
Presidenti i Këshillit Europian, Chales Michel ka dhënë mesazhe pozitive për Ballkanin në Forumin e Prespës në Ohër. Ai tha se javën e ardhshme priten zhvillime pozitive, sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit të Bashkimit Europian me Tiranën dhe Shkupin.
“Çelja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur është prioritet i lartë. Mbështesim të gjitha përpjekjet për zgjidhje të pranueshme për të dyja palët për çështjet e hapura bilaterale me Bullgarinë. Jam i angazhuar personalisht me kolegë të tjerë dhe miq në BE për ta çuar përpara këtë proces. Sinqerisht, shpresoj dhe jam i bindur se ne do të kemi zhvillime pozitive shumë shpejt”, tha Michel.
Deklarata shpresëdhënëse vjen përpara samitit të 27 vendeve të Unionit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
Ndërkohë, në lidhje me këtë Franca do t’u dërgojë shteteve anëtare të BE propozimin për heqjen e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, gjë e cila do lejonte caktimin e datës për konferencën e parë ndërqeveritare edhe me Shqipërinë.
Agjencia e lajmeve BGNES në Sofje shkruan se kryeministri Kiril Petkov do ta dërgojë dokumentin e qeverisë së Parisit në Kuvend për shqyrtim. Madje ai ka paralajmëruar të gjithë politikanët bullgarë të përgatiten për një “sulm brutal diplomatic” nga ana e diplomatëve të huaj në Sofje.