Aktualitet

Grida Duma, një ngjarje provokative në kryeqytet

Shkruar nga Liberale
Grida Duma, një ngjarje provokative në kryeqytet

Reldar Dedaj

Grida Duma s’mund të jetë një grua e zakonshme, fjala bie, si ato gratë e fisshme që shohim jo rrallë në përditshmërinë tonë. Ajo është shumë më tepër se kaq. Është një ngjarje provokative në kryeqytet. Me gjithë përmasën e saj që e karakterizon. Ndoshta pikërisht për këtë, për faktin se ka qëndruar në këmbë në ditë të mira dhe të këqija, sa dëshmitare dhe jo e tillë, ajo sot e di mjaft mirë se çfarë do të thotë të merresh me politikë. Për të është folur shumë, por mbi të gjitha për kuptueshmërinë në përdorimet e saj të fjalës, e cila është edhe lënda e saj. Kjo grua mendon se fjalët duhen trokitur, goditur që ato të nxjerrin gjithë të vërtetën. Në të vërtetë, fjalët e saj, nuk krijojnë një botë të tyren, as jetojnë jetën e tyre ndarazi nga ne dhe për më tepër nuk është e vështirë të depërtosh tek to, nëse marrim parasysh se gjendemi përpara një gjuhe ku tregohet e gjithë jeta jonë, e gjithë domethënia, ose të paktën se si duhej të ishte kjo e fundit.

Me të zeza dhe më një buzëqeshje që i kishte përshkruar gjithë fytyrën, Grida Duma erdhi përpara publikut shqiptar jo vetëm si një grua e bukur, por edhe si një autore e një libri. Në fakt, ky nuk është libri i saj i parë, por është libri që i shpall luftë dogmave dhe klisheve politike. Ajo godet me forcë modelin e liberalizmit të përmbysur, ku shteti lejon xhunglën aty ku duhej të vinte rregull dhe tregon dhëmbët aty ku duhej të frymëzohej nga liberalizmi. Libri i saj, “Koha për politikë”, është edhe një thirrje në përgjithësi drejt shoqërisë, akademikëve, ekspertëve, të rinjve dhe të rejave që sot duhet të përfshihen, pasi nuk ekziston një mënyrë tjetër për të ndryshuar politikën, përveçse përfshirja në politikë.

E angazhuar në mënyrë aktive qysh prej shkurtit në lëvizjen e opozitës së bashkuar, duke djegur mandatin parlamentar si deputete e Tiranës, tregoi se përvoja e këtyre muajve përmes protestave në rrugë e më pranë qytetarëve ashtu siç  edhe deklaruan të gjithë aktorët e opozitës pasi lanë parlamentin, ishte një kohë për të reflektuar e më pas përpunuar disa teza, të cilat nuk mund të shkojnë pa ngjallur debat, ndërsa PD dhe partitë aleate vijojnë jashtë parlamentit, duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe zgjedhje të parakohshme.

Kjo grua e hijshme dhe mjaft e artikuluar na tregon se koha bymehet jo vetëm nga zbrazëtia, por edhe nga vlimi i pareshtur i ngjarjeve të një tipologjie. Në esencë, që prej pesë-gjashtë vitesh në Shqipëri ndodhte një ngjarje: Goditej koka që ngrihej. Ndërkohë, siç ndodh gjithmonë kur një fuqi shtetërore që synon të kontrollojë gjithë jetën politiko-institucionale, në prapavijat e pushtetit po kurdisej mekanizmi i vetëshkatërrimit të tij me kavalerinë e kokave të krimit që i printe hapësirës politike, me trafikun e drogës, vjedhjen e zgjedhjeve, largimin e shqiptarëve, varfërinë, nivelin e dobët të arsimimit dhe tezat majtiste populiste, fatkeqësisht i jepnin tonin jetës në vend.

Nevoja për realizëm e vërtetësi është akute, nënvizon autorja në shpalosje të vizionit për një politikë të djathtë të pëlqyeshme, të asimilueshme, efikase. Libri i saj është ndërkaq një manifest i zhvilluar i mendimit, ideve dhe zgjidhjeve liberale që vetë Grida e pat nisur me librin “Dymbëdhjetë teza për  liberalizmin”, botuar rreth gjashtë vjet më parë, por tani avancon në kushtet e një qeverisjeje të gjykuar si dështim nga ana e saj. Lidhur me librin, në njëfarë mënyre, duhet thënë se tragjizmi i kësaj bote qëndron edhe te fakti se njeriu duhet të ruhet nga mbrojtësi i tij, i cili duke e fut në strehëzën e vet, sigurisht që ia merr lirinë dhe mund t’a dhunojë njësoj, në mos më keq, se ata që do të ishin konsideruar si rrezik për të dhe prej të cilëve duhej të mbrohej.

Për Gridën, individi, me unikalitetin e tij të pazëvendësueshëm, është figura kryesore, ai që Bibla na lutet ta duam, ai që Kanti e shihte si qëllim e kurrë si mjet, liritë e patjetërsueshme të të cilit mbrohen me ligj dhe pasionet e të cilit letërsia i vendos në qendër të botës.

“Që t’ia dalësh mbanë sot nuk mjafton të ëndërrosh, as të bësh ca gjëra mirë; duhet të stërvitesh fort në mendje dhe në zakonet e përditshme. Zakone fare të vogla; nga ngrënia e mëngjesit, tek ecja në rrugë, te veshja e duhur, e më pas stërvitja e trurit si qendër force. Të stërvitësh zakonet, të stërvitësh forcën, të bëhesh i domosdoshëm; “mos të kenë çfarë të bëjnë pa ty”; kjo është çështja, thotë ajo në një fjalim frymëzues alla TED, i cili pas postimit u bë viral në rrjetet sociale.

Megjithatë, një nyje që herë lidhet dhe herë zgjidhet, duket se i ka zënë frymën, por prapëseprapë ajo gjen forcën dhe drejton gishtin, duke thënë se reformat e nisura dhe të lëna në mes, ligjet e shkruara dhe të mbetura në letër, institucionet e dizenjuara sipas standardeve europiane, por që kanë qenë të pafuqishme për të ushtruar funksionet e tyre, shkurt dhe qartë: ideja e një shoqërie të re dhe demokratike ka ecur me zvarritje dhe ngecje, duke mbetur akoma edhe sot një demokraci e dobët dhe hibride.

Nuk është vetëm kjo pse na trazon Grida Duma.

Ajo na plagos me mendim. Me idetë e saj na bën ekzorcizëm, duke nxjerrë jashtë nesh dreqnit psikologjik: na trazon traditën, ngathtësinë në të menduar, mitet tona dhe jetën në të cilën besonim më parë. Por na shpëton nga politika e keqe. Ose ajo që nuk është politikë, por shemra e saj që shfaqet si e tillë. Ajo hedh me tërsëllëm dhe plot forcë, duke guxuar gjithashtu, elegancën e saj mbi kilet e tepërta të një politike që s’lëvizën prej kohësh dhe pak gjasa ka të lëvizë dhe në të ardhmen, nëse ne nuk i ndërrojmë zakonet tona të te jetuarit dhe të menduarit. E bën këtë duke na kthyer në fillim, aty prej nga kemi origjinën, te mëkati fillestar: te vëllavrasja.

Tek ai libër qëndron në thelb, ndarja dhe përçarja, e kjo është inteligjenca e saj dhe ka të drejtë. Sepse pa konflikt nuk lindin as qytete, as qytetari. Madje sipas mitologjisë, qyteti është pjellë e vëllavrasjes. Është Kaini ai që ndërton polis-in e parë sipas gjenezës. Pikërisht pasi vrau Remin, Romuli vendosi të themelojë Urbs-in që do të ishte djepi i kodifikimit të së drejtës. Andaj, në vendin tonë është krijuar një përshtypje të realizojmë me patjetër përngjitjen me ata që na sundojnë, me ata që jo pak herë prekin edhe interesat tona. Madje forma të tilla të menduari kanë pushtuar mendjet njerëzore, i kanë stërvitur gjatë, i kanë mbajtur të robëruara deri aty sa kanë arritur të formojnë një lloj admirimi për ata persona që zotërojnë mjetet për të grabitur shtetin.

Prandaj, me të drejtë, ajo kërkon një rithemelim të politikës në rrafshe etike, logjike dhe programore, duke dashur të kthejë në skenë dhe piedestal në kuptimin e saj origjinal dhe dinamik, gjithashtu duke identifikuar një detyrë të saj, që është me zgjidhë çështjen e elementëve bazikë për daljen e Shqipërisë nga tranzicioni. Por që të ndodhë kjo, duhet që ne të ndryshojmë zakonet tona të te menduarit, të besuarit dhe të shprehurit. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH