Aktualitet

Hapja e negociatave/ Rama dhe 15 zyrtarë të lartë nisen të hënën drejt Brukselit

Shkruar nga Liberale
Hapja e negociatave/ Rama dhe 15 zyrtarë të lartë nisen të

Delegacioni shqiptar do të niset që të hënën drejt Bruksel për të qenë gati të martën për konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian.

Delegacioni do të përbëhet nga 15 zyrtarë, pjesë e grupit negociator me BE, kryesuar nga Kryeministri dhe ministrja e Jashtme, që do të udhëtojnë drejt Brukselit për t’u ulur përballë përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të unionit në prani të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme Josef Borrell, komisionerit për Zgjerim Varhelyi dhe ministrit të Jashtëm çek, vend që ka Presidencën e radhës së BE.

Përfaqësuesit e të dy palëve do të paraqesin kornizën negociuese e cila duhet të miratohet. Për Shqipërinë kjo do të jetë dhe çelja zyrtare e negociatave.

Por kush janë zyrtarët shqiptarë që do të jenë pjesë e delegacionit?

Delegacioni Shtetëror është organi përgjegjës për zhvillimin e dialogut politik dhe negociatave me Institucionet e Bashkimit Evropian, përfshirë hapjen dhe mbylljen e negociatave për secilin kapitull të acquis të Bashkimit Evropian.

Delegacioni Shtetëror përbëhet nga:

Ministri përgjegjës për çështjet e integrimit evropian dhe punët e jashtme-Olta Xhaçka

Zëvendëskryetari i Delegacionit Shtetëror – Kryenegociatori- Zef Mazi

Kreu i Misionit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Përfaqësues të ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore.

Delegacioni Shtetëror përfaqëson Republikën e Shqipërisë në Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkim Evropian në kuadër të negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian.

Në ushtrimin e funksioneve të tij Delegacioni Shtetëror mbështetet nga Grupi Negociator dhe Sekretariati i Integrimit Evropian.

Për secilin nga 35 kapitujt e acquis të Bashkimit Evropian krijohet një Grup Ndërinstitucional Pune.

Grupet Ndërinstitucionale të Punës janë përgjegjës për:

analizën e politikave, legjislacionit, financimit, investimeve, procedurave administrative, ndërveprimit social dhe të sipërmarrjes private, dhe zbatimit gjyqësor për fushën përkatëse të mbuluar nga kapitulli përkatës i acquis;

përgatitjen e vlerësimit analitik të harmonizimit të legjislacionit vendas me acquis të Bashkimit Evropian;

përgatitjen e projekt-propozimeve për qëndrimet negociuese për çdo kapitull të acquis të Bashkimit Evropian;

përgatitjen e dokumentacionit dhe raporteve vlerësuese mbi Piketat Paraprake (“opening benchmarks”), Piketat e Ndërmjetme (interim benchmarks) dhe Piketat Përfundimtare (“closing benchmarks”) për kapitullin përkatës duke përfshirë edhe diskutimet apo qëndrimet e dala në negociata për atë kapitull;

analizimin në mënyrë periodike të kapacitetet administrative dhe rekomandimin për forcimin e tyre kur është e nevojshme;

përcaktimin e prioriteteve të procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian, etj.

Grupi Ndërinstitucional i Punës kryesohet nga një zëvendës ministër ose Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë përgjegjëse në varësi të fushës së kompetencës dhe lidhjes së saj me kapitullin përkatës të acquis të Bashkimit Evropian, apo përfaqësuesi i institucionit të pavarur, kur fusha e kompetencës për kapitullin e caktuar të acquis i takon një institucioni të pavarur. Kryetari i secilit Grup Ndërinstitucional të Punës administron grupin e punës në përputhje me kërkesat e anëtarit të Grupit Negociator përgjegjës për negociatat për kapitullin në fjalë. Kryetari dhe anëtarët e secilit prej Grupeve Ndërinstitucionale të Punës emërohen me Urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrave apo drejtuesve të institucioneve të pavarura përgjegjëse.

Kryetarët e Grupeve Ndërinstitucionale të Punës organizojnë Komitetin Teknik të Grupeve Ndërinstitucionale të Punës, i cili shërben kryesisht si forum për diskutimin dhe zgjidhjen dhe mosmarrëveshjeve mes Grupeve Ndërinstitucionale të Punës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH