Aktualitet

Gomari fut në sherr vëllezërit në Tiranë, dhunohen me dru e leva

Shkruar nga Liberale
Gomari fut në sherr vëllezërit në Tiranë, dhunohen me

Dy vëllezër në fshatin Shpatë të Baldushkut në Tiranë janë zënë me njëri-tjetrin me leva dhe shkopinj druri për shkak të gomarit. Në një debat e sipër, vëllezërit Lloçi kanë sharë njëri-tjetrin nga familja.

Pasi nuk janë marrë vesh, njëri prej tyre ka përdorur edhe fjalë banale në drejtim të vëllait, çka ka bërë që ky ta godasë fillimisht me një copë druri, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë.

Në këto momente burime nga policia bëjnë me dije se ka ndërhyrë djali i të dëmtuarit, Bujar Lloçi i cili ka goditur me leva hekuri xhaxhain e tij.

Dëshmia e Muharremit

Më 2 maj rreth orës 03:30 Muharremi ka bërë kallëzimin penal ku tregonte çfarë kishte ndodhur. “Ndodhesha pranë vreshtit të rrushit kur pashë gomarin e Enverit që kishte hyrë dhe po dëmtonte rrushin. E nxora gomarin nga vreshti dhe e ndoqa deri tek shtëpia e Enverit dhe i tregova ca kishte ndodhur. Por Enveri nisi të shante dhe të ofendonte me fjalë shumë fyese e banale në drejtimin tim, të gruas sime dhe të vajzave. U afruan pranë meje me gjithë gruan dhe më tërhoqën nga rrobat. më pas Enveri më goditi me një copë druri të shkurtër. Ndërkohë u afruan dhe dy fëmijët e vëllait të cilët po më shtynin për të më rrëzuar në tokë. Ngrita duart para duke u munduar të mbroja kokën por kur më goditi me dru më çau në fytyrë. Më pas më qëlloi me grusht në anën e majtë të hundës pranë syrit. Kam rënë në tokë dhe nuk mbaj mend më asgjë”, ka deklaruar në kallëzimin e tij Muharremi. Ai ka shtuar se është përmendur më pas në shtëpinë e tij dhe mbi kokë kishte djalin, Bujarin. Ky i fundit sapo ka parë që i ati është përmendur është larguar. Muharremi ka deklaruar se nuk e ka goditur asnjëherë vëllain e tij Enverin.

Dëshmia e Enverit

Nga ana tjetër Enver Lloçi, i arrestuar për dhunë në familje ka deklaruar se ai është dhunuar fizikisht nga djali i vëllait të tij, nga nipi i quajtur Bujar Lloçi. “Më ka goditur me shufër hekur në kokë dhe më ka shkaktuar dëmtime në kokë dhe fytyrë. Unë nuk kam dhunuar askënd, nuk e kam dhunuar vëllain tim Muharremin dhe nuk e di kush mund ta ketë dëmtuar”, ka deklaruar Enveri.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH