Aktualitet

Grisejda Myslimi: Programi i LSI, mbështetje reale për sektorin fason

Shkruar nga Liberale
Grisejda Myslimi: Programi i LSI, mbështetje reale për sektorin fason

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi këtë të enjte një tryezë për industrinë fasone në Vlorë. Gjatë fjalës së saj, kandidatja për deputete e kësaj force politike Grisejda Myslimi deklaroi se Programi ekonomik i LSI-së ofron një mbështetje reale ndaj sektorit fason, si një sektor kyç për punësimin në vend.

“Unë jam më e reja në moshë këtu, megjithatë e njoh problematikën, sepse e njoh Gjergjin, të cilin e kam mik familje, po ashtu edhe sepse problemet lidhur me fasonerinë janë bërë të përditshme. Gjatë këtyre ditëve unë kam zhvilluar disa takime me fasoneristë në Vlorë, dhe ajo që kam vënë re është se kjo është një industri në krizë dhe e pa strukturuar, dhe në qoftë se nuk merren masa që këto probleme të zgjidhen, mendoj që kjo industri do të shkojë drejt falimentit.

Ajo pyetje që më vjen ndërmend është që në qoftë se problemet në lidhje me fasonistët mund të zgjidhen dhe përgjigja është: Po.

Pyetja tjetër që lind është se s mund të zgjidhen këto probleme? Dhe përgjigjen e zgjidhjes së këtyre problemeve unë e kam gjetur në programin ekonomik të LSI-së, pikërisht në pjesën që flet për industrinë fasone. Këtë program ju e keni të afishuar, megjithatë unë do vë në dukje disa pika që mund më janë dukur më të rëndësishme.

E para gjë që duhet bërë dhe që për mendimin tim është krejtësisht e realizueshme nga qeveria e ardhshme është ristrukturimi i kësaj industrie me investime të inkurajuara dhe të mbështetura nga shteti shqiptar për të shëruar nga kriza e thellë që ka zënë këtë industri. Pra, ne do të marrim përsipër që të vendosim në dispozicion të industrisë fasone në dy vitet e para të qeverisjes sonë një fond prej 30 milion eurosh.

Së dyti, modernizimi dhe certifikimi i produkteve Made In Albania, që në këndvështrimin tim është tepër i rëndësishëm sidomos pas situatës së pandemisë.

Së treti, një tjetër gjë që mund të bëhet është orientimi i tenderimeve publike drejt produkteve vendase. Në qoftë se tenderimet e këpucëve dhe veshjeve do të orientoheshin drejt prodhimit vendas dhe nuk do të vinin nga Kina apo nga Turqia, mendoj që industria fasone nuk do të ishte në këtë krizë financiare ku ndodhet sot.

Ne kemi mundësi reale që me grante dhe me kredi të buta të mbështesim këtë sektor në shembullin e eksperiencave më të mira botërore, sepse jemi të bindur që mbështetja financiare dhe me politika konkrete për këtë industri është një investim me efektivitet, është një shpenzim buxheti për të krijuar një vlerë të shtuar, që futet në të gjithë ekonominë e vendit dhe në këtë mënyrë ajo jo vetëm rrit GDP-në e vendit, por edhe pagat e punonjësve, në mënyrë që edhe personat që punojnë në këtë industri, të kenë paga dinjitoze”, u shpreh Grisejda Myslimi.

Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili deklaroi se Programi i LSI-së për fasonët garanton një mbështetje për këtë sektor, si gjenerator punësimi në vend.

“LSI dhe veprimtarinë fasone i lidh një histori e gjatë dhe e sinqertë. Në një aksion që nuk ka pasur asnjë precedent më parë, në vitin 2014 grupi parlamentar i LSI-së, i gjithi, ka vizituar rrethe të tëra të Shqipërisë, për javë e javë të tëra, për të evidentuar një seri problemesh shumë serioze që industria kishte në përballje me to, e për të cilat u ndërtua edhe një paketë, e cila sigurisht nuk ishte shteruese, por ishte një paketë, e cila kthente disa përgjigje lidhur me këtë industri.

Për fat të keq Rilindja nuk e mbajti fjalën, megjithëse paketa u detajua dhe u diskutua në mënyrë shumë intensive, ndërkohë që ishte e plotë dhe të gjitha partitë e tjera politike nuk kishin asnjë interes të veçantë për këtë gjë, dhe vazhdojmë të kemi të njëjtën qasje prioritare dhe shumë të sinqertë. Ju e keni parë që ne kemi bërë gjithçka. Përplasja jonë atëherë me Edi Ramën ka qenë shumë e fortë për shkak të pengesave që krijoheshin për të mbështetur industrinë fasone.

Sot unë konstatoj edhe një vullnet mjaft të mirë nga Partia Demokratike dhe mundësitë janë 100 për qind për tu realizuar dhe për të ecur përpara. Megjithatë, meqenëse pjesëmarrësit e nderuar të industrisë ndodhen këtu, vendas dhe të huaj, në radhë të parë mirënjohje pa fund për pjesëmarrjen në takimin tonë", tha Vasili.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH