Duma: S'ka asnjë plan për shëndetin e fëmijëve

Shkruar nga Liberale
Hapja e shkollave/ Duma: S'ka asnjë plan për shëndetin e

Partia Demokratike ka sulmuar sërish qeverinë sa i takon vendimit për rihapja e shkollave në kushte pandemie.

Ish-deputetja e PD, Grida Duma deklaroi se deri më tani nuk ka asnjë plan për sigurinë e shëndetit të fëmijëve dhe arsim cilësor. Sipas saj, ende nuk është publikuar asnjë udhëzim apo protokoll sigurie.

“Vendimi i derisotëm për hapjen e shkollave është një vendim “ngelës”, i papregatitur, i cili në mungesë të njohjes dhe llogaritjes së kapaciteteve, kohës, organizimit të të gjitha mjeteve, rrezikon shëndetin e fëmijëve së pari dhe gjithë zinxhirit të mëtejshëm pas tyre.”, shprehet Duma.

DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE

Kur kanë mbetur vetëm 3 javë nga nisja e vitit të ri shkollor, qeveria nuk ka marrë asjë masë, nuk ka publikuar asnjë udhëzim dhe asnjë protokoll sigurie që ruajnë jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe mësuesve.

Edhe shpalljen e vendimit për rihapjen e shkollave e bënë nën presionin e drejtë të Partisë Demokratike.

Nga vetë deklaratat e Ministrisë së Arsimit, vendimi per hapjen e shkollave është marrë pa asnjë pregatitje. Gjithë çfarë Ministria deklaron është që ende po detajojnë një plan. Pra, vetëdeklarojnë se kanë marrë vendimin pa pasur një plan.

Vendimi i marrë para hartimit të një plani të mirëmenduar sipas kushteve dhe mundësive me shkollat tona është një rrezik mbarëkombëtar.

Sot qeveria nuk deklaron asnjë plan masash, sepse nuk e ka! Pikërisht sepse nuk ka një plan apo strategji, ka gjetur mënyrën keqdashëse ta hedhë përgjegjësinë tek prindërit duke spekuluar që gjoja “po bën atë që deshën shqiptarët”, sepse “kështu doli sondazhi”.

Qeveritë nuk qeverisin me sondazhe dhe sondazhet nuk janë vendime qeverie. Nëse do të ishte kështu, bënin mirë të kryenin një sondazh mbi çfarë donin shqiptarët në kohën e karantinës; apo çfarë donin shqiptarët, kur mbyllja pa plan u shkatërroi ekonominë dhe punën.

Për më shumë, qeveria ka vendosur pikërisht të kundërtën e asaj që duan shqiptarët. Shqiptarët në çdo sondazh zgjedhin të arsimojmë fëmijët në kushte sigurie jete. Shqiptarët në çdo sondazh vënë shëndetin dhe jetën si prioritet themelor.

Pikërisht për këtë qeveria duhet të na thotë qartë dhe me përgjegjësi të plotë:

– Çfarë ka ndryshuar në kapacitetet dhe pregatitjet për mbrojtjen nga infektimi nga koha kur shkollat u mbyllën, ndërsa kishte vetëm 5-15 të infektuar në ditë.

-Çfarë kapacitetesh më të specializuara ka sot qeveria kur deklarohen edhe 150 të infektuar në ditë?

Problemet që nuk kanë marrë një zgjidhje dhe që ndikojnë negativisht në sigurinë shëndetësore në shkolla janë disa.

• Shumë shkolla në Tiranë dhe Durrës, edhe para pandemisë, bënin mësimin me turne. Tani nuk dihet se me çfarë kapaciteti do të punojnë. Qeveria nuk ka akoma një përgjigje.

• Qeveria nuk ka zgjidhur akoma çështjen e nxënësve dhe mësuesve të shkollave të shembura nga tërmeti i Nëntorit të kaluar.

• Për shkak të mungesës s ënjë plani, qeveria nuk ka përgjigje për programin 6 orësh mësimor. Çfarë do të bëhet me të? I alteruar mes mësimit në klasë dhe online, ngarkesa shkon edhe 12 orë.

• Qeveria nuk thotë se çfarë do të bëhet me oraret e mësimit, në mënyrë që prindërit të gjejnë një mundësi për përshtatjen e orareve të tyre.

• Shkollat nuk janë pastruar dhe higjenizuar.

Vetëm tre javë nga fillimi i mësimit dhe për asnjë nga këto probleme të mëdha nuk ka asnjë strategji të qartë përballimi.

Qeveria duhet të jetë e qartë që fëmijët në shkolla dhe siguria e tyre janë përgjegjësi e saj prioritare, shumë më tepër se çdo pjesë tjetër e popullatës.

Fëmijët e shqiptarëve mund të nisin jetën shkollore vetëm pasi të qartësohen plotësisht për mënyrën dhe masat e plota të ruajtjes së standardeve të distancës, higjenës, sjelljes mbrojtëse, në të gjithë ambjentin shkollor.

Vendimi i derisotëm për hapjen e shkollave është një vendim “ngelës”, i papregatitur, i cili në mungesë të njohjes dhe llogaritjes së kapaciteteve, kohës, organizimit të të gjitha mjeteve, rrezikon shëndetin e fëmijëve së pari dhe gjithë zinxhirit të mëtejshëm pas tyre.

Partia Demokratike kërkon informimin dhe transparencën e plotë të shqiptarëve mbi hapat, mjetet dhe mundësitë e përllogaritura për të nisur një vit shkollor që i shërben arsimimit dhe forcimit dhe jo rrezikut të shëndetit dhe jetës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH