Medium Personazhe

Greta Thunberg- Njeriu i Vitit, shpërthen debati për 16-vjeçaren

               Publikuar në : 10:57 - 13/12/19 liberale

Presidenti i SHBA, Donald Trump vuri në shënjestër të enjten aktivisten suedeze të klimës, adoleshenten Greta Thunberg, duke thënë se ajo ka probleme me kontrollin e zemërimit.

Sa qesharake. Greta duhet të përpiqet për problemin e saj që nuk kontrollon dot inatin,” komentoi Presidenti në Twitter. Ajo duhet “të shkojë të shohë me ndonjë shoqe ndonjë film të modës së vjetër! Qetësohu Greta, qetësohu,” shkruante ai.

Kritika ndaj një të miture nga një president i Shteteve të Bashkuara është diçka e pazakontë dhe vjen një ditë pasi Thunberg u emërua Njeriu i Vitit 2019 nga revista prestigjoze TIME. Presidenti Trump ishte një ndër kandidatët për t’u emëruar si Njeriu i Vitetit.

Komentet e Presidentit Trump nuk kaluan pa u vënë re nga Thunberg.

16-vjeçarja u përgjigj, duke ndryshuar bio-n e saj në Twitter: “Adoleshente që punon për problemin e saj të kontrollit të inatit. Aktualisht duke parë në qetësi me një shoqe një film të modës së vjetër.

Reagimi negativ ndaj kritikave të Presidentit Trump ishte i shpejtë në mediat sociale. Shumë përdorues të Twitter-it e akuzuar Presidentin për ngacmim. Të tjerë, megjithatë, i dolën atij në mbrojtje.

Aktivistët përshëndesin vendimin e Revistës 

Ambientalistë dhe aktivistë të ndryshimeve klimatike në mbarë botën përshendetën vendimin e revistës Time për shpalljen e adoleshentes Greta Thunberg Njeriu i Vitit 2019. Aktivistja ka tërhequr vëmendjen e botës me thirrjet që u bën politikanëve dhe udhëheqësve të industrisë që të marrin vendime të guximshme mbi ndryshimet klimatike. Nismat e saj kanë inspiruar rininë në botë që të luftojnë për mbrojtjen e planetit. Por, ka kritikë që thonë se misioni i Greta Thunbergut është i gabuar.

16 vjeçarja nga Suedia praktikon atë që predikon. Muajin e shkuar, Greta Thunberg lundroi në ujërat e ashpra të oqeanit Atlantik që të përcillte mesazhin se fluturimi me avion i bën dëm mjedisit.

Të mërkurën në Madrid, në një samit të OKB-së për klimën, ajo akuzoi politikanët dhe pronarët e bizneseve se kanë dështuar të trajtojnë me urgjencë ndryshimet klimatike.

“Në një urgjencë, ndryshohen sjelljet. Nëse një fëmijë ndodhet në mes të një rruge ku makinat ecin me shpejtësi të madhe, nuk mund të rrish indiferent, por duhet vrapuar menjëherë për ta shpëtuar. Nëse nuk e shohim kështu, si mundemi ne njerëzit të kuptojmë që po përballemi me një krizë të vërtetë”, tha ajo.

Thunberg thotë se ata që hiqen sikur angazhohen bëjnë më shumë dëm sesa ata që nuk veprojnë.

“Rreziku i vërtetë vjen kur politikanët dhe bizneset japin përshtypjen sikur po bëjnë veprime konkrete, por në fakt, gati asgjë nuk bëhet jashtë kalkulimeve dhe marketingut”, tha ajo.

Mbështetësit e saj thonë se ajo e meritoi shpalljen si njeriu i vitit nga revista Time.

“Ajo duhe të ketë vëmendje, por jo si njeri i famshëm, sepse nuk është. Por është aktiviste shumë e mirë”, thotë Charlotta Martinez.

Protestat që i dhanë famë

Greta Thunberg e filloi fushatën e saj në vitin 2018 duke protestuar një herë në javë para parlamentit suedez, në vend që të shkonte në shkollë.

Shumë shpejt ajo mori vëmendje me fjalimet e guximshme duke akuzuar njerëzit në pushtet se po rrezikojnë të ardhmen e gjeneratave të reja, duke injoruar shqetësimet shkencore.

Ajo është folësja kryesore në pothuajse çdo forum për ndryshimet klimatike, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, gjë që ka inspiruar rininë në botë që t’i bashkohen protestës së saj.

Por jo kudo mesazhi i saj gjen mbështetje. Pas fjalimit me emocione në shtator në Nju Jork, presidenti Donald Trump tha në Twitter se ‘ajo duket si një vajzë e re e gëzuar, duke ulur seriozitetin e kauzës për të cilën ajo lufton.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, e quajti atë “shejtan” pasi ajo dënoi dhunën kundër popujve indigjenë të Amazonës. Një i ftuar në një emision të Fox News e quajti Gretën të sëmurë mendore, gjë për të cilin më vonë rrjeti televiziv kërkoi ndjesë.

Djali i madh i presidentit Trump, Donald Jr. kritikoi revistën Time që e shpalli Gretën njeriu i vitit para protestuesve të Hong Kongut.

Disa analistë konservatorë kritikuan shtypin se po përdor fëmijët që të shmangin analizën kritike dhe debatin mbi klimën./VOA

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back