Aktualitet

Gjyqtarja i fali 5 vite Hekuran Billës: Do punojë si korrier

Shkruar nga Liberale
Gjyqtarja i fali 5 vite Hekuran Billës: Do punojë si korrier

Ekzekutimi me një armë MP5 me silenciator i Hekuran Billës ka sjellë nxjerrjen në dritë historinë e lirimit të tij nga burgu. Hekuran Billa ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj 22 vjeçarit Prel Marku dhe plagosjen e rëndë të Musa Rrahmanit dhe një personi tjetër. Ngjarja ka ndodhur në “Park Royal” të Londrës më 14 tetor 2006 dhe në vitin 2008, Hekuran Billa është dënuar nga gjykata e Kurorës Snaresbook, Angli me burgim të përjetshëm.

Hekuran Billa ishte arrestuar në Angli një vit pas vrasjes në datën 15 nëntor 2007 dhe në 14 tetor 2008 Gjykata e Snaresbook Angli, e ka shpallur fajtor duke e dënuar me burgim të përjetshëm për tre vepra penale. Më pas Billa është deportuar nga Anglia në Shqipëri me qëllim vuajtjen e dënimit me burg përjetë në Shqipëri. Në 13 maj 2014 gjyqtari i Tiranës Altin Abdiu ka vendosur të pranojë njohjen e vendimit anglez duke njehsuar burgimin e përjetshëm në Shqipëri. Por ky vendim në muajin korrik 2016 është rrëzuar në Apel nga treshja e gjyqtarëve Fatmira Hajdari, Lefter Jahja dhe Shkëlqim Mustafa, duke e dënuar Hekuran Billan përfundimisht me 25 vite burgim.

Pas këtij vendimi Billa është akomoduar në ambientet e burgut të Fushë-Krujës, ku nga ky burg ka filluar të depozitojë kërkesat për lirim nga qelia. Kërkesa e parë për ulje dënimi me 90 ditë në gjykatën e Krujës është pranuar nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila në 25 maj 2017, ka vendosur uljen e dënimit për Billa. E njëjta gjyqtare brenda një dite, pra në 25 maj 2017 ka marrë në shqyrtim një kërkesë të dytë të depozituar nga Hekuran Billa, duke vendosur uljen e dënimit me 24 muaj burgim.

Ndërsa në 14 shkurt 2018, ditën e Shën Valentinit, gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ka vendosur ti njohë Hekuran Billës periudhën e paraburgimit nga data 15 nëntor 2007 në Angli deri në datën 20 korrik 2016, ku vendimi për dënimin e tij me 25 vite burgim ka marrë formë të prerë në A

pel. Pra në total kjo gjyqtare i ka ulur dënimin në masën e 9 viteve, kohë kjo që gjyqtarja argumenton se Billa ka qëndruar në periudhë paraburgimi. Pa kaluar shumë muaj nga ky vendim, në 21 nëntor 2018 gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ka vendosur ti njohë amnistinë e vitit 2016 këtij personazhi, duke i ulur dënimin në 1 vit burgim. Ndërsa në muajin janar 2019 Hekuran Billa sërish ka përfituar një ulje dënimi me 90 ditë, ku sërish ka qenë gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Një muaj pas këtij përfitimi të radhës, Hekuran Billa, nëpërmjet avokatit të tij Aldo Tabaku, në datën 22 shkurt 2019, ka fituar prej Enkelejda Hoxhës, lirimin me kusht e cila i ka falur 5 vjet e 2 muaj e 11 ditë burgim. Në të gjitha këto vendime prokurori Bujar Memia, nuk ka paraqitur ankimim në gjykatë, duke bërë që vendimi të hyjë në fuqi menjëherë dhe mos pasur asnjë mundësi të kthimit në burg të Billës. Për gati 1 vit e gjysëm Billa, ka qëndruar i lirë në rrugët e Tiranës ku në letra figuronte i punësuar si postier pranë studios ligjore Duka në Tiranë. Por në janar të 2020 Hekuran Billa kishte hapur dhe një biznes në Tiranë për dhënien e makinave me qira.

Argumenti si u lirua Hekuran Billa

Hekuran Billa gjatë kohës së qëndrimit në lirim me kusht duhet të punësohej pranë studios ligjore "Duka" në pronësi të Alma Dukës. Nga burgu në korrier. Është ndjekur e njëjta skemë si me Endrit Doklen. Fillimisht e ka pasur gjyqtarja e Krujës Engjëllushe Tahiri. Por Aldo Tabaku, avokati i Billës kërkoi përjashtimin e saj. Kërkesa është pranuar dhe cështjen e ka marrë Enkelejda Hoxha, e cila ka filluar të njohë uljet e dënimit për Billën dhe njohjet e amnistisë, fiks si me skemën e Endrit Dokles.

Me pas në shkurt 2019 kemi ardhur në momentin e lirimit me kusht duke i falur plot 5 vjet e 2 muaj e 11 ditë Hekuran Billa. Kushti ishte që të punësohej pranë studios ligjore me emrin "Duka", si korrier dokumentacioni. Çuditërisht ky vendim lirimi me kusht nuk është apeluar në asnjë moment nga prokurori i ceshtjës Bujar Memia dhe vendimi ka hyre menjëherë në fuqi. Prokurori ka qenë dakord me lirimin e Hekuran Billës, duke pohuar në fund se e linte ta çmonte gjyqtarja vendimmarrjen. Por cilat ishin argumentet që paraqiti Billa në kërkesën për lirimin nga burgu? Tre vite pasi ishte transferuar në burgun e Fushë Krujës ai bëri kërkesën për lirim. Gjykata thekson në vendim se kërkesa për lirimin me kusht është pranuar, pasi Billa kishte prindërit të moshuar, të pamundur ekonomikisht dhe jo në gjendje të mirë shëndetësore.

"Hekuran Billa ka arsye të veçanta që përligjin kërkesën e tij për lirimin me kusht, që janë gjendja familjare ku konkretisht është në përbërje familjare me dy prindërit, gjendja shëndetësore e tyre paraqitet me probleme të shëndetit, të dokumentuara. Gjithashtu arsye tjetër është gjendja ekonomike e vështirë, pasi të vetmet të ardhura janë pensioni i prindërve të tij, i cili është i pamjaftueshëm për ilaçet e tyre, ndaj ai ka paraqitur edhe një kontratë punësimi" thuhet në vendim. Gjithashtu theksohet sjellja e mirë e Billës në burg./Shqiptarja.com

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH