1

Gjuha, tradita, identiteti dhe shqiptarizmi

               Publikuar në : 10:26 - 22/07/21 Filip Guraziu

Filip Guraziu

 Gjuha pa dyshim asht elementi kryesor bashkëformues i nji populli e së bashku me sjelljet ose veprimet që manifestohen në mënyren e jetesës , kodin juridik dhe kulturën e nji populli formojnë ate që ne e quejmë traditë.
Dy konceptet, Gjuha e Tradita me kalimin e kohës zanë vend thellë në ndërgjegjën e individit (  qeliza formuese e ndërgjegjës së shoqnisë njerëzore),  projektojnë e  me kalimin e kohës përcaktojnë konceptin e Identitetit.
Tradita dhe identiteti janë dy koncepte  që bashkëjetojnë të ndërthuruna ngusht njena me tjetren gjatë evolucionit të pa mbarim të  shoqnisë njerzore, tue qenë në të njajten kohë mjaft të ngjajshëm, por konceptualisht të ndryshëm.

Evolucioni i pashmangshëm, efekt magjik i kohës, ndikon “pa paragjykim” në transformimin e “ mjedisit “ ku jeton shoqnia njerzore tue transformue edhe vetë njeriun. Ai (evolucioni ) nuk pyet për urdhna politikë, për ndasi krahinore, për dëshira të “unit”, por vepron simbas nji logjike të imponueme prej nji fuqie të padukshme e cila përjeton mbrendë ndërgjegjes së nji shoqnije njerëzore e kushtëzohet prej Identitetit.
Asht pikërisht ky identitet që imponon kodin specific të skalitjes së ADN së individit e që percakton e dallon nji popull me nji tjeter. Tue e shtri hapsinën e logjikës per të gjitha qeniet e gjalla, lehtësisht konstatojmë se sa fort dashunohet ruejtja e Identitetit ne natyrë; kaq e fuqishme paraqitet kjo “ lidhje “ me Identitetin , sa shpesh për me e ruejtë e trashigue sfidohet jeta në favor të vdekjës!

Diktatura në vitin 1972 i dha dënim maksimal Gegnishtes me pasojë eleminimin material të saj, por anës shpirtnore të lidhun me identitetin nuk pati se ç’ka me i ba ! Gegnishtja jetoi për shumë vite në letargji mbrenda ndërgjegjës popullore derisa shpertheu mbas viteve 90-të…
Sot Gegët vazhdojnë të komunikojnë në familje gegnisht ashtu si kanë folë prindt e tyne.

Sot “ paskajorja ose infiniti “ hap mbas hapi po gjen terren në komunikim jo vetëm në veri.

Sot, shkruejnë gegnisht mbi 200 autorë, shkruhen artikuj në gegnisht në gazetat kryesore e  këndohen kangë në gegnisht.

Sot nji masë e madhe njerëzish me profesione të ndryshëm ( Gegë) shkruejnë poezi në gegnisht si forma ma e sinqertë dhe direkte e shprehjes së tyne emocionale;  libri “ Antologji – Gegnishtja Poetike “ i publikuem kët vit përmblodhi poezi në gegnisht prej 35 autoreve të panjohun ma parë .
Sot pra, gegnishtja jeton fuqishëm në ADN e popullit shqiptar !

Mungesa e gjuhës së Nanës , hupja e gegnishtes na transformon në nji popull pa identitet, ‘ pa të kalueme e pa të ardhme ‘ e me të drejt vijnë pyetjet: Kush do të ishim na shqiptarët pa identitetin tonë? Prej kah erdhëm dhe ku do të shkojmë ? Çfarë të drejte juridike do të kishim  për mbrojtjën e interesave tona kombëtare me qenë se pa Gegnishten mbesim me identitet anonim ?
Në kushtet e nji “ beteje të verbërt “ me fillesë politike dhe e nxitun prej nji smire me motive krahinore antishqiptare që sot mbahet në kambë artificialisht prej atyne akademikve të cilët vlersojnë ma teper “unin” e tyne se sa interesat ‘ kuq e zi ‘ mbarëkombtare, del si ‘ detyrë mbi detyrat’ jo vetem mbrojtja, por edhe rritja e fuqizimi i përdorimit të gjuhës së Nanës, Gegnishtes.
POR KUJDES !!! Nuk kërkohet përmbysje e “standartit “ në favor të Gegnishtes, por vetem rishikimi e tij për me mundësue ndërthurjen sa ma të mire dhe mbi baza shkencore të Tosknishtes me Gegnishten !

Thirrjes tonë i vjen në ndihmë “dialektika dhe evolucioni”: gjuha si pasqyrim i pandashëm i evolucionit në mjedisin shoqnor kërkon domosdoshmënisht sot, mbas 46 viteve të zyrtarizimit të ” standartit”, studim dhe rishikim.  Vetëm akademikët marksistë shqiptarë që komunizmi na i la trashigim,  edhe pse të edukuem me filozofinë materialiste,  paraqiten dogmatikë  për rishikimin e ” standartit” tue mos pranue zhvillimet dialektike !
Në këto 30 vjete “ demokraci “ shqiptarët thyen ‘tabu’ që nuk ia merrte mendja kuj; si heqja e vendimit me vdekje ose pranimi ligjor i martesave me të njajtin seks etj., por vetëm rishikimi i vendimeve qe na la i “ashtuquejtuni kongres politik gjuhesor “ i 1972 vazhdon të konsiderohet TABU ! Dashakeqësi… ?, No coment !
A munden dhe a duhet të bashkohen Shqiptarët me kontributin e tyne modest në favor të gjuhës së Nanës ? Ç’ka nënkupton ruejtjen dhe mos hupjen e veprave madhore kulturore identitare për mbarëkombin shqiptar; të Kristoforidhit, Fishtës, Shirokës, Vasës, Gjeçovit, Mjedës, Toptanit, Xhuvanit, Haxhiademit, Migjenit, Greblleshit, Prendushit, Koliqit, Camës, Pipës, Rrepishtit , Shllakut, Gjeçit e shumë e shumë të tjerve , në shërbim të edukimit të brezit të ri !

A duhet dhe a mund të jemi bashkë për ruejtjen e traditave tona, për ruejtjen e identitetit tonë ?

Jemi të ndërgjegjshëm për situatën e vështirë ekonomike dhe morale që po kalojnë shqiptarët, por në të njajtën kohë jemi po aq të ndërgjegjësuem dhe të bindun se nuk duhet me hup kohë, por me u bashkue me kontributin tonë rreth nji ideali që nuk lidhet me partitë politike, as me besimet fetare, as me nacionalizmin agresiv dhe as me diskriminimin e pakicave etnike etj., por që ka si objektiv vetëm ruejtjen e identitetit etnik, e nderimin e flamurit kuq e zi.

Bashkimi  synon  kohezionin e  fuqishem ndërmjet  shqiptarve kudo që ndodhen me qëllim respektimin e sakrificës së mija shqiptarve që derdhën gjakun për atë flamur si dhe  nderimin e të gjithë atyne intelektualëve që sakrifikuen çdo gja për kulturën dhe traditen tonë , për gjuhën Shqipe, e cila, nuk mund të kuptohet pa bashkimin dhe nderthurjen e Gegnishtes me Tosknishten..
Vetëm kështu bashkohen shqiptarët rreth identitetit të tyne historik tue u radhitë me krenari si nji ndër popujt ma autokton të Ballkanit .

Bashkimi don me thanë fuqi, zhvillim dhe rritje e mirëqenies, ky duhet me qenë vizioni i së ardhmes që i hapë rrugën Shqipes dykrenare drejtë naltësive hapsinore për me fluturue “ la e më la “.
Të bashkohemi pra, e mos të presim ma!

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back