Editorial

Gratë e braktisura të Afganistanit

Shkruar nga Liberale
Gratë e braktisura të Afganistanit

Pinelopi Koujianou Goldberg

Për shkak të pandemisë dhe fatkeqësive të tjera, shumë njerëz iu referuan vitit 2020 si një “vit biblik”. Tani, megjithatë, ka filluar të duket sikur jemi në një “dekadë biblike”. Midis përmbytjeve në Evropën Perëndimore, zjarreve në Greqi dhe Turqi dhe varianteve Delta dhe Mu të COVID-19, planeti ynë dhe mënyra tradicionale e jetës po vihen gjithnjë e më shumë nën presion.

Megjithatë, ky vit s’mund të krahasohet me tragjedinë me të cilën po përballen 19 milionë gra të Afganistanit. Ndërsa ne nga ekonomitë e përparuara diskutojmë tepricat e shoqërisë sonë moderne, gratë afgane po përballen me një kërcënim akut duke rrezikuar të zhyten përsëri në epoka të errëta.

Mediat ndërkombëtare i kanë nxjerr siç duhet në pah rreziqet me të cilat ato përballen. Shumë media na kujtojnë shtypjen që gratë pësuan nën sundimin taleban midis vitit 1996 dhe 2001. Talebanët janë përgjigjur duke siguruar se të drejtat e grave – sidomos të drejtat e tyre për të punuar dhe për t’u arsimuar – do të respektohen për sa kohë që ato janë në përputhje me vlerat e një shoqërie islame sipas ligjit të Sheriatit. Muajt ​​e ardhshëm do të tregojnë nëse ky premtim do të mbahet.

Mund të shpresojmë vetëm që sundimtarët e rinj të Afganistanit do t’i qëndrojnë besnikë fjalës së tyre dhe do t’i rezistojnë forcave të prapambetura brenda radhëve të tyre. Për këtë nevojitet një strategji e zgjuar, jo vetëm sepse kjo do t’u siguronte atyre besimin e komunitetit ndërkombëtar, por edhe sepse do të ishte një politikë e mirë ekonomike. Një shoqëri që shtyp gratë është një shoqëri që shtyp perspektivat e saj për rritje dhe zhvillim.

Studimet kanë treguar se promovimi i barazisë gjinore nuk është vetëm në dobi të grave, por është në dobi të të gjithë ekonomisë. Një studim me ndikim i vitit 2019 në Econometrica, një nga revistat kryesore ekonomike, tregon se zvogëlimi i hendeqeve gjinore në punë dhe i shtrembërimeve të tjera kontribuoi në një shpërndarje më efikase të talenteve dhe gjeneroi një produktivitet të konsiderueshëm dhe përfitime të mirëqenies në Shtetet e Bashkuara.

Eliminimi i diskriminimeve gjinore dhe i formave të tjera mund të gjenerojë në mënyrë të arsyeshme përfitime edhe më të mëdha në vendet në zhvillim, shumë prej të cilave shfaqin shpërndarje të gabuara të burimeve dhe produktivitet të ulët. Në një studim të kohëve të fundit, unë dhe Gaurav Chiplunkar i Universitetit të Virxhinias zbulojmë se eliminimi vetëm i barrierave gjinore mund të sjellë përfitime të konsiderueshme në produktivitetin e përgjithshëm në Indi. Dhe përfitimet me sa duket do të ishin shumë më të mëdha nëse barazia gjinore do të shtrihej në të gjitha aspektet e aktivitetit ekonomik.

Sigurisht që një ekonomi ka më shumë shanse për të arritur potencialin e saj të plotë kur gjysma e popullsisë së saj nuk është e kufizuar për të përdorur aftësitë dhe talentet e saj. Siç argumentuan Christine Lagarde dhe Jonathan D. Ostry nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në 2018, përjashtimi i grave nga aktiviteti ekonomik e pengon një vend të përfitojë nga komplementaritetet midis forcës punëtore mashkullore dhe asaj femërore.

Edhe para ndryshimit të fundit të regjimit në Kabul, perspektivat e grave në Afganistan ishin të zymta. Një tregues i kësaj erdhi nga rezultati i “Gratë, Biznesi dhe Ligji” (WBL) i Bankës Botërore, i cili mat shkallën e diskriminimit ligjor gjinor ndërsa ai ndikon në mundësitë ekonomike të grave. 100 pikë tregojnë barazi të plotë (sipas ligjit) midis burrave dhe grave; një rezultat prej zero pikësh tregon se gratë nuk kanë asnjë nga të drejtat e burrave. Në vitin 2020, rezultati WBL i Afganistanit ishte 38.1, krahasuar me një rezultat mesatar global prej 76.1 dhe një rezultat mesatar rajonal të Azisë Jugore prej 63.7.

Banka Botërore i bazon rezultatet e saj të WBL në informacionin e mbledhur përmes intervistave me ekspertë ligjorë në secilin vend. Studimi mbulon disa tema, duke përfshirë kufizimet që lidhen me lëvizshmërinë, trajtimin në vendin e punës, pagën, martesën, prindërit, pasuritë, sipërmarrjen dhe pensionet. Por ai mbulon vetëm ligjet në libra, jo zbatimin e tyre, dhe nuk mbulon normat gjinore kulturore dhe sociale që luajnë një rol po aq të rëndësishëm në shumë vende. Megjithatë, krahasimi i rezultateve të WBL në të gjithë vendet tregon vërtet shumë.

Rezultati i Afganistanit prej 38.1 pikësh për vitin 2020 do të thotë që gratë atje u përballën me kufizime të rënda ligjore në pothuajse çdo kategori të mbuluar nga indeksi, edhe para se talebanët të ktheheshin në pushtet. Për shembull, gratë ende nuk lejoheshin të udhëtonin jashtë shtëpisë së tyre ose të zgjidhnin se ku të jetonin siç bëjnë burrat. Por kjo nuk do të thotë se vendi nuk ka bërë progres në 20 vitet që kur talebanët kishin për herë të fundit në dorë pushtetin në vend. Pavarësisht sfidave të mëdha politike me të cilat u përballën, të drejtat e grave u zgjeruan në disa fusha të rëndësishme. Një ligj i vitit 2015, për shembull, i lejoi gratë të aplikonin për pasaporta në të njëjtën mënyrë si burrat, duke u dhënë atyre më shumë mundësi për të lëvizur.

Në punën e fundit të përbashkët, unë argumentoj se ndërsa ligji i Sheriatit imponon disa kufizime për gratë, ai jo domosdoshmërish është në kundërshtim me arritjen e progresit në fushën e barazisë gjinore. Në fakt, disa autorë kanë argumentuar se është kultura patriarkale, jo ligji islam, ai që shpesh qëndron prapa pabarazive të ashpra gjinore. Këtu, Tunizia shërben si një shembull i mirë se si barazia gjinore në sferën familjare mund të përfshihet brenda kufijve të Sheriatit. Në vitin 2020, vendi mori një rezultat prej 67.5 pikësh në ËBL, jashtëzakonisht më i lartë se mesatarja rajonale e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut prej 51.5 pikësh.

Le të shpresojmë se talebanët nuk do ta rrëzojnë progresin e vogël që është bërë në 20 vitet e fundit. Nëse i respektojnë angazhimet e tyre të reja, ata do të fitojnë një masë të besimit ndërkombëtar dhe do të përmirësojnë perspektivat e Afganistanit për zhvillimin ekonomik. Nga ana e tij, komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të ushtrojë presion diplomatik, politik dhe ekonomik për të garantuar që gratë e vendit të mos braktisen përsëri në dorë të fatit për t’u përballur me një fat të zymtë.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH