Donald Trump ka fituar një betejë domethënëse me drejtësinë. Gjykata e Kolorados hodhi poshtë një padi të ngritur nga disa avokatë që përfaqësonin një grup votuesish të këtij shteti federal, ku kërkohej përjashtimi i tij nga pjesëmarrja në zgjedhjet paraprake mes republikanëve për kandidaturën për presidencialet 2024.
Kërkesa bazohej tek akuzat ndaj Trump-it si nxitës i sulmit të 6 Janarit 2021 ndaj selisë së Kongresit, në përpjekje për të penguar betimin e presidentit aktual Joe Biden. Avokatët kishin përzgjedhur një amendament të periudhës së luftës civile që përjashton nga mbajtja e detyrave shtetërore, pjesëmarrësit në kryengritje.
Ndonëse, gjykatësit e Kolorados pranuan se Trump ishte pjesëmarrës në kryengritje, argumentuan se ky amendament nuk përfshin çështjet presidenciale.