Aktualitet

Gruaja doli e djegur, burri humbi jetën brenda/ Djegia e banesës në Shkodër, fqinjët: Flinin në tokë me batanije

Shkruar nga Liberale
Gruaja doli e djegur, burri humbi jetën brenda/ Djegia e banesës

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë në qytetin e Shkodrës, ku një banesë u përfshi nga flakët, ndërsa brenda saj ndodhej një çift.

Burri ka humbur jetën, ndërsa gruaja ka përfunduar në spital me plagë të rënda. Viktima Kapllan Nasufi mbeti brenda banesës ku ra zjarri. Si pasojë e flakëve, pësoi djegie edhe bashkëshortja e viktimës, Nafije Nasufi, e cila u transportua me urgjencë në drejtim të Spitalit të Shkodrës dhe pas ndihmës së parë mjekësore, është dërguar në drejtim të Tiranës për mjekim më të specializuar. Fqinjët e viktimës tha se ambulanca erdhi me vonesë.

“Këtu ra zjarri. Ka rënë flakë e madhe, gruaja ka dalë e djegur, e kanë çuar në spital, ndërsa Kapllani ka vdekur brenda. Sesi ka rënë flaka nuk e dimë. Kushtet kanë qenë të këqija. Në tokë kanë fjetur me batanije. Ambulanca ka ardhur me vonesë, policia më shpejt. Ambulanca nuk na vjen asnjëherë këtu, sa herë e kemi njoftuar”, thanë fqinjët.

Teksa iu përgjigj akuzave të fqinjëve të viktimës, drejtori i Spitalit të Shkodrës hodhi poshtë pretendimet, duke theksuar se në vendngjarje kanë shkuar tri ambulanca.

Kapllan Nasufi, pjesëtar i komunitetit rom, punonte pranë ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit të Bashkisë së Shkodrës. Fqinjët thonë se bashkëshortët jetonin në kushte të vështira ekonomike. Dyshohet se zjarri u shkaktua nga një sobë drush që çifti kishin ndezur për t’u ngrohur. Fillimisht zjarri ka përfshirë pjesën e katramasë së barakës dhe më pas është djegur e tëra.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH