Aktualitet

Gjyqi ndaj Mediut, të plagosurit nga shpërthimi i Gërdecit bëhen palë në proces

Shkruar nga Liberale
Gjyqi ndaj Mediut, të plagosurit nga shpërthimi i Gërdecit

Gjykata e Posaçme pranoi të bëjë palë në procesin ndaj Fatmir Mediut të gjithë të plagosurit nga shpërthimi i Gërdecit, si viktima të veprës penale.

E njëjta kërkesë ishte rrëzuar me herët nga gjykata, ndërsa pas kërkesës së paraqitur ditën e sotme u miratua. Pranimi i saj u kërkua edhe nga prokurorët e SPAK në sallë, të cilët thanë se familjarët e viktimave dhe të dëmtuarve duhet të legjitimohen dhe t’u krijohet e drejta të dëgjohen në proces.

Njoftimi i veprës penale është i vështirë, tha gjykata, për shkak të numrit të madh të të dëmtuarve dhe për këtë arsye njoftimi do bëhet me shpallje publike. Për t’i dhënë kohë njoftimit të tyre gjykata e shty seancën për në 22 qershor.

Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish ‘Brigatës së Tankeve', në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.

Prokuroria thotë se këto akte në lidhje me shitjen dhe çmontimin e një sasie municioni “kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH